Kuqezinjtë

Kuqezinjtë lënë prapa ndeshjen me Italinë, fokusi te Kroacia

Mario Mitajt nuk i është ndarë buzëqeshja gjatë paraqitjes në konferencë për shtyp, të hënën në mesditë. Mbrojtësi i krahut të majtë i Shqipërisë ka treguar se atmosfera në Kombëtare vazhdon të jetë shumë e mirë dhe se tani fokusi është kthyer te ndeshja me Kroacinë.

Shqipëria të shtunën e luajti ndeshjen e parë në “Euro 2024”. Ndonëse shënoi gol pas 23 sekondash me Nedim Bajramin, Shqipëria pësoi 2:1 nga Italia, kampionia në fuqi e Evropës.

Ndeshja e dytë në grup, ndaj Kroacisë, është të mërkurën nga ora 15:00 në Hamburg. Kroacia në ndeshjen e parë pësoi 3:0 nga Spanja.

“Ka kaluar ndeshja me Italinë, e kemi harruar mërzinë që kishim që nuk morëm pikën që deshëm. Po përgatitemi, po analizojmë kundërshtarin. Do të futemi me të njëjtin personalitet dhe shpresojmë të shkojmë më mirë dhe të marrim një pikë”, ka thënë Mitaj në konferencë për shtyp.

Ai është bërë më i riu që ka luajtur për Shqipërinë në Kampionat Evropian. Tashmë është prej lojtarëve kryesorë te kuqezinjtë. 

Mitaj ka thënë se kishte vetëm emocione të mira në ndeshjen ndaj Italisë,  për shkak të përkrahjes nga 50 mijë shqiptarë.

I pyetur se cili lojtar i Shqipërisë mund të jetë vendimtar, Mitaj e ka përmendur Armando Brojën. Ka thënë se “Broja mund të bëjë shumë dëm për kundërshtarët”. Ka përmendur edhe goditjet e bukura të Jasir Asanit.

Gjasat e Shqipërisë për të kaluar grupin nuk vlerësohen shumë të mëdha. Pos me Kroacinë, Kombëtarja përballet edhe me Spanjën. 

“Nuk i nënvlerësojmë kundërshtarët. Grupi është i vdekjes, gjithë kundërshtarët janë shumë të fortë. Kroacia mund të dalë e para, nuk i dihet. Do të dalim në fushë dhe do të luftojmë sa më fort për të marrë një rezultat të mirë”, ka thënë Mitaj. Ai ka shtuar se mendjen e ka vetëm te Kombëtarja e jo tek e ardhmja në nivel klubesh.

Duke folur për ndeshjen me Italinë, 20-vjeçari ka thënë se goli i hershëm i ka habitur lojtarët dhe tifozët. Ka treguar se Kombëtarja u kthye menjëherë në mbrojtje dhe për këtë ishte e pritur që Italia të gjejë hapësirën dhe të shënojë golat. Sipas tij, ndaj Italisë nuk mund të luhet gjithë kohën në mbrojtje.

Sylvinho e ka vlerësuar të mirë paraqitjen, ndërsa ka kërkuar nga Kombëtarja që të jetë më e kujdesshme në goditjet standarde, ka treguar majtaku.  Ai pret përkrahje të madhe të shqiptarëve edhe në ndeshjen ndaj Kroacisë.

“Ne po përgatitemi dhe kemi analizuar shumë mirë Kroacinë. Duhet të shkojmë nga ndeshja në ndeshje. Tani na intereson vetëm Kroacia. Shpresojmë të marrim rezultat sa më të mirë dhe më pas i kthehemi ndeshjes me Spanjën”, ka theksuar Mitaj. “I dimë cilësitë e Kroacisë, e dimë sa e fortë është. Sot do të analizojmë më shumë taktikisht si do të futemi në fushë. Kroacia të gjitha repartet i ka të forta. Besoj se mbrojtjen e ka të fortë”.

Mitaj është pyetur edhe për kritikat e shumta ndaj Elseid Hysajt, që është dukur se ka ulur kokën pas goditjes që solli golin e dytë të Italisë. Sipas Mitajt, nuk është mirë të kritikohet një lojtar, sidomos një si Hysaj që ka dhënë shumë për Kombëtaren.

Sa i takon ekipit, ka thënë se ka shumë harmoni dhe se do të jetë njëjtë deri në fund të Evropianit.