Heqja e vizave

Kurti e vlerëson “zhvillim pozitiv” heqjen e vizave me Izraelin

Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar si zhvillim pozitiv heqjen e vizave me Izraelin, i cili u bë shteti i 50-të që mundëson lëvizje të lirë për kosovarët.

Të martën në Prishtinë, në takim me ministrin e Brendshëm izraelit Moshe Arbel, Kurti ka thënë se marrëdhëniet me Izraelin po vazhdojnë të zgjerohen.

“Kryeministri Kurti i uroi fillimisht mirëseardhje ministrit Arbel, veçanërisht me rastin e marrëveshjes e cila do të nënshkruhet sot mes dy shteteve tona për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Ai e vlerësoi këtë marrëveshje si zhvillim pozitiv në marrëdhëniet Kosovë-Izrael, por edhe lajm i mirë për qytetarët tanë, i cili vjen 6 muaj pasi u arrit dhe liberalizimi i vizave me zonën Shengen. Vizitat e ndërsjella dhe marrëveshjet e nënshkruara në fusha e sektorë të ndryshëm mes nesh, janë rezultat i zgjerimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Izraelit. U nënvizua rëndësia e fuqizimit edhe më tej të bashkëpunimit ekonomik, rritjes dhe promovimit të shkëmbimeve tregtare, për të cilën kryeministri dhe i ftoi kompanitë dhe investitorët izraelit që të hulumtojnë e njohin prej së afërmi ambientin e përshtatshëm të të bërit biznes që ofron Kosova”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Sipas njoftimit, Kurti përmendi dhe iniciativën për renovimin e Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren “projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

“Në përfundim të takimit, ai falënderoi ministrin Arbel për vizitën dhe bisedën e frytshme”, vijon njoftimi.

Arbel më herët u takua edhe me ministren e Jashtme Donika Gërvalla.