Miroslav Lajçak

Lajçak për hapjen e urës së Ibrit: Nëse duan palët, mund ta vendos në agjendën e takimit të ardhshëm

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur së fundi mbi raportimet për hapjen e urës së Ibrit, që lidh Mitrovicën e Veriut dhe Mitrovicën e Jugut.

Ai ka bërë thirrje që palët të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara, derisa tha se edhe pse pajtohen që ura duhet hapur, kjo duhet bërë në kuadër dialogut.

Kështu, ai më tutje shtoi se nëse palët janë të interesuara, mund ta vendosë si pikë në agjendën e takimit të ardhshëm mes kryenegociatorëve.

“Ne vazhdimisht u kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta adresojnë çështjen në dialog dhe të përmbahen nga veprime të pakoordinuara. Nuk është asnjëherë mirë nëse partnerët ndërkombëtarë befasohen. Në këtë rast, hapja e pakoordinuar e ures së Ibrit, mund të çojë në incidente të sigurisë dhe ta komplikojë edhe më shumë procesin e normalizimit. Hapja e urës në Mitrovicë është subjekt i dy marrëveshje në kornizën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja nga 2015 dhe 2016. Edhe pse pajtohem se ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar këtë për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në një mënyrë të pajtueshme dhe të koordinuar. Çfarëdo vendimi në lidhje me urën së pari duhet të konsiderohet dhe të merret në dialog. Nëse palët janë të interesuara, jam i lumtur që ta vendos këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të kryengociatorëve.” – ka thënë ai për “Kosovo Online”.