Sulmi kibernetik

“Të mendojnë për sigurinë e tyre, jo për Ukrainën”, bisedat e hakëreve që kryen sulm kibernetikë ndaj Kosovës

Të hënën një grup hakerësh rusë të quajtur “Server Killers” kanë zhvilluar një sulm kibernetik kundër faqeve zyrtare të institucioneve të Kosovës, derisa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, një bisedë për Albanain Post ka thënë se sulmi kishte për qëllim de-stabilizimin e vendit.

“Vlerësoj që ky sulm përtej motivit hakmarrës ka synim inkurajimin e sulmeve kundër institucioneve të Kosovës me qëllim de-stablizimin e vendit tonë dhe regjionit në përgjithësi”, tha Maqedonci.

Ai ka theksuar se sulmet e tilla janë pjesë e luftës hibride që Federata Ruse i aplikon në vazhdimësi kundër shteteve dhe shoqërive që janë pjesë e koalicionit të gjerë të vendeve demokratike pjesë e grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq menjëherë pas sulmit kibernetikë, Maqedonci thotë se autoritetet përkatëse kanë ri-funksionalizuar platformat e sulmuara duke i bërë funksionale dhe të përdorshme për qytetarët.

“Institucionet publike dhe private si dhe qytetarët duhet të ngrisin nivelin e vigjilencës dhe vetëdijesimit për tu mbrojtur nga këto lloj kërcënimesh të kohëve moderne”, shtoi ai.

Në komunikimin e këtij grupi, bisedat e të cilëve i posedon Albanian Post, thuhet se sulmi bëhet duke marr shkas deklarimet e Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës në lidhje me mbështetjen politike të Republikës së Kosovës për Ukrainën si dhe mbështetjes ushtarake që Ministria e Mbrojtës dhe FSK po jep për ushtrinë ukrainase.

“Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës dhe të bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Unë mendoj se ata duhet të mendojnë më shumë për sigurinë e faqes së tyre, dhe jo për Ukrainën”, thuhet në bisedat mes hakerëve rusë.

Bisedat e hakerëve rusë të quajtur “Server Killers”

Një sulm kibernetikë ndaj Kosovës kishte ndodhur edhe gjatë vitit 2022, ndërsa sulmi sipas Qeverisë së Kosovës – erdhi nga jashtë dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb-faqe të institucioneve.

Më 17 korrik 2022 edhe Shqipëria u goditë nga një sulm kibernetik i përmasa të mëdha, ku për arsye të sigurisë u mbyllën të gjithë adresat qeveritare dhe të tilla mbetën për disa ditë.

Ndryshe, gjatë muajit mars të këtij viti nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është inauguruar Qendra Trajnuese Shtetërore për Siguri Kibernetike që do të funksionoj në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe që ofron programe trajnimi për institucionet publike dhe private me qëllim që të rrisim qëndrueshmërinë shtetërore për tu përballur me rreziqe të tilla.