Lulzim Hetemi do të qëndrojë në zyre, “largohet me pranim -dorëzim zyrtar të detyrës”


Janë bërë më shumë se një muaj prej kur kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka hyrë në objektin e komunës dhe nuk ka dal prej aty. Përderisa janë pajtuar për zgjedhje të reja, BE dhe krerët e shtetit të Kosovës nuk kanë gjetur pajtim për mënyrën e shpalljes së zgjedhjeve – me peticion a me dorëheqje. Sot kryeministri Kurti sërish ka treguar këmbënguljen që Hetemit nuk do t’ia kërkojë dorëheqjen. Ai tha se është dakord që kur të zgjidhet kryetari i ri në Leposaviq të ketë pranim-dorëzim zyrtar e paqësor të detyrës. Sipas tij, kjo do të kontribuonte në deeskalim të situatës.

Lulzim Hetemi, që nga 29 maji është ngujuar në objektin e komunës së Leposaviqit, duke ushtruar detyrën që i është dhënë nga votat e shumë pak qytetarëve që kanë dalë në zgjedhjet e 18 prillit.

Pas tensioneve që u krijuan në Veri, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që Hetemi ta vazhdojë punën në zyrë alternative, mirëpo ai ka refuzuar t’i dëgjojë ata.

Fjala “vetëtërheqje” ishte përmendur në një përgjigje të Borrellit për Kurtin, mirëpo ky i fundit më shumë se një herë ka thënë se nuk do të kërkojë dorëheqjen e kryetarëve të katër komunave në Veri.

Në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se me zgjedhje Hetemi është bërë kryetar dhe me zgjedhje largohet.

“Për zgjedhje të parakohshme ne jemi dakord dhe zgjedhjet e parakohshme e rregullojnë edhe çështjen e kryetarit në komunën e Leposaviqt, sepse me zgjedhje ka ardhur kryetar dhe me zgjedhje largohet kryetari. Unë nuk mendoj që duhet të ketë mënyra të tjera, të drejta e ligjore për të larguar kryetarët e zgjedhur. Mund të themi që legjitimiteti është i vakët sepse dolën pak njerëz në zgjedhje e që nuk është faji jonë. Ai është bullizmi i Beogradit e Listës Serbe i cili nuk duhet që të shpërblehet tash duke dhënë dorëheqje kryetari. Dorëheqja tek e fundit është akt moral. Ti mund ta bësh shkarkimin, por dorëheqja është akt moral”, tha ai.

Ai tha se nuk mundet që Hetemi ta paguaj kosto për destruktivitetin e Beogradit, derisa shtoi se është dakord që kur të zgjidhet kryetari i ri në Leposaviq të ketë pranim-dorëzim zyrtar e paqësor të detyrës. Sipas tij, kjo do të kontribuonte në deeskalim të situatës.

“Nuk ka faj Lulzim Hetemi që është kryetar në Leposaviq. Ka faj Beogradi e Lista Serbe që së pari me 5 nëntor me dorëheqje kolektive u munduan që të krijohet një vakum që e bënë Kosovën të dështuar, e pastaj në vend që të marrin pjesë në zgjedhje, i bojkotuan ato dhe thirrën për bojkot dhe në fund edhe kandidati që garoi në fund Jabllanoviqi në një mënyrë e joshën, e detyruan apo të dyja këto që të dal nga fushata dhe e kemi Lulëzim Hetemin kryetar. Nuk mundet tash Lulzim Hetemi që të paguaj kosto për destruktivitetin e Beogradit zyrtar. Unë jam dakord që kur zgjidhet kryetari i ri në Leposaviq të ketë pranim-dorëzim zyrtar e paqësor të detyrës. Kjo do të kontribuonte në deskalim të situatës”, tha Kurti. 

Largimin e Hetemit nga objekti i komunës së Leposaviqit e kishte kërkuar edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak. Ai në një intervistë për “Euroneës” kishte thënë se Hetemi duhet ta ndjekë shembullin e kryetarëve tjerë dhe të punojë në zyrë alternative.

Mirëpo, Kurti e ka inkurajuar Hetemin që ta vazhdojë punën e tij. Ai dy herë ka njoftuar se ka folur me kryetarin Hetemi. Herën e parë ai e ka falënderuar atë për “qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”.

“Lulzim Hetemi është vëllau i dëshmores Fatime Hetemi (që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator 1998).E falënderoj Kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”, kishte thënë ai.

Ndërkaq, herën e dytë, sipas Kurtit, ai dhe Hetemi ndanin të njëjtin shqetësim, se mos njëri prej tyre po lëshonte pe.

“E thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Të them të drejtën kur e thirra kisha një brengë se mos është mërzitur aty në zyrë se u bënë shumë javë. Unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar se mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar se mos po lëshoj pe unë , prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme”, deklaroi Kurti.

Mirëpo, ndonëse vazhdimisht ka kërkesa nga bashkësia ndërkombëtare për të dhënë dorëheqje ose për zgjedhje të reja, Hetemi po vazhdon ta kryejë detyrën si kryetar i komunës së Leposaviqit. 

Së fundi, ai ka emëruar katër drejtorë të kabinetit të tij, të cilët vijnë nga komuniteti serb. Këtë e bëri të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Nga sot, Violeta Sakic, Nikola Radomirovic, Nenad Radosavljevic dhe Miroslav Minic do të jenë pjesë e kabinetit të Kryetarit Hetemi”, ka shkruar ai në Facebook.

Hetemi ka marrë vëmendjen edhe të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Ai më shumë se një herë ka folur për të parin e Leposaviqit. Së fundit, Rama në një intervistë për “Eurones Albania”, ka thënë se këta kryetarë po rrinë në komunë si Oso Kuka, teksa tha se kanë ardhur në pushtet me vetëm 1% të votave.

“Çdo të thotë kjo që të mbajmë akoma disa kryetarë komunash të cilët janë zgjedhur me 1% të votave, që rrinë të mbyllur si Oso Kuka. Njëri rri atje me policë dhe është i burgosur faktikisht, sepse s del dot as të marr ajër. E të tjerët rrinë diku ku s’dihet ku janë dhe në ndërkohë që në tavolinë është plani franko-gjerman”, tha Rama.

Mirëpo në konferencën që lajmëroi anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Rama e quajti Hetemin “i vetëburgosuri i vetëvendosur”

“Nuk funksionon dot as funksionet bazike të një njeriu të lirë normal dhe të dali të marrë ajër jashtë godinës. Ajo që u bë me zgjedhjet është gjëja e duhur. Por, ajo u bë që edhe bashkitë, komunat me shumicë dërrmuese serbe të qeverisin shqiptarët. S’u bë për këtë. Ajo u bë për t’iu thënë serbëve që ju bojkotoni por mirë, ne s’i lëmë institucionet në vakuum. Ama në momentin kur krijohen kushtet për zgjedhje të parakohshme, s’ka më logjikë të mbahet vetëburgosuri i vetëvendosur në një godinë ku s’bëhet asnjë aktivitet”, deklaroi Rama më 4 qershor./Express/