Ministria gabon në kalkulimin e TVSH-së, rriten edhe afro 300 mijë euro kontrata për mbrojtje në Arbitrazh

Edhe për fiks 283.500 euro është rritur vlera e kontratës “Përzgjedhja e një firme ligjore ndërkombëtare për përfaqësimin e Kosovës në arbitrazh ndërkombëtar -llot”, që është realizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Blerim Devolli, kundër Telekomit të Kosovës. IUTECREDIT kundër Bankës Qendrore të Kosovës dhe ContourGlobal kundër Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Këto janë tri paditë me të cilën do të përballët Ministria e Drejtësisë në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Para pak ditëve, ministria e Drejtësisë që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu ka publikuar kompaninë fituese që do të përfaqësojë ministrinë në arbitrazh.  Kompania “Squire Patton Boggs (US) LLP” nga SHBA është përzgjedhur që të autorizohet për tri rastet kontestuese, derisa vlera e kontratave totale ishte shënuar 1 milionë e 575 mijë euro. Kjo kompani është zgjedhur me procedurë të negociuar, pa publikim të kontratës, derisa ishin kontaktuar nga ministria edhe disa kompani tjera ndërkombëtare, por që kishin çmim shumë më të shtrenjtë.

Të martën, ministria ka marr një tjetër vendim, që të rritet vlera e kontratës ngase gjatë negocimit nuk ishte paraparë kalkulimi i TVSH-së për 18 %.

Ministria ka kontaktuar Administratën Tatimore dhe Ministrinë e Financave, vetëm pasi e kishte shpallur fituesin, dhe këto dy institucione kanë sugjeruar që të futet edhe TVSH-ja, mbi bazën e ligjeve në fuqi.

Lajmi.net i ka parë letrat që ministria i ka shkëmbyer me këto dy institucione.

Pas marrjes së interpretimeve ligjore nga ATK-ja dhe ministria e financave, u konstatua që duhet të llogaritet edhe TVSH-ja (+ 18%), e cila do të paguhet përmes një përfaqësuesi fiskal nga operatori ekonomik.

Kontrata nga 1, 575, 000 euro në total për tri loto, ka arritur në 1, 858, 500 euro. Pra, është rritur fiks për 283.500 euro.

Vetëm, pasi ministria kishte gabuar, kishte kërkuar një mendim nga këto dy institucione.

Ministria e Drejtësisë nuk ka dashur të prononcohet lidhur me këtë rast.

Në dokumentin “ deklarata plotësuese e disponushmerisë së fondeve” që e ka parë lajmi.net thuhet se përmirësimi i gabimit ka ndodhur pas njoftimit për dhënie, sepse pas marrjes së interpretimeve ligjore nga ATK-ja dhe Ministria e Financave u konstatua që duhet llogaritur edhe TVSH-ja (+ 18% ), e cila do të paguhet përmes një përfaqësuesi fiskal nga Operatori ekonomik fitues.

Ndryshimi i informatave financiare për tri llote: “Squire Patton Boggs”,  575,000.00  euro + 18% 678,500.00 euro. LLOT 2 “Squire Patton Boggs” 525,000.00 euro + 18% 619,500.00 euro. LLOT 3 “Squire Patton Boggs” 475,000.00 euro + 18% 560,500.00 euro.

Për Lot 1 është paraparë kontrata ku do të mbrohet shteti kundër Devollëve.

Në arbitrazhin e dytë, Z-Mobile e Blerim Devolli kërkon 25 milionë dollarë për shkak të dëmeve të shkaktuara nga Telekomi. Z-Mobile pretendon se marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2009, është në fuqi dhe nuk ka përfunduar më 31 korrik 2019, siç pretendon Telekomi i Kosovës.

Sipas kësaj kompanie, marrëveshja mbetet në fuqi për faktin që Telekomit, po më 31 korrik, i është vazhduar licenca nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.

Menjëherë pas kësaj padie, Bordi i PTK-së kishte thënë se do të përfaqësohen profesionalisht në Arbitrazh dhe se do të dëshmoheshin dëmet e shkaktuara nga Z-Mobile.

Ata kishin thënë se mos vazhdimi i kontratës me Z-Mobile kishte ardhur pas ekspertizave dhe konsultimeve ligjore dhe se ishte në pajtim me ligjin.

Lot 2 do të jetë kontrata kundër IUTECREDIT. Ende pa përfunduar këto raste, padi në Arbitrazh kishte dërguar edhe dhe kompania “Iute Credit”, të cilave u ishte revokua licenca nga Banka Qendrore e Kosovës. Sipas avokatit të “Iute Credit”, mund të ketë padi me dëme deri në 12 milionë euro.

“Brenda disa ditëve do dërgohet shtyrja e vendimit në gjykatë, ta shpëtojmë IuteCredit nga likuidimi, t’i ruajmë 340 vende pune. Do mund të ketë padi në gjykatën e arbitrazhit me dëme deri 12 milionë euro. Të heqim njollën diplomatike të Kosovës për shtetin që e ka përkrahur që nga fillimi, besoj se këto padrejtësi do rishikohen në gjyqësor”, kishte paralajmëruar avokati.

Në lot 3 do të lidhet kontrata kundër padis së Conture Global.

Investitori ContourGlobal përveç që u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në mars të këtij viti, e dërgoi Kosovën edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.

Me datë 24 maj 2020, sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ka qenë e paraparë që të bëhet mbyllja financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”, por kjo nuk është arritur në kohë. Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet. Nëse zvarritjet e kontratës me ContourGlobal shkaktoheshin nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ContourGlobal, një vlerë prej 19.7 milionë eurosh. Ndërsa, nëse Kosova i përfundon obligimet, por ContourGlobal nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh.

Në mars 2021, kompania ContourGlobal kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Në atë kohë në pushtet ishte koalicioni qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ishte shprehur kundër marrëveshjes me ContourGlobal dhe sipas LVV-së, ky projekt, si i tillë, nuk do të realizohet pasi, kompania në fjalë mund të rrisë çmimin e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike. Ndërsa, Lidhja Demokratike të Kosovës ishte shprehur se do të ndërtojë kapacitete të reja energjetike, por do të refuzojë secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 për qind.

Kosova, para dy viteve, Kosova ia doli të fitojë një rast aspak të lehtë në Tribunalin e Arbitrazhit. Në fakt ishte padia më e madhe që i ishte bërë shtetit nga kompania gjermane AXOS për rastin e privatizimit të dështuar të Telekomit të Kosovës.

Kjo kompani në padinë ndaj Kosovës kishte kërkuar hiq më pak se 380 milionë euro dëmshpërblim me pretendimet se në mënyrë të paligjshme i ishte mohuar e drejta në privatizimin e Telekomit të Kosovës.