Qeveria e aprovoi parimisht shtrenjtimin e rrymës, Kurti në opozitë protestonte kundër çmimeve

Rreth një muaj pasi tha në Kuvendin e Kosovës se qytetarët po shpenzojnë shumë energji elektrike, edhe për shkak se ajo u kushton lirë, kryeministri Albin Kurti e ka pranuar në parim një propozim të ZRRE-së për rritjen e çmimit të rrymës. Në opozitë, ai dhe partia e tij e akuzonin ZRRE-në se nuk po e mbronte interesin e qytetarëve, duke organizuar edhe protesta kundër çmimit të rrymës.

Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizavanolli ka paralajmëruar se sot pasdite do ta shpalosin qëndrimin e Qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të rrymës megjithatë e mori dje dritën e gjelbër nga Ministria e Ekonomisë.

“Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”, u tha në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë.

Kryeministri Kurti tha sot se e kupton brengën e qytetarëve, rritjen e faturave të të cilëve e miratoi në parim Qeveria dje pasdite.

“Sigurisht që e kuptoj këtë brengë që është e të gjithë neve dhe Qeveria e Republikës së Kosovës është intensivisht duke e trajtuar këtë gjë”, tha Kurti.

Aprovimi në parim i Qeverisë për tarifat e reja nxiti reagime gjithandej. Në këtë rast, kryeministrit mund t’i jetë kujtuar ndonjë frazë nga koha kur ai bënte opozitë e kur e akuzonte ZRRE-në që nuk po e mbronte interesin qytetar.

Nga një tryezë më 28 prill 2015, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit konstatonte se ZRRE-ja atëherë po ia mbante konstabilitetin KEDS-it.

“Zyra e Rregullatorit deri tani është sjellë si zyrë kontabiliteti e kompanisë private KEDS/KESCO. Zyra e Rregullatorit do të duhej të mbronte interesin e qytetarëve duke mos i rritur çmimet”, thuhej në një reagim të LVV-së pas kësaj tryeze.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ia kujtoi Kurtit një premtim parazgjedhor në vitin 2019. Më 26 shtator të atij viti, Kurti kishte thënë se çmimi i rrymës do të ulej. Po kështu, ai kishte vërejtje edhe për rrymën e paguar për serbët në veri të Kosovës, të cilën thoshte se nuk do ta bënin kur të vinin në pushtet.

Kryeministri Kurti më 27 dhjetor tha se nuk ka zgjidhje të mirë në situatën aktuale të krizës energjetike në të cilën gjendet Kosova.

“Ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë”, pati shkruar Kurti në Facebook, pak ditë pasi në një seancë të Kuvendit ku po debatohej për këtë krizë, kishte thënë se rryma kushton lirë.

“Çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme, përderisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 centë për kilovat/orë. Pra, është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë dhe po shesim lirë energji elektrike dhe pa një afat të caktuar”, pati thënë Kurti.

Në prill të vitit 2015, LVV-ja ishte bërë bashkë me AAK-në e Nismën për ta thirrur një protestë në qendër të Prishtinës për ta kundërshtuar, mes tjerash, edhe çmimin e lartë të rrymës.

Mungesa e konsensusit për ta futur në rend të ditës atëherë një peticion të nënshkruar nga 35 mijë qytetarë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, e kishte bërë LVV-në, AAK-në e Nismën që të lëshonin mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe shefave të grupeve parlamentare.

Glauk Konjufca, atëherë deputet, kishte thënë se mospërfillja e peticionit të qytetarëve shpërfaqte mungesën e kujdesit ndaj mirëqenies dhe standardit të popullatës.

“Ajo e prek qytetarin e varfër të Kosovës i cili po përballet dita ditës me problemet më ekzistenciale të mundshme. Tash përveç halleve të shumta që i kemi, përveç ikjes masive të qytetarëve, përveç shtrenjtimit të mallrave të ndryshme, po duan t’ia shtojnë edhe një hall më shumë qytetarit të Kosovës e ky është shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike”, kishte thënë Konjufca më 14 prill 2015.

Për këtë çështje, rreth shtatë vjet më parë, LVV-ja akuzonte Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, KEDS-in e KESCO-n.