Kryeministri

Kurti: Baca Sylë, ishte një shpirt luftarak, që i rezistoi kohës dhe na mbushte plot energji e pozitivitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se lajmi për ndarjen e Sylë Tahirsylaj, i ka pikëlluar thellë.

Kurti në reagimin e bërë në Facebook, ka shkruar se kontributi i tij do të mbetet i paharrueshëm, transmeton Telegrafi.

“Kullën e familjes Tahirsylaj në fshatin Isniq e vizituam në tetorin e para dy viteve. Bisedat me Prof. Dr. Sylë Tahirsylaj i patëm të gjata e mbresëlënëse. Kontributi i tij në fushën e metereologjisë në Kosovë dhe për Universitetin e Prishtinës si akademik, do të mbetet i paharrueshëm”, ka pohuar ai.

Tutje, kryeministri ka shkruar se “Baca Sylë, ishte një shpirt luftarak, që i rezistoi kohës dhe na mbushte plot energji e pozitivitet”.

“Lajmi për ndarjen e tij nga jeta na pikëlloi thellë. Do ta kujtojmë përherë përkushtimin për punën dhe dashamirësinë e tij. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Tahirsylaj, për më të dashurin tuaj. Bacën Sylë do ta kujtojmë për jetë e mot”, thotë mes tjerash ai.

Sylë Tahirsylaj ka ndërruar jetë më 16 qershor.