Kuotat e BE-së për çelikun nuk do të ndikojnë në industrinë e Maqedonisë, thotë Qeveria

Kuotat për importet e çelikut dhe aluminit që i vendos Bashkimi Evropian (BE) nuk pritet të ndikojë mbi industrinë e Maqedonisë. Nga Qeveria pohojnë se ndoshta nuk mund të ketë rritje spektakolare, por nuk do të ketë as rënie rreth pesë viteve të fundit.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev dje gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Top tema” ka deklaruar se kuotat që i vendos BE-ja janë me qëllim të mbrojë ekonominë nga konkurrenca jolojale dhe se nuk do të shkaktojë rënie të ekonomisë së vendit. Ka sqaruar se kompanitë e Maqedonisë do të mund të eksportojnë çelik sipas rregullit që parasheh në mesataren e tre viteve të fundit, t’i shtohen edhe pesë për qind. Këtu, shton Angjushev, nuk bëhet fjalë për ulje, por rritje prej pesë për qind.

Sipas Angjushevit, më i goditur ka qenë “Makstili” pasi vitet e kaluara për kompaninë kanë qenë të “vështira” dhe për këtë duhet të eksportojë sasi të tillë.

Për shkak të kuotave për eksportin e çelikut dhe aluminit, disa fabrika vendore janë ankuar se u kufizohet mundësitë për plasim dhe se do të detyrohen t’i dërgojnë të punësuarit në pushim të dhunshëm.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani në brifingun me gazetarë të dielën konfirmoi se ka arrit nota formale e KE-së, sipas së cilës nga viti i ardhshëm për kompanitë e Maqedonisë do të vlejnë masat e reja për eksporte të kufizuara në BE.

Sipas KE-së, pasi të plotësohen kuotat për eksportin e çelikut dhe aluminit, dogana do të rritet për 25 për qind.