27 prilli

Kuvendi i Maqedonisë miraton tekstin e Draft-Ligjit për amnistinë

Nëngrupi për pajtim në Kuvend miratoi tekstin e draft-ligjit për amnistinë e 27 prillit. Dispozitat nuk parashikohet të amnistojnë veprat: dhunë, organizim të dhunës dhe tentim vrasje.

Nëngrupi për pajtim vlerëson se që tani nuk mund të parashikohet se kush do amnistohet e kush do të ndiqet penalisht. Anëtarët e nëngrupit nuk shpjegojnë nëse do të ketë heqje të akuzës për “cenim terrorist të rendit kushtetues” dhe rikualifikim të saj.

Megjithatë, deputeti Zekir Ramçilloviq shtoi se gjykimi për 27 prillin mund të vazhdojë për veprën penale “bashkim për veprimtari armiqësore”.

Ai nuk shpjegoi se si në draftin e hartuar nga grupi më të cilin udhëheq ai është paraparë të amnistohen deputetët që hapën dyert e Kuvendit.

Deri më tani, akti i tyre ka qenë pengesa më e madhe për hartimin e amnistisë për 27 prillin, pasi që ata vlerësohen si ura lidhëse mes organizatorëve dhe dhunuesve. Vepra “bashkim për veprimtari armiqësore” përfshin edhe 12 vepra të tjera të cilat sipas Kodit Penal parashikojnë dënime me burg nga 4 vite e sipër.

Ai që bën komplot, grup-grupe apo shoqata të tjera të personave apo edhe organizata për kryerjen e veprave penale: tradhti, okupim, cenim të territorit të përcaktuar, cenim të pavarësisë, vrasje të përfaqësuesve shtetëror, rrëmbim të përfaqësuesve, dhunë ndajë përfaqësuesve, terrorizëm, diversion, sabotim, pengesë në luftën kundër armiqve dhe shërbim në luftë armiqësore, dënohet të paktën me 4 vite burg.

Me draft-ligjin për amnisti, të akuzuarve do t’u mundësohet që të prononcohen nëse pranojnë amnisti apo duan ta vazhdojnë procedurën gjyqësore. Draftin të cilin sot e miratoi nëngrupi për pajtim, të enjten do ta shqyrtojë trupi ndërpartiak parlamentar për pajtim dhe integrim. Në rast se nuk dalin dilema të reja, drafti do të dorëzohet në procedurë parlamentare. Miratimi i Ligjit për amnistinë e 27 prillit kushtëzon miratimin e ndryshimeve kushtetuese./AlsatM/