Pas 23 vjetësh| Instituti për Krime Lufte pritet të bëhet me Ligj – si do të veprojë?

Saktësisht 23 vjet pas luftës, Kosova po synon që për herë të parë, ta themelojë me ligj një Institut për kryerjen e krimeve gjatë luftës së fundit. Instituti për Krime të Luftës kishte qenë funksional nga vitit 2011 deri më 2018 por pa ligj. Ai ishte shuar në kohën e qeverisjes Haradinaj, me arsyetimin se nuk i kishte përmbushur objektivat, duke u kthyer si departament për drejtësi trancizionale në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Së fundmi, Ministria e Drejtësisë e kryesuar nga Albulena Haxhiu e ka publikuar për konsultime Ligjin për Institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky ligj do të zbatohet për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.

Nëse miratohet në Kuvendin e Kosovës, ky Ligj pritet të ketë disa kompetenca në grumbullimin dhe ruajtjen e fakteve të krimeve të luftës, raporton gazeta Nacionale.

Kompetencat:

Dokumenton krimet e kryera gjatë luftës nga aspekti historik, ushtarak,  ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, psikologjik, mjeko-ligjor dhe sociologjik dhe aspektet tjera me rëndësi për shqyrtimin e këtyre ngjarjeve;

Dokumenton krimet e kryera gjatë luftës duke siguruar të dhëna të sakta të humbjeve në njerëz, dëmeve fizike dhe emocionale, dëmeve ekonomike, pronës kulturore, dhe pasojat e tjera të shkaktuara nga krimet e kryera gjatë luftës;

Dokumenton  rrethanat në të cilat janë kryer krimet gjatë luftës duke bërë grumbullimin, verifikimin, sistemimin dhe ruajtjen e të dhënave, si dhe siguron qasjen publike për viktimat  dhe palët e interesuara në pajtim me legjislacionin në fuqi;

Grumbullon, përpunon, klasifikon dhe krijon fondin arkivor;

Krijon, menaxhon dhe mirëmban  bazën e të dhënave dhe të shënimeve të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe mundëson shfrytëzimin e tyre nga institucionet dhe palët e tjera të interesuara, në pajtim me legjislacionin në fuqi;

Kompetencë tjetër për Institutin do të jetë edhe identifikimi i viktimave, përgjegjësve të krimeve, vendi dhe koha e kryerjes së një krimi të luftës, organizon kampanja vetëdijësuese, organizon punë në terren, diskutime me dëshmitarë të luftës, me persona që kanë prova për krimet e ndryshme etj.

Instituti për Krime të Luftës do ta kishte një drejtor i cili do të menaxhonte burimet njerëzore brenda Institutit, do të hartonte raporte etj.

Ky Institut obligim kryesor do ta kishte edhe bashkëpunimin me institucione e organizata brenda e jashtë vendit, në mënyrë që të sigurojë sa më shumë të dhëna e fakte për krimet e luftës në Kosovë.

“Instituti bashkëpunon me institucionet me fushëveprim të ngjashëm, organet e drejtësisë, organizatat qeveritare dhe joqeveritare vendore e ndërkombëtare, personat juridik dhe fizik brenda dhe jashtë Kosovës, në mbledhjen e të dhënave për arritjen e qëllimeve të Institutit”, thuhet në draft-ligj.

Përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave:

Instituti mundëson qasje në të dhënat publike për profesionistët dhe të interesuar të tjerë, duke respektuar kornizën ligjore për mbrojtjen të dhënave personale apo të dhënave të tjera të ndjeshme.

Përpunimi, ruajtja dhe qasja në të dhënat personale nga Instituti do të bëhet në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave.

Të dhënat e mbledhura, qoftë ato grupore apo individuale, janë anonime për palën e tretë dhe përdoren vetëm për qëllime të përcaktuara me këtë Ligj. Kushdo që shfrytëzon të dhënat e grumbulluara gjatë procesit të dokumentimit është i obliguar të ruaj fshehtësinë profesionale në bazë të legjislacionit në fuqi për mbrojtën e të dhënave personale.

Ministria nxjerr akt nënligjor me anë të të cilit përcakton procedurat dhe masat për sigurinë e të dhënave personale apo të dhënave të tjera të ndjeshme.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar që të gjithë ata që kanë  fakte të ndryshme për krimet e luftës, t’i përcjellin ato në adresë të ministrisë.

“Ministria e Drejtësisë ka përgatitur Projektligjin që ka për qëllim themelimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e kompetencave të Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.  Secili qytetar i Kosovës mund të kontribuojë përmes komenteve, përgjatë afatit të konsultimeve publike, i cili do të jetë i hapur deri më 20 qershor 2022.  Duke pasur parasysh rëndësinë e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës, i ftoj të gjithë të interesuarit t’i adresojnë komentet e tyre, të cilat janë të vlefshme për të formësuar sa më mirë këtë Projektligj i cili po hartohet për herë të parë nga ekzekutivi”, ka shkruar Haxhiu.

Edhe përgjatë kohës që ky Institut ka vepruar në të kaluarën, ka pasur probleme me financa, për çka qeveria aktuale është zotuar se do ta rregullojë këtë çështje.

Instituti për Krime të Luftës është vlerësuar një nga mekanizmat kryesorë për qeverinë Kurti II në lidhje me padinë për gjenocid ndaj Serbisë, të cilën e ka premtuar vazhdimisht./Nacionale