Zgjedhjet në veri

“Masat e BE-së të lidhura me zgjedhjet në veri”, KQZ ende duke i verifikuar nënshkrimet

Qe gati një muaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore. KQZ nuk ka ndonjë afat të caktuar kohor brenda të cilit duhet ta kryejë këtë proces.

Ndërsa, presidentja Osmani ka thënë se heqja e masave të BE-së kundër Kosovës është e lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Më 29 janar KQZ njoftoi se kanë filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në katër komunat në Veri të Kosovës. Një proces i tillë, zëdhënësi Valmir Elezi, pati thënë se do të marrë kohë pa dhënë një datë të caktuar se kur do të përfundojë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë këto lista me nënshkrime, pra nëse personat që kanë nënshkruar janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse. Sigurisht se ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë Ministrinë, Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Kryetarët e Komunave dhe Grupet Nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së do të bëhet edhe publike”, kishte thënë Elezi.

Përderisa KQZ nuk ka ndonjë afat të caktuar kohor për ta kryer këtë proces, presidentja Osmani mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri e ka lidhur me heqjen e masave të BE-së kundër Kosovës.

Ajo ka thënë se heqja e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Osmani ka thënë se në këtë proces është e domosdoshme të ecet përpara dhe tha se zgjedhjet do t’i caktojë sapo të konfirmohet largimi i kryetarëve aktualë.

“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Është e domosdoshme që të ecim përpara gjithnjë në përputhje me ligjin dhe procedurat e përpara”, tha Osmani para gazetarëve më 23 shkurt.

Ajo e ripotencoi që masat e BE-së ndaj Kosovës janë krejtësisht të padrejta, raporton Gazeta Express.

“Procesin e dialogut e ka dëmtuar më së shumti mungesa e balancës në këtë dialog, njëra palë pra Kosova është nën masa krejtësisht të padrejta, ndërsa Serbia përkundër aktit të agresionit nuk ka pësuar asnjë masë të vetme. Kjo jo vetëm që e dëmton, por edhe e inkurajon Serbinë që të vazhdojë me veprime destabilizuese në rajonin tonë”.

Megjithatë, Osmani tha se në suazat më të gjera, të gjitha institucionet e Kosovës duhet t’i trajtojnë aleatët si ekzistencialë.

Në janar, sipas Udhëzimit Administrativ të hartuar nga MAPL, janë organizuar peticionet në komunat veriore, ku qytetarët kanë nënshkruar për rrëzimin e kryetarëve aktualë.

Në të katër komunat janë mbledhur nënshkrime më shumë se sa 20 për qind e listës votuese. Pas verifikimit, KQZ duhet ta njoftojë kryesuesin e kuvendit, grupin nismëtar dhe Ministrinë me vlerësimin përfundimtar. Në rast se rezulton që kërkesa është mbështetur nga së paku 20 për qind e votuesve të regjistruar, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, për çka nevojiten 50 për qind + 1 votë pro. Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme

Zgjedhjet në Veri janë kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare pasi zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar u sabotuan nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë. Më 23 prill dolën një numër shumë i vogël i qytetarëve dhe në bazë të tyre kryetarë u zgjodhën Erden Atiq në Mitrovicën e Veriut, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Lulzim Hetemi në Leposavia dhe Ilir Peci në Zveçan.

Qysh prej tensioneve në maj, kur kryetarët shqiptarë hynë me ndihmën e Policisë nëpër objekte komunale, KFOR ka qenë i pranishëm në dhe përreth ndërtesave të komunave, mirëpo dje kanë njoftuar që më s’do të jenë në komunën e Zveçani. KFOR tha se gjendja është stabilizuar.

“Gjendja në komunën e Zveçanit është stabilizuar. Si rezultat, njësitë nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO nuk do të jenë më të pranishme në ndërtesën e komunës. Në vend të kësaj, ata do të qëndrojnë në zonë dhe do të kryejnë patrullime të rregullta për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në komunën e Zveçanit.”

VIDEO BONUS: Berisha: FSK-ja e komandanti saj po bëjnë një punë të mirë