Dahlia Scheindlin

Për dallim nga Netanyahu, ne izraelitët nuk i duam luftërat

Nga: Dahlia Scheindlin / The Guardian (Titulli origjinal: Netanyahu faces tough questions on Iran – because we Israelis don’t need any more forever wars)

Të dielën në mëngjes, izraelitët u zgjuan me një ndjenjë të ndrojtur për qetësinë kolektive. Për herë të parë deri tash, Irani e sulmoi drejtpërdrejt Izraelin, duke lëshuar një breshëri prej më shumë se 300 dronëve dhe raketave të ndryshme – me synimin për të rënë në Izrael. Në vend të kësaj, Izraeli dhe një koalicion i aleatëve të tij shkatërruan 99 përqind të kërcënimeve – sipas autoriteteve izraelite – kryesisht para se të arrinin në territorin izraelit. Ato që mbërritën shkaktuan dëme të kufizuara.

Shumë izraelitë menduan se vendi shmangu plumbin fatal. Por, anëtarët e qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, duan të kundërpërgjigjen, gjë që do të shtonte një front më shumë në luftën tashmë të tepruar dhe të rrezikshme. Ultra-nacionalistët në kabinetin e Netanyahut, këmbëngulin se e vetmja mënyrë për të shkaktuar frikë dhe admirim në Lindjen e Mesme, është “tërbimi” – sipas fjalëve të Itamar Ben-Gvirit, ekstremistit i cili për ironi mban postin e ministrit të Sigurisë Kombëtare. Atij i bashkohet një grup i burrave fanatikë të cilët e drejtojnë qeverinë dhe të cilët po u bien daulleve të luftës.

Por, si mund të bëhet mirë për shtetin e Izraelit i cili u themelua si strehë e sigurt për hebrenjtë (dhe për të gjithë qytetarët, sipas këndvështrimit demokratik), për të jetuar të sigurt dhe për të përparuar? Përshkallëzimi me Iranin përfshin të gjitha palët në një vorbull të luftës në shkallë të plotë. Do të ishte gjithashtu e paprecedentë, meqë të dy vendet nuk kanë qenë kurrë në luftë të drejtpërdrejt dhe të hapur. Lufta e tillë do të tërhiqte shumë vende të tjera të Lindjes së Mesme, por edhe superfuqitë. Lufta e gjithanshme midis dy akterëve më të armatosur në Lindjen e Mesme, për dikë mund të jetë përkufizim i sigurinë kombëtare, por jo për mua si qytetare izraelite.

Sulmi dramatik i së shtunës mbrëma, gjithashtu tërhoqi vëmendjen nga përshkallëzimi i tmerrshëm i së premtes në Bregun Perëndimor. Një djalosh 14-vjeçar, hebre i Izraelit i cili u nis nga një pikë kontrolli e quajtur Engjëjt e Paqes – edhe pse nuk është krijuar pika e tillë për të sjell paqen (në fakt është projekt politik për të zgjeruar kontrollin izraelit në Bregun Perëndimor) – u vra nga palestinezët. Para se të dihej fati i tij, kolonët u tërbuan në një qytet të afërt palestinez, në një dhunë kolektive të ngjashme me pogromin – duke vrarë një person dhe duke djegur pronat. Megjithatë, në mënyrë të pakonceptueshme ky incident ndihet si normalitet i ri pas ngjarjeve të ngjashme të para më shumë se një viti. Bregu Perëndimor është në një situatë katastrofike, me palestinezët të cilët jetojnë nën izolim virtual në gjashtë muajt e fundit, me humbjen e gjerë të vendeve të punës qëkur Izraeli i anuloi lejet e tyre e punës dhe qëkur i kufizoi kalimet, si dhe me dhunën në rritje të kolonëve të mbështetur nga ushtria që ushqen tërbimin.

Në Gazë, javën e kaluar vëmendja u kthye te tërheqja e një divizioni të komandove të Izraelit, por mos u mashtroni. Lufta nuk ka mbaruar dhe nuk do të përfundojë për aq kohë sa Izraeli nuk ka as plane dhe as synime për t’ia dhënë fundin. Katastrofa humanitare në Gazë, vërtet nuk do të përfundojë, dhe dhjetëra mijëra izraelitë të zhvendosur nga jugu ende nuk mund të kthehen në shtëpi. Netanyahu dhe partnerët e tij të koalicionit nga Partia Fetare Sioniste dhe nga Fuqia Hebraike, rezistojnë ndaj çdo plani që guxon të marrë në konsideratë armëpushimin, duke rrezikuar për çdo ditë jetën e pengjeve izraelite.

Kufiri verior nuk është aspak i qetë; 80 mijë të evakuuarit izraelitë nuk mund të kthehen as atje në shtëpi. Përshkallëzimi me Iranin parashikon përkeqësim të pasigurisë së vazhdueshme midis Izraelit dhe Hezbollahut. Anëtarët e qeverisë së Izraelit e kanë mbrojtur përshkallëzimin në veri, që në ditët e para të luftës me Hamasin; shumica e publikut izraelit e mbështet këtë, dhe disa thonë se sulmi i Iranit këtë e bën edhe më urgjente. Çdo gjë më pak paraqet dobësi, thonë ata.

Ajo që është tmerrësisht ironike në lidhje me realitetin e luftës kudo, është se sa keq politikat e Netanyahut i kanë shkelur qëllimet e tij të vlefshme. Dështimi i tij spektakolar në lidhje me Iranin – pasi e shtyu ShBA-në që të largohet nga marrëveshja e vitit 2015, për të kufizuar pasurimin bërthamor të Iranit – tani është më i qartë: Irani është më shumë se kurrë afër armëve bërthamore. Netanyahu mburrej se ai ishte Z. Sigurimi dhe se do ta hiqte çështjen palestineze nga agjendat kombëtare ose ndërkombëtare, ndërkohë që 1 200 izraelitë u masakruan në një ditë të tetorit. Ai e mbështet integrimin e Izraelit në Lindjen e Mesme, projekt tashmë i tensionuar ose në rastin më të mirë i ngadalësuar.

Duke parë përtej Netanyahut, ky është dështim i ëndrrave të themeluesve të Izraelit dhe brezave të Izraelit. Nëse dikush e mbështet apo e urren sionizmin, duhet të ketë parasysh qëllimet e tij: streha e sigurt për popullin hebraik (për një vend demokratik kjo do të thotë shoqëri e sigurt për të gjithë). Një vend për popullin hebraik – dhe të gjithë – për të përmbushur potencialin e tyre duke jetuar në siguri. Harrojeni përrallën “dritë për kombet”; në shumë mënyra, sionizmi shpresonte se populli hebraik do të bëhej i barabartë me të tjerët, jo më i mirë apo më i keq. Në këtë mënyrë, ishte lëvizje e jashtëzakonshme dhe e zgjedhur, ndërsa pjesërisht synonte të jetë e ndërmjetme.

Në vend të kësaj, Izraeli po bën karrierë drejt statusit të përdhosjes. Izraelitët po struken në strehimore, të detyruar që të ikin nga tokat e veta sovrane, të ndrydhur në kufijtë e tkurrur brenda vendit të tyre. Aleatët luajalë janë mbërthyer nga Izraeli gjatë sulmit të drejtpërdrejtë nga Irani – nga shteti në shtet, të shtunën mbrëma – por, lufta e Izraelit në Gazë, pas gati gjashtë dekadave të pushtimit, ka humbur një pjesë të madhe të mbështetjes në Lindjen e Mesme dhe në Perëndim. Në vendet demokratike ku njerëzit votojnë lirshëm, në të ardhmen i zgjedhin liderët që janë shumë më pak të sjellshëm me Izraelin.

Sigurisht, Izraeli ka armiq të vërtetë, ndonjëherë të paepur, dhe jo gjithçka mund t’i fajësohet okupimit apo edhe Nakbas (shkatërrimi i shoqërisë palestineze nga viti 1947 e deri më 1949); Hamasi dhe fraksionet e tjera militante islamike e kanë të qartë se nuk do të jenë të kënaqur derisa Izraeli nuk zhduket në çfarëdo forme. Kohët e fundit, as Irani nuk e ka shtrirë dorën e paqes.

Por, është e pamundur të shihet se si përshkallëzimi i luftërave të përhershme, në fronte të shumta, mund të zvogëlojë ndonjë nga këto kërcënime. Shumë shpesh, Izraeli i drejtohet forcës si i pari dhe i fundit; një thënie popullore thotë se “diçka që nuk funksionon përmes forcës, funksionon me më shumë forcë”. Kjo e injoron suksesin e jashtëzakonshëm dhe të qëndrueshëm të paqes – paqen e plotë, fundin e konfliktit, si me Jordaninë ashtu dhe Egjiptin.

Të shtunën mbrëma, Jordania u çua në këmbë për të ndihmuar në rrëzimin e raketave iraniane – me goxha rrezik; izraelitët tani bëjnë shaka duke thënë se foshnjat e porsalindura do t’i quajnë “Jordan”. Do të bënin më mirë të kujtonin fuqinë e vështirë të paqes, përpara se luftërat e pafundme të shkatërrojnë gjithçka që ka mbetur. /Telegrafi/