Vala

VALA s’ka valë, nga Telekomi flasin për Ballkani.info

Qytetarë të shumtë të Kosovës janë duke u përballur me probleme dhe vështirësi në qasje në shërbimet e VALA-s. Ata janë ankuar në rrjete sociale për probleme me thirrje, internet e dërgimin e SMS-ve.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Telekomit, Fadil Lepaja ka sqaruar për Ballkani.info se të mërkurën mbrëma Telekomi i Kosovës ka filluar migrimin e platformave të reja dhe në të njëjtën kohë implementimin e kodit shtetëror mobil.

Sipas tij, si rezultat i këtij migrimi dhe ndryshimit të kodit të Monacos me të Kosovës, nevojitet rikyçja e telefonave në rrjet dhe fluksi tepër i madh i rikyçjeve me kod të ri ka shkaktuar ngarkesë në rrjet, me këtë rast disa konsumatorë kanë mbete të palokalizuar.

Ai ka lutur konsumatorët për durim.

“Mbrëmë TK ka filluar migrimin e platformave të reja dhe në të njëjtën kohë implementimin e kodit shtetëror mobil. Është përfunduar migrimi i Databazës se Konsumatorëve mobil. Ditëve në vijim do të vazhdohet me platformat e tjera të teknologjisë së fundit. Si rezultat i këtij migrimi dhe ndryshimit të kodit të Monacos me të Kosovës, nevojitet rikyçja e telefonave në rrjet. Fluksi tepër i madh i rikyçjeve me kod te ri ka shkaktuar ngarkesë në rrjet, me këtë rast disa konsumatorë kanë mbetur të pa lokalizuar. Lusim konsumatorët për pak durim dhe mirëkuptim, pasi për shkak të ngarkesës momentale, operatorët tonë në Qendrën e Thirrjeve dhe rrjete sociale ndoshta nuk do të mund tu përgjigjen menjëherë, si ndodhë zakonisht!”, ka thënë Lepaja për Ballkani.info.