Përkujtim Zëdhënësit të Qeverisë: Kosova importoi mallra nga Serbia mbi 62 milionë euro për tre muaj gjatë këtij viti

Republika e Kosovës vazhdon të varet ende nga importi i madh prej vendeve të huaja.

Këtë e dëshmon edhe vlera vjetore e importit, duke marrë parasysh se vetëm gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar mbi 3 miliardë euro mallra, shkruan lajmi.net.

Në anën tjetër, vetëm në katër muajt e parë të vitit 2022, Kosova ka importuar mbi 900 milionë euro mallra nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe ato të rajonit.

Vendin e parë sa i përket importit gjatë vitit 2021 dhe 2022 e mbajnë “lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e destilimit të tyre, substancat bituminoze dhe dyllet minerale”.

Gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar më së shumti mallra nga Gjermania, në vlerë prej rreth 517 milionë euro, duke u pasuar më pas nga Turqia prej së cilës, Kosova ka importuar mbi 410 milionë euro mallra.

Në një përgjigje nga Dogana e Kosovës për lajmi.net, është bërë e ditur se Kosova gjatë vitit 2021 ka importuar nga Serbia mallra me vlerë 164 milionë e 699 mijë e 878.49 euro, duke e radhitur kështu shtetin fqinj në vendin e tetë në listën e vendeve nga ku Kosova ka importuar më së shumti mallra.

Për tre muajt e parë të këtij viti Serbia futi në Kosovë mall në vlerë prej 62 milionë e 383 mijë euro, duke lenë kështu larg vendet tjera të CEFTA-së, me gjithë se Shqipëria po vazhdon ta ndjekë nga pas. Vlera e mallit që u fut në Kosovë nga Shqipëria ka qenë 51 milionë e 901 mijë euro, nga Maqedonia e V, 39 milionë euro, nga Mali Zi, pak mbi 2 milionë euro.

Pas një rënie të fortë në vitin 2019, kur Kosova zbatoi reciprocitetin me Serbinë që solli pothuajse bllokimin e importeve, në periudhën janar-qershor 2021, fqinji verior gjeti përsëri teren edhe nën qeverinë e Albin Kurtit, dhe kaloi sërish në vend të parë nga rajoni i CEFTA-s, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi më Serbinë nga 1 Janari deri më 31 dhjetor 2021 ka qenë 243 milionë e 466 mijë euro. Shqipëria ka qenë pak më poshtë më shifra, në vlerë prej 238 milionë e 600 mijë euro. Blerjet e mallrave nga Maqedonia e Veriut 176 milionë e 448 mijë euro.

Raportimet për import nga Serbia duket se i kanë penguar zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziut, i cili me anë të një postimi në ‘Facebook’-un e tij orientoi mediat se nga cili vit duhet të matet importi nga shteti fqinj.

“Një javë i krahasojnë importet nga Serbia me vitin 2020 kur kishte masa të theksuara kufizimesh sa që shkaku i pandemisë edhe kufinjtë u patën mbyllë. E kur nuk u duket e mjaftueshme, i krahasojnë me vitin 2019 kur ishte vendosur tarifa 100%. Atë vit, së paku zyrtarisht importi kishte rënie, por raftet e marketeve vazhdonin të ishin të mbushura me mallra serbe, meqë çka më parë futej zyrtarisht, kishte filluar të hynte si kontrabandë. Por, assesi nuk i sheh tek bëjnë krahasime me vitet 2017 apo 2018, vite normale të shkëmbimeve tregtare”, deklaroi ndër të tjera ai.

Kujtojmë se shefi i Kryeziut, kryeministri Kurti, pati premtuar reciprocitet ndaj Serbisë në ditët e para të qeverisjes së tij. Ai kishte thënë se “është çështje ditësh, kurrsesi javësh apo muajsh”. Mirëpo, kanë kaluar më shumë se një vit që prej ardhjes së kryeministrit Kurti në pushtet dhe ky i fundit ende nuk ka ekzekutuar premtimin e tij.