Macroni e braktisi konsensusin e Evropës

Nga Alexander Gorlach

Me politikën e re të jashtme, Emmanuel Macron duket se po ndjek një linjë të shkëputjes nga partnerët e Francës. Pas deklaratës së kontestuar, sipas së cilës evropianët nuk duhet të tërhiqen nga ShBA-ja në një luftë me Tajvanin, pasojnë zbulimet e ujdive të brendshme mes tij dhe pushtetmbajtësit kinez, Xi Jinping, që këtë verë ta sjellin Ukrainën në tryezën e negociatave – me presidentin Putin.

Macroni dëshiron të bashkëpunojë për “planin e paqes” të Kinës; një plan ky i cili u kritikua nga partnerët e tjerë të vendeve liberale perëndimore, me të drejtë, sepse Pekini aty përdor gjuhën e agresorit rus dhe i jep Ukrainës pjesërisht faj për luftën. Duket se Macroni e ndan këtë qasje të Pekinit, thënë ndryshe të Kremlinit. Nuk është rastësi që në të njëjtën kohë me këto publikime, ambasadori kinez në Paris bën të ditur se shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, në të vërtetë nuk janë shtete të vërteta të njohura në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare.

Franca me këtë bëhet skena e kthesës në 180 gradë të politikës kineze për Ukrainën. Deri tash Pekini pretendonte gjithmonë se do të angazhohej për sovranitetin e shteteve, siç është përcaktuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Megjithëse Pekini e njeh Ukrainën dhe në vitin 2013 ka nënshkruar një marrëveshje të gjerë ekonomike, nomenklatura e Pekinit nuk mundi të dënonte agresionin rus ndaj një shteti sovran. Kritikët e Kinës e kanë vënë gishtin gjithmonë te kjo kontradiktë, që nga fillimi i luftës. Por, Jinpingu e zgjidh tanimë këtë përmes deklaratës së ambasadorit, se realisht Ukraina nuk është shtet sovran.

Tani gjithkujt duhet t’i bëhet e qartë se Pekini nuk mund të jetë ndërmjetësues paqeje në këtë konflikt. Xi flet si miku i tij, Putini. Në botëkuptimin e kreut të Kremlinit nuk ka Ukrainë, por vetëm “Rusi të shenjtë” ku bën pjesë edhe territori ukrainas. Putini për këtë rrëmben fëmijët nga Ukraina për t’i “rusifikuar”. Ai vjedh thesare arti nga Ukraina për t’ia marrë këtij vendi kulturën e vet. Dhe, pikërisht këtë njeri, që kërkohet me urdhërarrest ndërkombëtar për krime lufte, Macroni do ta ulë në një tryezë me presidentin ukrainas, Zelensky.

Nëse deklarata e Macronit për Tajvanin ishte aksidentale, zhvillimi i fundit për diplomacinë franceze dhe Francën është një dëm total. Nga Parisi thuhet se në Ministrinë e Jashtme janë të shokuar për mënyrën e veprimit të Macronit dhe se sërish ata mbledhin rrënojat. Macroni ndodhet nën presion në politikën e brendshme, për momentin, për shkak të reformës së pensioneve, dhe dëshiron t’u tregojë francezëve përmes një “suksesi” në politikën e jashtme se me të në krye Franca ka një njeri të fortë që mund të flasë si i barabartë me presidentin kinez.

Ata që vuajnë janë ukrainaset dhe ukrainasit, dhe pas tyre njerëzit në Tajvan për të cilët një sulm kinez ndaj ishullit falë deklaratës së Macronit bëhet edhe më realist. Franca ndjek kështu një kurs që nuk është shumë larg atij të Brazilit dhe Indisë. Të dyja shtetet i ngjiten Jinpingut në çështjen e Ukrainës dhe kërkojnë bisedime paqeje dhe ripërsëritin qëndrimin e Kremlinit.

Për Macroni mund të ketë luajtur rol që Parisi të hakmerret ende për marrëveshjen “AUKUS” mes ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë. Të tri shtetet vendosën të pajisin Australinë me nëndetëse atomike, ku modeli i mundshëm nga Franca u mënjanua në favor të një tenderi për ShBA-në. Pallati Elize atëherë shkumëzonte nga zemërimi, sepse industrisë së armatimit të Francës i shpëtoi nga dora një marrëveshje miliardëshe. Vërtet që Bideni e priti pak më vonë presidentin Macron, por ky gjest me sa duket nuk e ka qetësuar atë. Takimi me Xi Jinping me sa duket po.

Për pushtembajtësin kinez është një sukses i shkëlqyer që të ketë marrë siguri nga një fuqi atomike si Franca, si dhe dashamirësinë e saj. Me këtë ai shkatërroi qasjen e një politike të përbashkët evropiane. Dëmi për aksin Paris-Berlin-Varshavë është i madh. Evropa ndodhet para një kthese, sepse Parisi shkëmben miqësinë me partnerët evropianë me një aleancë me diktaturën kineze dhe ruse. Nëse Macroni nuk e korrigjon pa vonesë gabimin e vet, ai mund të rrezikojë me këtë të gjithë Bashkimin Evropian. /DW/