Veri

Nis votimi për ose kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat në veri

Janë hapur qendrat ku do të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të Kosovës.

Sipas udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, të miratuar në shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në Komunën e Leposaviqit peticionin për nisjen e procedurave për largimin e kryetarit të komunës e kanë nënshkruar 3 mijë e 30 persona. Prej tyre, 2 mijë e 905 është verifikuar se u përkasin banorëve të kësaj komune me të drejtë.

Me këtë shifër është plotësuar kërkesa prej 20 për qind, pasi kërkohej që të mblidheshin nënshkrimet e së paku 2 mijë e 689 personave. Në Zubin Potok, nga 1 mijë e 576 nënshkrime, 1 mijë e 380 janë vërtetuar se u përkasin qytetarëve me të drejtë vote. Nga numri i përgjithshëm i votuesve, që peticioni të konsiderohej i vlefshëm në këtë komunë kërkoheshin që të mblidheshin së paku 1 mijë e 347 nënshkrime.

Ndërkohë, sa i përket peticionit në Zveçan, sipas KQZ-së, ai u nënshkrua nga 1 mijë e 834 persona dhe nga ky numër 1 mijë e 380 u vërtetuan se u përkisnin qytetarëve që kanë të drejtë vote në Zveçan. Që peticioni të kalonte, në këtë komunë kërkohej të mblidheshin së paku 1 mijë 347.

Ndërkaq, në Mitrovicë të Veriut u mblodhën 4 mijë 148 nënshkrime prej të cilave 3 mijë e 653 u përkisnin banorëve me të drejtë vote. Në këtë komunë kërkoheshin së paku 3 mijë e 640 nënshkrime në mënyrë që peticioni të konsiderohej i vlefshëm.
Mbledhja e nënshkrimeve në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, u bë janarin e këtij viti. Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet, të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00.

Zgjedhjet e fundit lokale, në prill të vitit 2023, u mbajtën në kontejnerë, për shkak se drejtorët e institucioneve arsimore nuk dhanë leje që qendrat e votimit të hapeshin në ambientet e tyre – gjë që ishte praktikë më herët. Institucionet arsimore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë punojnë nën sistemin serb.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha më 18 prill se policia apo Ministria e Brendshme janë të gatshme t’i ndihmojnë KQZ-së për të organizuar një votim të mirë dhe paqësor.

Ndërkaq, “Lista Serbe”, partia më e madhe e serbëve të Kosovës – ka njoftuar javë më parë se nuk do të marrë pjesë në një votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar sot për 21 prill.

“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën e 31 marsit në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut.

Ai tha se janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

Theksojmë, se peticioni për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri u iniciua në bazë të një udhëzimi administrativ, të cilin Qeveria e Kosovës e përgatiti në shtator të vitit të kaluar, pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Peticioni ishte nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet e prillit të vitit 2023.
Kjo parti kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar.

Mirëpo, në mesin e tetorit të vitit 2023, ajo deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.