Ndërhyrja arbitrare e Qeverisë në gjyqësor − NPB ka fituar rastin

Pavarësisht vendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit për projektin e ndërtimit të objektit shumëkatësh në Lakrishtë, Lëvizja Vetëvendosje, Qeveria dhe personalisht kryeministri Albin Kurti po ndërhyjnë për ta detyruar gjykatën të vendos ndryshe nga vendimet e para.

Në muajin prill Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë Ndërmarrjes Publike Banesore kundër padisë së Qeverisë së Kosovës, për projektin e ndërtimit të një objekti shumëkatësh.

Kurse, në muajin shkurt, edhe Gjykata Themelore në Prishtinë e rrëzoi padinë e Qeverisë së Kosovës kundër Ndërmarrjes Publike Banesore për të njëjtën çështje.

Mirëpo, pavarësisht këtyre dy vendimeve kryeministri Kurti dhe paria që ai udhëheq nuk kanë ndalur sulmet ndaj NPB-së.

Partia në pushtet në fillim gushtin e këtij viti kishte dorëzuar padi ndaj NPB-së pikërisht për këtë objekt, kurse dje kryeministri Albin Kurti, duke iu referuar kësaj çështjeje, tentoi të shpjegonte siç e quante ai “kuptimin e urgjencës” për Themeloren.

Teksa ka përmendur vendimin e gjykatës për ankesën e PDK-së për tarifat e energjisë elektrike, Kurti ka shtuar se padia e Vetëvendosjes kërkon reagim të menjëhershëm.

“Kuptimi i urgjencës, sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës . Një muaj heshtje ndaj kërkesës së asambleistëve për masë të sigurisë, për mbrojtje të 17 mijë m2 pronë publike në Prishtinë. Masa e sigurisë, analoge me atë të masës së përkohshme, natyra e së cilës kërkon reagim të menjëhershëm të gjyqësorit, mbetet e pa adresuar për 30 ditë me radhë”, shkruan Kurti.

“Në vendosje e sipër, në bazë të ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me tarifat e energjisë elektrike, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për 3 ditë. Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike. Ndërsa kërkesëpadinë e ish drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Gjykata e trajton pas 48 orësh”, shtoi ai.

I pari i vendit madje i vuri pikëpyetjen pavarësisë së gjyqësorit, raporton Paparaci.

“Kush vendosë për shpejtësinë e reagimit të gjyqtarëve? Si ndahen lëndët dhe pse nuk përdoret sistemi elektronik i menaxhimit të lëndëve? Kush udhëheqë me pavarësinë e gjyqësorit?”, përfundoi Kurti.

Lidhur me këtë dje ka reaguar kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili ka thënë se Kurti s’ka problem me mungesën e pavarësisë me gjyqësor, por dëshiron ta kontrollojë atë.

“Ndjeshmëria mbi dhunën më mizore që u ushtrua ndaj një 11 vjeçareje po shfrytëzohet nga pushteti për edhe më shumë dhunë. Kjo dhunë tenton të konsolidohet si dhunë shtetërore. Kemi sulm direkt për ta kontrolluar sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Kriza si mundësi. Për autokraci”, shkruan Molliqaj.

Kreu i PSD-së ka theksuar se faktet e paraqitura nga kryeministri janë gënjeshtra, pasi sipas tij Kurti tashmë e di se rasti tashmë është gjykuar.

“Faktet e paraqitura janë gjysmë të vërteta, ose gënjeshtra të plota. Ai e di që rasti i NPB-së për masën e sigurisë është gjykuar tashmë, në Themelore e në Apel. Kurse hienat e tij propaganduese, nga Albulena Haxhiu tek asamblistët e VV-së në Prishtinë kanë dalur gēnjeshtarë mbi çdo pretendim. Çështja pra është e kryer. Në rastin e padisë rreth energjisë elektrike, përtej kohëzgjatjes, pse Kurti nuk informon për vendimin e Gjykatës Supreme? Në fund, çështja e apostrofuar aty është vendosur siç ka dashur pushteti. Por, Kurti nuk e tregon këtë fakt. Sepse insinuatat dhe shtrembërimi i fakteve janë mënyra e tij. Qëllim është kontrolli në secilën pore të shoqërisë”, përfundoi Molliqaj.

Më 8 gusht të këtij viti Vetëvendosje në Prishtinë kishte dorëzuar kallëzim penal me akuzat për keqpërdorim nga NPB-ja.

Kjo parti iu drejtua Gjykatës Themelore në Prishtinë me padi për anulimin e kontratës “Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesorë afarist” dhe kërkesë për masë sigurie.

Gjykata e Apelit i kishte dhënë të drejtë Ndërmarrjes Publike Banesore për këtë projekt ndërkohë që në muajin shkurt dhe Gjykata Themelore në Prishtinë e rrëzoi padinë e Qeverisë së Kosovës kundër Ndërmarrjes Publike Banesore për të njëjtën çështje.

Projekti për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë”, i cili është iniciuar nga NPB-ja dhe do të ndërtohet në partneritet publiko-privat, ishte pezulluar pas padisë së ushtruar nga Ministria e Ambientit.

Vendimin për pezullim e kishte nxjerrë Ministria e Ambientit në muajin tetor të vitit të kaluar, pas dyshimeve të ngritura për shkatërrim mjedisor përmes azbestit, gjatë rrënimit të objekteve që ndodheshin në pronën e NPB-së.

Lëvizja Vetëvendosje një ditë pas aksionit të policisë në zyrat e NPB-së e kishte “përshëndetur” aksionin.

Ndërsa Ndërmarrja Publike Banesore, përmes një komunikate për media, pretendoi se policët gjatë bastisjes kishin shkelur Kodin e Procedurës Penale pasi gjatë qëndrimit në dy kate të objektit nuk kanë lejuar praninë e askujt nga zyrtarët e saj ndërsa në katin e dytë dhe të tretë i kanë ndalur të gjitha kamerat e sigurisë.