Liberalizimi i vizave

Procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave dhe premtimet e liderëve ndër vite

Një proces i stërzgjatur dhe me shumë kushtëzime për Kosovën ka marrë fund. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është futur në fuqi më 1 janar 2024. Për shumë vjet, qytetarët janë maltretuar nëpër ambasada me një mal dokumentesh, por edhe me premtimet boshe të udhëheqësve institucionalë

Viza e fundit nga ambasada gjermane për kosovarët u lëshua më 18 dhjetor 2023, duke shënuar kështu edhe fundin e izolimit nga ky shtet dhe të tjerët të zonës Schengen.

Për më shumë se një dekadë e gjysmë, kosovarët ishin të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtë lëvizjeje të lirshme.

Që nga vitit 2009 prejse Kosova ka nisur plotësimin e udhërrëfyesit, vizat janë bërë pjesë e përditshme e fjalorit të zyrtarëve shtetërorë e politikanëve, por edhe qytetarëve të vendit.

Me to, shpesh edhe është abuzuar nga politikanët për përfitime në zgjedhje.

Premtimet ndër vite ishin pa fund.

“Jemi të sigurt se në vitin 2016 qytetarët tanë do të udhëtojnë pa viza”, kishte thënë ish-kryeministri, Isa Mustafa më 23 nëntor të vitit 2015.

“Të nderuar qytetarë, urime liberalizimi i vizave”, kishte thënë ish-kryeministri Hashim Thaçi në vitin 2016.

“Liberalizimi ka ndodhë pardje…Ka ndodhë, ka ndodhë”, kishte deklaruar ish-kryeministri Ramush Haradinaj në mars të vitit 2018.

Në institucione pati edhe hapje të shampanjave, si festë për liberalizimin që nuk ndodhi deri tash, më 1 janar 2024.

Në realitet Kosova ishte larg përmbylljes së këtij procesi. Për pasojë, kosovarët shpesh zgjodhën edhe rrugë ilegale për të kapërcyer kufijtë e Evropës. E, në një rast, në vitin 2009 kjo u kthye edhe në tragjedi. Në lumin Tisa, humbën jetën 15 kosovarë gjatë përpjekjeve për të emigruar ilegalisht në vendet perëndimore.

Ndër kushtet kryesore për liberalizim ishte lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E më vonë, kusht kryesor u bë demarkacioni me Malin e Zi. Mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit EPIK, Demush Shasha, humbi mundësinë që liberalizimi të ndodhte më 2016.

“Pra, nga viti 2016 kur u humb ajo mundësi, në vend që të bëjmë që të jemi shembull në avancimin e sundimit të ligjit, ne kemi qenë ai nxënësi i keq i sundimit të ligjit. Prej çështjes pronto, veteranëve, sulmeve që i bëntë në atë kohë ish-kryeministri Haradinaj ndaj prokurorëve”, ka deklaruar Shasha.

Liberalizimi nuk ndodhi as pas 21 marsit 2018 kur Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin. Zyrtarët e BE-së ndërruan qëndrim. Sipas tyre, duhej dëshmi të forta edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

E, në vitin 2022 kur kosniderohej se të gjitha kushtet ishin plotësuar dhe që liberalizimi të bëhej, Franca, me mbështetjen edhe të disa shteteve të tjera, doli me një propozim të ri, duke e ndërlidhur atë me funksionalizimin e sistemit ETIAS, i cili nuk është as tash në funksion.

Si kompromis, u vendos që liberalizimi për Kosovën të ndodhë në momentin kur funksionalizohet ky sistem për informim dhe autorizim të udhëtimeve, por jo më larg se 1 janari 2024.

Hapi final për liberalizimin e vizave u ndërmor më 18 prill 2023, e dy javë më vonë u botua edhe në gazetën zyrtare.

Vetëm për tetë vjetët e fundit, kosovarët, bazuar në disa hulumtime, vlerësohet se kanë shpenzuar 118 milionë euro për marrjen e vizave./Koha.net