GJEDNJ

Miftaraj: Fatkeqësisht, niveli i zbatimit të praktikës së GJEDNJ-së është pothuajse minimal

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se niveli i zbatimi të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) është minimal dhe se këtë e tregojnë edhe gjetjet e një raportit të publikuar nga IKD.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi brenda vitit i monitoron përafërsisht 2 mijë- 3 mijë seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës dhe fatkeqësisht niveli i zbatimit të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është pothuajse minimal. Në bazë të një raporti që kemi publikuar në vitin 2023, nga 209 aktgjykime që i kemi analizu, del që vetëm 9.5% zbatohet kjo. Dhe kjo kryesisht zbatohet në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, tha Miftaraj.

Sipas tij, nga gjetjet e tyre në atë raport ka dalë se Gjykata e Apelit në asnjë rast nuk i është referuar praktikës së GJEDNJ-së, teksa theksoi se aktgjykimet e lartpërmendura janë marrë në bazë të rastësisë.

Miftaraj tha se jo vetëm paditësi, por edhe avokatët, palët tjera që duan ta realizojnë një të drejtë, nuk është se në kërkesat e tyre iu referohen praktikës së GJEDNJ-së. Tha se avokatët kur vlerësojnë se një e drejtë e klientit të tyre është cenuar, do duhej të kishin më shumë njohuri rreth kësaj praktike.

“Nuk përjashtojmë raste kur ka avokatë, të cilët e praktikojnë këtë, por nëse e marrim si fenomen është pothuajse në raste minore”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha se ka shumë hapësirë për përmirësim, teksa përmendi se kanë filluar zbatimin e një projekti të financuar nga Ambasada Gjermane, i cili ka të bëjë me zbatimin e praktikës së GJEDNJ-së.

“Ne si Institut i Kosovës për Drejtësi së bashku me dy organizata tjera joqeveritare Lëvizjen FOL dhe Iniciativën për Progres (INPO), kemi filluar një projekt që mbështetet nga Ambasada Gjermane dhe Republika Federale e Gjermanisë, përmes së cilave do të fillojmë me fushata vetëdijesuese për rëndësinë që ka zbatimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha ai.

Sipas tij, do të merren manualet e GJEDNJ-së që publikohen me praktikat më të mira që i trajtojnë gjatë një viti kalendarik dhe do t’i përshtaten kontekstit të Kosovës, do të përkthehen në gjuhën shqipe dhe serbe, në mënyrë që gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët të kenë qasje në to.

Nga monitorimi, Miftaraj thotë se kanë gjetur se në shumë raste nuk respektohen të drejtat e palëve në procedurë.