Kryeministri i Kosovës

Kurti: S’ka moment më patriarkal se kur një burrë në emër të emancipimit i tregon një gruaje si të veprojë e mendojë

Kryeministri Albin Kurti në një takim të sotëm të organizatës Gratë për VETËVENDOSJE! me strukturat e saj për Ditën Ndërkombëtare të Gruas foli për punën e grave për të drejtat të barabarta.

Kurti aty tha se si parti e majtë e si socialdemokrate, e kuptojnë se çlirimi i gruas është i pandashëm nga lufta e gjerë për drejtësi sociale dhe ekonomike.

Ai tha se “për fat të keq struktura shoqërore jo vetëm te ne, por përgjithësisht në secilën shoqëri është e ndërtuar vertikalisht dhe mirëmbahet vazhdimisht nëpërmjet dominimit të më të dobëtëve”.

Kurti tha se patriarkalizmi e ka formësuar mendimin dhe veprimin tonë dhe shtoi se sa më thellë “që e kuptojmë këtë, aq më shpejtë do të krijojmë një alternativë të re, që do të na mundësojë ta ndërtojmë një shoqëri më solidare, më të barabartë dhe më të drejtë”.

Kryeministri tha se për të drejtat e grave duhet t’u flitet edhe burrave, prandaj ai kundërshtoi që burrat t’u diktojnë grave se si të mendojnë e veprojnë.

“Ndonjëherë e kam përshtypje që për vlerat universale sikurse liria, barazia e drejtësia më shumë sesa grave, për to në fakt duhet t’ju flasim burrave. Andaj, nga ky tubim dua të ju drejtohem veçanërisht atyre, burrave. Sepse dëgjoj shpesh burra teksa thonë: nuk e kuptoj çka duan gratë sepse të drejtat e barabarta i kemi me ligj, si gratë ashtu dhe burrat. Ka edhe nga ata që e marrin guximin t’ju tregojnë grave aktiviste të kalitura në angazhim, se si duhet bërë lufta për barazi gjinore, si duhet të organizohen gratë, si duhet t’i artikulojnë gratë qëndrimet e tyre etj. Duhet bërë kjo e nuk duhet bërë ajo, thonë ata. Më lejoni të ndaj bindjen time me juve këtu sot: Nuk ka asnjë moment tjetër ku shpërfaqet patriarkalizmi më haptazi dhe më qartë, sesa kur në emër të emancipimit të gruas, një burrë i tregon një gruaje se si duhet të veproj e mendoj. Pra, burri bindjen e vet tenton t’ia shes, t’ia imponoj si më të mirë e më të drejtë dhe ta bëjë bindjen e tij standard edhe për gruan. Kjo është e gabueshme dhe e papranueshme nga kushdo që ndodh, tërë kohën e kudo”, ka thën Kurti.

Fjala e tij e plotë:

Jam i lumtur që jam këtu sot para strukturave të GVV-së, organizatës “Gratë për VETËVENDOSJE!”, bashkë me njëra-tjetrën, bashkë me gratë e vendit tonë, bashkë në lëvizje për të ecur përpara drejt një shoqërie e cila në thelb e ka barazinë. Betejën për ta arritur kur nuk e ka, dhe për ta ruajtur aty ku e ka arritur.

Unë nuk mund të vazhdoj pa ju falënderuar për punën vetëmohuese, për angazhimin e dyfishtë që secila prej jush bën, por edhe pa ju uruar për sukseset e vazhdueshme në rrugën këmbëngulëse të lirisë, drejtësisë dhe barazisë, të cilat janë ideale të Ditës Ndërkombëtare të Grave, të 8 Marsit. Vigjilenca ndaj pabarazisë dhe solidariteti ndaj njëra-tjetrës janë frymëzuese për të gjitha gratë, për të gjithë popullin tonë, e secilin qytetar të Republikës.

Megjithëkëtë, nuk duhet harruar që hapësira e veprimtarisë sonë duhet të shfrytëzohet për gratë që na kanë sjellë këtu. Kemi thënë disa herë tashmë se gratë janë votueset më të mëdha të Lëvizjes sonë. Asnjëherë mos të harrojmë se shumë prej tyre kanë në dispozicion kutitë e votimit, si mediumin e vetëm publik për ta shprehur veten e tyre, e pavarësisht nga kjo, ato bartin ëndrra e shpresa të mëdha. Prandaj, na kanë votuar neve.

Derisa jemi mbledhur për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Grave, si ditë solidariteti, qëndrese e reflektimi, ne përkujtojmë betejat e grave që luftuan dhe ranë në rrugën e lirisë së Kosovës. Kujtojmë gratë dëshmore, kujtojmë gratë punëtore e ato pa marrëdhënie të determinuar pune nga e kaluara dhe e tashmja, të cilat kanë luftuar pa u ndalur për të drejtat e grave dhe të drejtat e të gjithë njerëzve të margjinalizuar.

Në këtë ditë, kujtojmë gratë e guximshme që udhëhoqën luftën për kushte më të mira pune e paga të barabarta. Nderojmë gratë që u ngritën kundër shfrytëzimit e shtypjes, që vazhdojnë të kërkojnë barazi dhe drejtësi, për çdo ditë, për çdo orë, edhe teksa ne jemi mbledhur këtu bashkë.

Por festa jonë dje e sot, nuk ka të bëjë vetëm me mirënjohjen ndaj progresit të deritanishëm. Ka të bëjë gjithashtu me njohjen e betejave të vazhdueshme të grave. Gratë vazhdojnë të përballen me diskriminim, me dhunë dhe me pabarazi ekonomike gjithandej. Ato ende luftojnë për të drejtat riprodhuese, për paga të barabarta, për përfaqësim në pozitat publike dhe drejtuese, për jetë të dinjitetshme.

Si të majtë që jemi, si socialdemokrat, ne kuptojmë se çlirimi i gruas është i pandashëm nga lufta e gjerë për drejtësi sociale dhe ekonomike. Ne e dimë se ky sistem ekonomik lulëzon në ndarje e përçarje, në shfrytëzimin e punës së grave dhe të komuniteteve të margjinalizuara. Ne e dimë se patriarkalizmi, racizmi dhe klasa ekonomike janë sisteme të ndërlidhura të shtypjes që duhet të shpërbëhen së bashku.

Vizioni i GVV-së, vizioni jonë si Lëvizje VETËVENDOSJE! qëndron mbi themelin e vendosjes në pikëpyetje të principit bazë mbi të cilin ka zënë vend struktura shoqërore me të gjitha padrejtësitë e saj. Për fat të keq struktura shoqërore jo vetëm te ne, por përgjithësisht në secilën shoqëri është e ndërtuar vertikalisht dhe mirëmbahet vazhdimisht nëpërmjet dominimit të më të dobëtëve. Kohë pas kohe, mundësisht çdo ditë, ne duhet t’ia shtrojmë vetes pyetjen: Pse identitete të ndryshme, në këtë rast identiteti gjinor, që është ndarja kryesore shoqërore përbën arsye për privilegje ose për shtypje? Pse? Sa më shumë që e denatyralizojmë përgjigjen, se pse gratë shtypen mbi bazën e gjinisë, aq më shumë arrijmë të përfytyrojmë një shoqëri barazimtare. Sa më shumë arrijmë t’i dekonstruktojmë rolet gjinore, do ta kuptojmë që në fakt gjithandej në shoqëri normat gjinore janë aq shumë, aq shpesh të imponuara.

Patriarkalizmi e ka formësuar mendimin tonë dhe veprimin tonë. Sa më thellë që e kuptojmë këtë, aq më shpejtë do të krijojmë një alternativë të re, që do të na mundësojë ta ndërtojmë një shoqëri më solidare, më të barabartë dhe më të drejtë.

Ndonjëherë e kam përshtypje që për vlerat universale sikurse liria, barazia e drejtësia më shumë sesa grave, për to në fakt duhet t’ju flasim burrave.

Andaj, nga ky tubim dua të ju drejtohem veçanërisht atyre, burrave. Sepse dëgjoj shpesh burra teksa thonë: nuk e kuptoj çka duan gratë sepse të drejtat e barabarta i kemi me ligj, si gratë ashtu dhe burrat. Ka edhe nga ata që e marrin guximin t’ju tregojnë grave aktiviste të kalitura në angazhim, se si duhet bërë lufta për barazi gjinore, si duhet të organizohen gratë, si duhet t’i artikulojnë gratë qëndrimet e tyre etj. Duhet bërë kjo e nuk duhet bërë ajo, thonë ata. Më lejoni të ndaj bindjen time me juve këtu sot: Nuk ka asnjë moment tjetër ku shpërfaqet patriarkalizmi më haptazi dhe më qartë, sesa kur në emër të emancipimit të gruas, një burrë i tregon një gruaje se si duhet të veproj e mendoj. Pra, burri bindjen e vet tenton t’ia shes, t’ia imponoj si më të mirë e më të drejtë dhe ta bëjë bindjen e tij standard edhe për gruan. Kjo është e gabueshme dhe e papranueshme nga kushdo që ndodh, tërë kohën e kudo.

Derisa vëmendjen e mbajmë të dyzina e sfidave të mëdha që na presin, nuk mund të mos kujtojmë si fanar ndriçues edhe të gjitha ato që janë bërë e po bëhen. Si Qeveri e Kosovës kemi marrë masa e reforma në drejtim të barazisë gjinore, me ç’rast do të përmendi disa prej tyre, besojmë ne kryesoret.

Në sektorin e financave, shtesat për fëmijë dhe shtesat për lehona janë iniciativa që kanë ndihmuar mbi 400 mijë fëmijë dhe mbi 45 mijë lehona, duke u dhënë atyre një shans më të mirë për të ardhmen e tyre. Në platformën Superpuna, rreth 10 mijë të rinj të angazhuar, prej të cilëve gjysma janë vajza e gra, po tregojnë potencialin e tyre në forcimin e ekonomisë sonë përditë. Vetëm përmes masës “Qeveria për Familjet”, ku e kemi subvencionuar pagën e punëtorit, ashtu që të sigurohemi që së paku një anëtar i familjes të jetë i punësuar, kemi rreth 2,000 përfitues, gjysma e tyre janë gra, kryefamiljare gra.

Në fushën e drejtësisë, Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunimeve Seksuale janë hapa të rëndësishëm drejt garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së grave. Dënime plotësuese për dhunuesit dhe ndihma juridike falas për të mbijetuarat e dhunës, tregojnë angazhimin tonë si për drejtësi, ashtu edhe për mbrojtje.

Ndërsa në shëndetësi, për herë të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bëhet rikonstruktimi i gjirit për gratë të cilat e kanë mposhtur kancerin. Tashmë ofrohet mamografi falas për të gjitha gratë dhe Vaksina HPV e cila në mënyrë direkte e parandalon kancerin e qafës së mitrës, për herë të parë në Kosovë. Kanë filluar gjithashtu për herë të parë investimet në shërbimet që ofrohen në Klinikën e Gjinekologjisë. Prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë është shëndeti i nënës dhe fëmijës, fuqizimi i programit për vizitat shtëpiake për nënat dhe fëmijët, e për këtë janë realizuar 65,143 vizita për nënat dhe fëmijët.

Në arsim, bursat për studentet e vajzat në programet STEM dhe bursat për komunitetet e ndjeshme. Vetëm me STEM kemi rreth 3,000 studente përfituese. Kjo politikë tregon përkushtimin tonë për të përmirësuar qasjen dhe mundësitë për të gjitha gratë në arsimin në vend.

Në ekonomi, subvencionimi i pajisjeve të energjisë për nënat vetëushqyese dhe pjesëmarrja e gruas në bordet e ndërmarrjeve publike, janë disa nga masat që po ndërmarrim për të përmirësuar pozitën e grave në sektorin ekonomik. Si rezultat i subvencionimit të një pjese të kryegjësë së kredisë nga Qeveria, kemi përkrahur kreditë në pronësi të grave për të zgjeruar aktivitetet biznesore të tyre, në vlerë prej mbi katër milionë euro.

Këto janë vetëm disa nga shumë të arriturat që po bëhen për të përforcuar pozitën dhe të drejtat e grave në Kosovë. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë këtë rrugë drejt një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë për të gjithë.

Sot, rikonfirmojmë angazhimin tonë për luftën për barazi gjinore dhe çlirim. Qëndrojmë në solidaritet me të gjitha gratë, veçanërisht me ato që janë më të margjinalizuara e më të shtypura. Ne zotohemi të vazhdojmë të angazhohemi për një vend ku të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjinia, raca, mosha, etnia e feja apo klasa, mund të jetojnë me dinjitet, barazi dhe drejtësi.

Andaj, punoni, edhe rrezikoni, edhe rrezikoni të gaboni, por luftoni e fitoni me solidaritet përgjithmonë.