Plaku i Përpellacit dhe Kosova e Shqipëria me mendësinë e serbit!

Shumëkush është irrituar nga lajmi se Franca është kundër hapjes së negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Reagimet negative vinin nga analistët e huaj, e sidomos nga ata të Shqipërisë. Nga këta të fundit ndër të tjera u tha se vetoja e presidentit francez, Emmanuel Macron, u bë për të mbrojtur interesat personale kundrejt kundërshtarëve të tij politikë. Pra, arsye tjetër nuk kishte, sepse Shqipëria ka bërë shumë hapa para, porse ra kurban. Nuk mungonin as paralelet me Bullgarinë apo me Rumaninë, të cilave për integrim në BE gjoja u ishin vënë kushte më të lehta dhe se kur u integruan më 2005, ishin në gjendje shumë më të keqe se që është sot Shqipëria. Pra, ishin “kot”. Kështu u krijua një aversion histerik ndaj Francës, e pastaj edhe ndaj Holandës dhe Danimarkës, që për integrim kishin, po ashtu, qëndrim negativ ndaj Shqipërisë.

Ndërkohë, sot nga Ministria e Integrimeve e Kosovës u tha se heqjen e vizave po e vonon Franca e Holanda. Për këtë lajm prapë do të ketë interpretime e krahasime sesi shtetet “kot” si Ukraina, Gjeorgjia e Moldavia fituan liberalizimin e jo Kosova, që ka plotësuar shumë e më shumë kushte.

Por, profesori i Ndërmarrësisë në RIT Kosovo, Fadil Sahiti, me të drejtë ka qëndrim tjetër. Për rastin e Shqipërisë ka thënë se ato shtete refuzuese janë tamam mike, meqë kanë synuar t’ua bëjnë me dije qytetarëve shqiptarë se çfarë shteti është Shqipëria, gjë që u pa edhe nga Raporti evropian për tregun e drogës që tregon se Shqipëria shquhet veç si prodhuese kryesore e kanabisit. E njëjta duhet të vlejë edhe për Kosovën. Se çfarë shteti është Kosova, po shihet me raportet e mediave se sa pa turp e pa pikë gjynahu është keqpërdorur – nga Qeveria në largim – buxheti që vilet nga taksapaguesit e varfër.

Pra, nga këto refuzime qytetarët në Kosovë e në Shqipëri duhet të vetëdijesohen e të kuptojnë tamam se çka është shteti kot e të mësojnë nga shtetet “kot” si Ukraina ku politikanët e këqij, qytetarët i hedhin në kosh të plehrave; të shohin sesi duken kryeqytetet e këtyre shteteve “kot” e ta ballafaqojnë pamjen e tyre me kaosin mendor që pasqyrohet te kaosi urban në Prishtinë e në Tiranë; dhe, të vetëdijesohen e ta ndryshojnë këtë realitet për të mos lejuar më kurrë që të vijnë në pushtet matrapazët, të cilët me dekada e rropën popullin. Pra, duhet të ballafaqohen me të vërtetën, ndryshe do të mbesin model për Eksperimentin e Milgramit – konformistë si nazisti famëkeq Adolf Eichmann, që në gjykimin e tij në Izrael u mbrojt me fjalët se u është bindur urdhrave pa u menduar dhe se ka bërë veç atë që i është thënë të bëjë.

“Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi e bardhë dhe të zezës – e zezë”, ka kërkuar qëmoti intelektuali Mit’hat Frashëri. Por, shqiptarët nuk po dëshmojnë se janë të gatshëm të ballafaqohen me të vërtetën e tashme, e madje as me atë që ndodhi në të kaluarën. Kjo shihet me diskursin në Kosovë, ku p.sh. fjalët patriot e UDB-ash janë devalvuar duke u përmendur vend e pavend. Sot madje je “in” nëse cilësohesh UDB-ash (bashkëpunëtor i shërbimit famëkeq jugosllav që në raport me shqiptarët vepronte vetëm sipas interesave të Serbisë). Ndaj, devijohet çdo debat, humb kuptimi i së mirës, nuk këmbëngulet as për veting e as për lustrim, dhe… kërcënohet autori i dokumentarit “Rrëfime për Kosovën”, Fatmir Lama, që veçse shpaloste fakte dhe dokumente për të ligat që kanë bërë bashkëpunëtorët e Serbisë.

Këtë e dëshmon më mirë rasti i shkrimtarit dhe përkthyesit Agron Tufa, një intelektual i rrallë në Shqipëri, i cili ishte drejtor ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, e që ditëve të fundit u detyrua të kërkonte azil politik në Zvicër. Ndër të tjera, Tufa kishte publikuar një dokument sipas të cilit Spartak Braho, deputet i Partisë Socialiste, si gjyqtar i Kolegjit Ushtarak të Partisë së Punës së Shqipërisë kishte dhënë edhe dënime me vdekje. Ai e tha të vërtetën, por njerëzit e sojit të Brahos, që kishin persekutuar dikur prindërit e tij, i rrezikojnë sot trashëgimtarët e tij. Braho, madje, kërcënon sërish, duke thënë: “Unë i pari, por edhe të tjerë mendoj se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet…”! E, populli hesht, e vërteta mbetet tabu, ndërsa e keqja e gënjeshtra shndërrohet në cikël të pandalshëm.

Për fund, vlen ta përcjell një rrëfim që e kam dëgjuar nga farmacisti dhe intelektuali tashmë i ndjerë, Adnan Mustafa. Në momentet e para të çlirimit të Kosovës, në Përpellac të Podujevës pranë kufirit me Serbinë, rrinte i mërzitur një plak. Ajo pamje e habit një oficer anglez të KFOR-it, i cili i kërkon përkthyesit t’i tregojë atij se forcat serbe janë larguar, ndaj nuk ka arsye të ketë frikë e as të jetë i mërzitur. “E di”, i përgjigjet plaku. “Serbët ikën, por jam i mërzitur kur e di që mendësia e tyre ka mbetur këtu”.

Prandaj, populli shqiptar, në Kosovë e në Shqipëri, nuk po e pëson nga Franca, Holanda, Danimarka apo Finlanda. Por, nga të tijtë: nga njeti i keq e nga mendja që nuk mendon si shqiptar.