Ministri i Shëndetësisë

Ministri Vitia: Minatorët janë jashtë rrezikut për jetën, përgëzoj stafin shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në rrjetin social Facebook, ka falënderuar stafin shëndetësor të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë për, siç ka thënë ai, profesionalizmin dhe kujdesin shëndetësor të ofruar për trembëdhjetë minatorët e lënduar në Minierën e Trepçës.

Ministri shtoi se minatorët janë jashtë rrezikut për jetën.

Postimi i plotë:

Trembëdhjetë minatorët e lënduar në Minierën e Trepçës, kanë marrë trajtim shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Njëmbëdhjetë nga ta, pasi morën trajtimin shëndetësor janë liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërsa dy të tjerë të cilët kanë lëndime në sy, janë ende nën mbikqyrje dhe kujdesin mjekësor të mjekëve dhe infermierëve.

Ata nuk kanë rrezik për jetën.

Përgëzoj stafin shëndetësor të Spitalit të Mitrovicës që ishte në krye të detyrës dhe me profesionalizëm ofroi kujdesin shëndetësorë për minatorët e lënduar.

Minatorëve të lënduar iu uroj shërim e rikthim të shpejtë në familje dhe në punën e vyeshme të Minatorit.