Kosovë-SHBA

Petritsch: Raportet Kosovë-SHBA janë të tensionuara, Washingtoni ka humbur durimin

Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, i ka vlerësuar si të dëmtuara raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka thënë se Washingtonit zyrtar ka filluar t’i humbasë durimi dhe duan të shohin rezultate.

Petritsch krejt këto i ka thënë në një intervistë dhënë për Radio Kosovën.

“Aktualisht ka raporte relativisht të tensionuara mes Uashingtonit dhe Prishtinës, pasi Uashingtoni ka filluar të humbë durimin. Kanë kalua 25 vite nga ndërhyrja ushtarake dhe Kosova është i vetmi vend në botë, që u shpëtua përmes ndërhyrjes ushtarake”, ka thënë ai.

“Kosova është absolutisht një përjashtim në historinë e re të Evropës. Nuk po më kujtohet as një rast tjetër kur një shtet si në rastin e Kosovës është krijuar nga bashkësia ndërkombëtare përmes ndërhyrjes politike dhe ushtarake”.

“Shtetet e Bashkuar, pra Uashingtoni, po thotë se për këtë vend kanë bërë shumë. Janë angazhuar aq shumë për lirinë e popullit të Kosovës dhe tani duan të shohin, thënë ashtu, zgjidhje kompromisi për disa çështje, që mbase mund të jenë të dhimbshme në një mënyrë për Prishtinën, por janë të domosdoshme”.

“Një gjë duhet të dihet: është mënyra amerikane e të menduarit dhe të vepruarit, që edhe unë e mbështes, kur e thonë edhe në Bruksel: “Duam ta përmbyllim, ti japim fund këtij konflikti midis Kosovës dhe Serbisë, që po zgjat që 25 vite. E dimë se është shumë e dhimbshme për Beogradin, sepse ajo është pala që ka humbur luftën. E në anën tjetër është e vështirë edhe për Prishtinën, por kjo duhet të bëhet, sepse nuk mund të vazhdojë edhe më, që mu në mes të Evropës të ballafaqohemi me një konflikt edhe për më shumë se një çerek shekulli. Jemi të detyruar të merremi me luftën në Ukrainë, duhet të merremi me konfliktin që ka shpërthyer në Lindjen e Afërt dhe nuk duam të kemi mu në mes të Evropës një konflikt të papërfunduar””, shtoi tutje diplomati austriak.

“Siç e dini, SHBA-ja ka edhe shumë probleme të brendshme. Mendoj se është në interesin e Kosovës që ta mendojë këtë çështje, pasi ende nuk e dimë se kush do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA në muajin nëntor.

Nëse do të ketë një rikthim të Trumpit, atëherë kjo të kishte një ndikim shumë të madh për situatën e sigurisë si në Evropë ashtu edhe në Ukrainë, por me gjasë edhe në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, unë mendoj se sa më shumë përparim të bëhet tani në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, aq më mirë do të jetë. Sepse, siç e dini, në kohën e Presidenti Trump ka pasur një dozë të caktuar të politikës antikosovare, siç ka qenë rasti me Grenell dhe ai nuk do të tregonte shumë interesim për Kosovën”.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme, që Prishtina zyrtare të hapet ndaj serbëve sepse unë e di që ka shumë serbë, më shumë në jug, që duan të jetojnë në harmoni së bashku me shqiptarët. Prandaj, këto forca pozitive serbe, që tani janë nën presionin e madh të Beogradit, duhet të mbështetën, të përkrahen, që ata të shohin dhe binden se Kosova është një shtet që është këtu edhe për serbët”, përfundon ai.