Politika e jashtme e Putinit, fokus kryesor destabilizimin

Politika e jashtme ruse është në fazën e pështjellimit të madh. Rusia po i përdor të gjitha mjetet në fuqi, për t’i mbajtur nën kontroll vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, duke i shndërruar në shtete satelit të Moskës. Problemet e Rusisë me Evropën nuk kanë të ndalur.

Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe vendosën sanksione kundër gjashtë zyrtarëve të lartë rusë, të një instituti kërkimor dhe një biznesmeni për shkak të helmimit që i ndodhi liderit të opozitës ruse. Si revansh ndaj kësaj, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kërcënon Evropën dhe premton të mos komunikojë më me ta.

Po ashtu një fazë e re e revolucionit në Kirgistan, ku presidenti Sooronbai Jeenbekov u largua për të shmangur gjakderdhjen, megjithatë përpjekjet e Moskës për ta ndihmuar atë, menjëherë pas vizitës së nënkryetarit të administratës presidenciale të Presidentit rus, Dmitry Kozak, dështuan dhe tashmë të gjithë pushtetin e merr kryeministri i ri, Sadyr Japarov.

Alexander Lukashenko, pavarësisht mbështetjes nga Moska, nuk ka arritur t’i shuajë protestat në Bjellorusi. Paradokset e politikës së jashtme të Rusisë dhe raportet me Evropën janë analizuar nga eksperti Vitaly Portnikov. Portnikov thotë se Rusia do t’i konsiderojë sanksionet e Evropës si të padrejta, siç ishte rasti me të gjitha sanksionet e tjera.

Ai thotë se marrëdhëniet e Rusisë me Evropën tani po ndërlikohen, për shkak të veprimeve të Moskës. Portnikov mendon se regjimi aktual i Rusisë do të shembet. “Padyshim do të shohim shembjen e regjimit aktual, me ose pa Putinin dhe riformatimin e shtetësisë ruse ose në një shtet të ri të civilizuar, ose në një zinxhir shtetesh që po formohen në territorin e Federatës moderne Ruse”.

“Unë mendoj se Perëndimi e kupton se Rusia nuk pushon së kërkuari kauza të reja për destabilizimin e vendeve për rreth, atu ku e ka ndikim më të madh. Por, ndikimi rus shkon deri në Ballkan, ku në Serbi udhëheq një mik i Putinit, që provon t’i mbaj marrëdhëniet e mira edhe me SHBA-të edhe me BE-në, siç është presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq. Pra, Rusia politikën e jashtme e ka të orientuar më shumë në prishjen e rendit të shteteve sesa në angazhimin për qetësi dhe stabilitet. Putini jeton me idenë se vendet që e rrethojnë duhet të jenë jo stabile”, thotë Portnikov.

Portnikov mendon se me ardhjen e Joe Biden në krye të Shtëpisë së Bardhe, politika e jashtme destabilizuese e Putinit do të frenohet. “Biden e ka vendosur për sekretar të shtetit një njeri me përvojë të gjatë në politikën e jashtme. Ky është mesazhi fillestar për Putinin, që duhet të ndalet në përpjekjet e tij për ta shtrirë ndikim në vendet për rreth dhe ato të Ballkanit”, thotë ai.