Kur rocku vihej nën llupën e censurës

Tekste këngësh të bendeve që gjallëronin jetën e rockut dhe popit në Kosovë. Hite nga “Gjurmët”, “Ilirët”, “Minatori” e dhjetëra bende që bënë histori gjatë viteve ’80. Copëza gazetash, diskutime e polemika mbi atë se çfarë përfaqësonte rocku.

Diku tjetër një tekst i shkruar me makinë shkrimi, kurse mbi shihen përmirësimet me stilolaps nga redaktori i panjohur. “Ç’është kjo shizofreni ?! Ç’janë këto mendime bastarde?! Fraza banale nga rruga me fjalor mizerabël. Dialogjet e rrugës nuk kemi të drejtë t’i publikojmë e të fyejmë dëgjuesit e nderuar”, është vlerësimi i censuruesit në Radiotelevizionin e Prishtinës, si i vetmi institucion mediatik i kohës ku incizoheshin këngët.

Ekspozita “Kështu edhe ne mbaruam. Çka?” ka sjellë një paraqitje të veçantë me copëza materialesh arkivore që rindërtojnë një histori të para më shumë se tridhjetë vjetëve në Kosovë. E hapur të mërkurën mbrëma në qendrën për art bashkëkohor, “Stacion”, ekspozita ka ardhur në jetë si pjesë e dokumentacionit të një projekti më të gjerë hulumtues mbi festivalin e rockut “Boom”, që u mbajt në Kosovë gjatë viteve 1982-1987.

Titulli i ekspozitës është huazuar nga vargjet e “Kajranfilit”, këngës më të popullarizuar të grupit “Bankrott”, njëra nga shumë bendet e asokohshme në Kosovë. Duke grumbulluar copëza nga Arkivi i RTK-së dhe materiale të tjera dokumentare, ekspozita ka vënë theksin te realiteti i kohës kur të gjitha grupet muzikore detyroheshin të dorëzonin paraprakisht tekstin e këngës që kontrollohej para se të shkonte në incizim në Radiotelevizionin e Prishtinës.