Pekini po lulëzon, Washingtoni në kaos

Shenjat e para tregojnë se do të jetë një viti i mbarë për Pekinin, nis shkrimin televizionin CNN, në analizën krahasuese për zhvillimet politike të ditëve të fundit në dy ekonomitë më të mëdha të botës.

“Dhe derisa pjesa tjetër e botës po vazhdon të përballet me telashe me pandeminë e koronavirusit, Kina – ku për muaj me radhë shkalla e infektimeve ka qenë minimale – po çan përpara duke ringjallur ekonominë e vet dhe jetësuar qëllimet e saj gjeopolitike afatgjata”, shkruan televizioni amerikan në shkrimin “Kina po lulëzon në kaosin e transicionit presidencial amerikan”.

Dhe aty thuhet se një prej gjërave që e kanë mundësuar këtë ndryshim të Kinës pas një viti pandemie është kaosi i vazhdueshëm i transicionit presidencial në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Derisa vonesa e zgjatur ndërmjet zgjedhjeve dhe inaugurimit gjithnjë krijon një shkallë hutie lidhur me politikën dhe mundësinë për mungesë rendi, refuzimi i zemërueshëm i presidentit Donald Trump dhe republikanëve të tjerë për t’i pranuar rezultatet e ka përshkallëzuar këtë deri në fund”.

Dhe krejt këto janë thelluar edhe më shumë prej zhvillimeve të së mërkurës mbrëma në kryeqytetin amerikan, kur protestuesit e zemëruar, përkrahës të zjarrtë të Trumpit, mësynë ndërtesat e Kongresit amerikan në kohën kur senatorët po certifikonin zgjedhjen e Bidenit president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës bazuar në rezultatin e 3 nëntorit. Derisa në Shtetet e Bashkuara po flitet për “përpjekjen për grusht-shtet” dhe “terrorizmin” si tema qendrore, me gjasë Amerika nuk do të ketë shumë kohë e mundësi ta hedhë shikimin përqendrueshëm matanë kufijve të saj dhe tejdeteve.

“Në ditët e fundit, Pekini ka arritur një marrëveshje të rëndësishme investimi me Bashkimin Evropian, që mund të minojë aftësinë e Washingtonit që të merret me Kinën, dhe ka lansuar një fushatë të madhe represive në Hong-Kong, me dhjetëra aktivistë e deputetë të arrestuar në përndjekjen e madhe që kërcënon të heqë qafe krejt opozitën demokratike në këtë qytet”, vlerëson CNN.

Veprimet e fundit në Amerikë po merren nga Pekini si shenjë e një epërsie në kohën kur në kryeqytetin e SHBA-së po mbisundon kaosi politik. Këshilltarët e Joe Bidenit u bënë thirrje liderëve të Bashkimit Evropian që të prisnin derisa t’i merrte frerët e pushtetit administrata e re.

“Dhe derisa SHBA-ja mund të mos ketë qenë e zonja që ta ndalë as zhvillimin edhe në kohë më të mira, fakti se një superfuqi duket se është mbimanovruar do të gëzojë shumë prej kritikëve të Washingtonit në Pekin dhe gjetiu, që gjithnjë kanë ndier bërryla amerikanë në skenën ndërkombëtare”.