Kurti nuk po i shërben për model Bislimit: Mendoj që po flej mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet që të ketë një javë të ngarkuar, me takimin e 18 marsit ku ka edhe pritshmëri të mëdha për nënshkrimin e marrëveshjes bazë me Serbinë. Çka po bën shefi i Qeverisë këto ditë, si po përgatitet?

Më 18 mars në Ohër kryeministri Kurti pritet që të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve evropianë, Miroslav Lajçak dhe Josep Borell.

Të dyja palët tashmë i kanë thënë “po” propozimit evropian, ndonëse ende nuk dihet nëse pala serbe është gati të nënshkruajë, ashtu siç u shpreh e gatshme pala kosovare.

Çka po bën kryeministri këto ditë?

Kjo ishte njëra prej pyetjeve që iu shtrua Kurtit nga një gazetare pas edicionit të dhjetë të Javës së Gruas, ku tha se është shumë aktiv.

“Unë jam shumë aktiv tërë kohën sepse Qeveria e Kosovës i ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, por një pjesë të kohës, krejt çka mundem përgatitem duke i lexuar dokumentet e deritanishme, por gjithashtu duke lexuar literaturë sa i përket bisedimeve dhe negociatave, këtu më ndihmojnë shumë këshilltarët edhe të mitë si kryeministër, por edhe këshilltarët e zv.kryeministrit Bislimit, i cili përveç se integrimet evropian, është edhe zv.kryeministër.” – deklaroi ai.

Tutje, Kurtit iu shtrua edhe një pyetje që duket se kishte të bënte me takimin, megjithëse gazetarja nuk dëgjohet mirë, por ai u përgjigj si vijon: “Unë mendoj që flej mirë”.

Veç kësaj, ai ka bërë edhe një deklaratë tjetër interesante, duke thënë se “vazhdon të mendojë si aktivist politik dhe shoqëror”.

“Unë jam kryeministër vetëm këto dy vitet e fundit, tërë jetën kam qenë aktivist politik dhe shoqëror. E në masë të konsiderueshme vazhdoj të jem edhe sot e kësaj dite, me mënyrën se si mendoj, me veprimet që i bëj dhe me politikat që i zhvillojmë dhe ekzekutojmë.” – ka thënë ai.

“Zajednica”?

Kurti po insiston se rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo siç e quan ai, “Zajednica” flitet në nenin 10 të planit evropian, megjithatë, në nenin shtatë të marrëveshjes që tashmë është publikuar në faqen zyrtare të BE-së, përmendet një “nivel i duhur i vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.” – thuhet mes tjerash në nenin shtatë.

Kurti në këtë paraqitje të tij para mediave foli për Asociacionin duke thënë se kjo çështje është “në nenin 10 në një prej 33 marrëveshjeve”.

Ndërkaq, pika 10 e propozimit evropian thotë si vijon: “Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.