Krejt çka tha Martin Berisha para deputetëve për aferën e energjisë

“E kam njohur babanë tënd. Kur ai ishte ushtar në Podgoricë unë kam qenë gjimnazist. Ai shkruante me dorën e majtë”, i tha Martin Berishaj, Besian Mustafës, deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur e kreu intervistimin para komisionit hetues parlamentar për energji.

Se me çfarë dore shkruante Xhemail Mustafa dekada më parë Berishaj e kujtonte mirë.

Por, kompaninë e tij MB Consulting që e ka në Mal të Zi, nuk e paraqiti si aset ashtu siç kërkohet me ligj kur u bë ambasador i Kosovës në Kroaci, sepse – besoni ose jo – nuk iu kujtua që e kishte.

“Me thanë të drejtën kur jam ba ambasador as s’em ka ra ndërmend ma me… me… me u… u… marr me atë problem”, tha Berishaj kur u pyet nga kryesuesi i Komisionit, Driton Selmanaj, për kompaninë e tij MB Consulting, e cila raportohej se është kompani pa asnjë punëtor veç Berishajt dhe që merr para nga kompania sllovene GEN-I, dega në Beograd.

Raportimet për një kohë të gjatë ishin quajtur “fushatë”, “gënjeshtra” e “Fake News”, por Berishaj i konfirmoi pothuajse të gjitha që janë raportuar, përveç akuzës së ai kishte shpërlarë para dhe ato para të marra nga GEN-I nuk i kishte mbajtur për vetë, por i kishte dërguar në Slloveni, që më pas të shkonin në bursë në Itali, ilegalisht.

Shqiptari nga Mali i Zi, por edhe nga Kosova, edhe nga Sllovenia që aktualisht është ambasador në Kroaci, filloi fjalimin e tij para anëtarëve të komisionit duke thënë se ndjehet fort i privilegjuar që gjendet ballë tyre – edhe pse para tyre gjendej sepse dyshohej për aferë me shit-blerje të energjisë elektrike.

“Unë jam Martin Berishaj, të tjerët më kanë njohur si profesori”, deklaroi Berishaj.

Televizioni që ka raportuar për rastin e Berishajt quhet TV Planet në Slloveni, por Berishaj i referohej si portal.

“Unë nuk jam marrë me atë se i biri i kujt është që e ka shkruar atë tekst. Është një djalë që e ka mbiemrin Petroviç. Baba i ka punuar diku tjetër, një shërbim të dikujt tjetër, po s’ka lidhje”.

Sa për mediat në Kosovë, tha se për to “s’kam pushkë”.

“Shumicën e këtyre gazetarëve tonë i kam pasur studentë. Edhe u them kur t’u mungojë lapsi, çoni një fjalë se baca Martin ua blenë lapsin”.

Pas prezantimit, Berishajt iu bë një pyetje e thjeshtë.

A jeni drejtor i kompanisë MB Consulting në Podgoricë?

“Po”, do ishte përgjigja e shkurtër, por Berishaj, sikur edhe të gjitha përgjigjet më pas, i mbështillte me një paqartësi të çuditshme, por që gjithsesi në fund rezultonin të vërteta raportimet e bëra më herët për të.

“MB Consulting është një firmë që e kam formuar unë në vitin 2017 në Mal të Zi, ajo nuk funksion nga viti 2019/20. Ajo i ka kryer të gjitha obligimet që kanë qenë në formë kontraktuale. Ajo nuk rezulton si ndërmarrje e cila qarkullon, nuk është e mbyllur fizikisht, sepse procedura është e tillë”.

Edhe për dy firmat e tjera të regjistruara në Kosovë, doli se raportimet ishin të sakta. Berishaj e pranoi se i ka themeluar, por me njëfarë hutie.

“Ka dal edhe një firmë tjetër që e paskam pas unë në vitin 2007. Ajo nuk ka funksionuar kurrë. Por, ka mbetur si e tillë…”, vazhdoi ambasadori, duke treguar se atë firmën tjetër, edhe atë e ka pasur por e ka shitur.

“Për këtë arsye nuk i keni deklaruar këto firma”, u pyet?

“Exatly”, u përgjigj Berishaj, duke kërkuar falje më pas që e ktheu në anglisht.

Ambasadori pastaj do pyetej se a ka pasur marrëdhënie kontraktuale me kompaninë sllovene GEN-I, dega në Beograd?

Edhe kjo do rezultonte e saktë dhe në fund përgjigja do ishte pozitive, por jo pa i bërë një hyrje në stilin e vet ambasadori.

“Dua të jem shumë i qartë, për ata që e njohin ekonominë GEN-I është një… nuk ka asnjë lidhje, d.m.th kur i kam dëgjuar, kur i kam lexuar ata është…. si me thanë… Unë GEN-I natyrisht e njoh, ajo është firmë e cila ka filiale në 25 vende të botës, 13 bursa ndërkombëtare të shti-blerjes. Është ‘pure’, është 100 për qind pronë sllovene. Unë kam qenë aty si këshilltar, unë kam thënë këshilla se çka do të duhej të bëjë një firmë e madhe. GEN-I është regjistruar në ZRRE në vitin 2009. Shit-blerja e rrymës nuk është shit blerje një spec këtu e një spec aty hajt ta blejë, janë në formë elektronike…”, vazhdonte përgjigja e Berishajt pa treguar akoma atë që u pyet: “A keni pasur marrëdhënie kontraktuale me GEN-I, dega në Beograd?”.

“GEN-I është filiale, janë kaq e kaq filiale, për Ballkan ka qenë e përcaktuar GEN-I në Beograd”, e tha më në fund Berishaj dhe më pas bëri një analogji se çka i bie kjo punë.

“Është si me ble Coca-Colën në Kosovë, apo si me ble Coca-Colën në Teksas. Çdo marrëveshje që është bë, është bë në mënyrë transparente dhe ajo mund të shikohet”, deklaroi Berishaj, edhe pse me vete s’kishte sjellë kontratë që “të shikohet”.

Por, diçka ishte e paqartë. Berishaj është studiues i shkencave politike, GEN-I kompani e energjisë elektrike. Çfarë po këshillonte ai?

Në përgjigjen pasuese do shpërthente sistemi berishjan i shpjegimit krejtësisht abstrakt të rolit të tij.

Meqë është e pamundur të interpretohet ky stil, përgjigjen po e sjellim të plotë.

“Konsultimi im ka qenë kështu… se unë kam lexuar shumë gjëra tjera, e kam dëgjuar një fjalë që unë kurrë në jetë se kam dëgjuar, nuk është shqip sigurisht ‘sekser’. Oh My god, domethënë. Unë s’e kam ditë çka është me iu thanë të vërtetën. Pra ashtu siç ju thash, Kompania GEN-I është një prej kompanive më prestigjioze në Evropë për tregtim të energjisë. Dhe ajo kompani i ka marrë njerëzit të cilët… si këshilltar, natyrisht unë marrëveshjen me ta, poqë se ata arrijnë në bursa në bazë të informacioneve, informacioneve… cili është informacioni, supozojmë informacioni është që në muajin maj të vitit 2019 parashihet në Mal të Zi testimi gjashtë mujor i një projekti, këtë informacion unë e kam pas dhe këtë informacion iu kam thënë po është, dhe në bazë të këtyre konsultimeve ne i kemi, i kemi, i kemi nënshkruar në baza mujore. Kjo nuk do të thotë që konsultimet që janë bë kanë pasur rezultate maksimale, por kanë qenë shumë të rëndësishme për ata të cilët… unë nuk jam inxhinier i elektros, unë jam doktor i shkencave politike, unë i di lëvizjet në Ballkanin Perëndimor se si shkojnë dhe i kam pas këto informacione dhe në bazë të këtyre informacioneve ata e kanë gjetur leverdinë e vetë se si t’i ofrohen X shtetit”.

Kjo ishte përgjigja e Berishajt për ta “shpjeguar” rolin e tij si këshillues në një kompani që merret me një lëmi ku Berishaj s’ka kurrfarë ekspertize.

Ai tregoj gjithashtu që në kompaninë e tij MB Consulting s’ka asnjë punëtor, veç tij.

Në pjesën e fundit të intervistimit profesori Berishaj do prodhonte një pikëpyetje të madhe me përgjigjet e tij të turbullta.

Kosova gjatë vitit të kaluar (por edhe këtë vit) ishte në krizë të madhe energjetike. Ambasadori, siç e shpjegojë edhe vetë, tha se i njeh lëvizjet në Ballkan dhe gjithashtu e pranoi se ka këshilluar me pagë të majme një kompani që shet energji elektrike. Shteti pikërisht kishte problemin se nuk gjente rrymë për të blerë, aq më pak me çmim të volitshëm.

Në këtë kohë krize një ekspertizë si kjo e Berishajt patjetër se do të duhej të shfrytëzohej. Por, për çudi, ai tha se as që e ka folur me ministren e kryeministrin këtë punë.

“Jo nuk kam pasur komunikim me kryeministrin, as me shkrim as me gojë nuk kemi fol për atë çështje”, deklaroi para komisionit.

Si përfundim, Martin Berishaj e konfirmoi se kishte pasur dy kompani në Kosovë të cilat nuk i ka deklaruar. E konfirmoi se ka një kompani në Mal të Zi me emrin MB Consulting të cilën po ashtu nuk e kishte deklaruar. E konfirmoi se punëtori i vetëm i saj është ai. E konfirmoi se përkundër se është profesor i shkencave politike ka qenë i angazhuar si këshilltar në një kompani që merret me energji elektrike. E konfirmoi se është paguar nga kompania GEN-I, dega në Beograd.

Por, çuditërisht, përkundër këtyre konfirmimeve, e gjithë intervista u përjetua si njëfarë pastrimi nga “shpifjet mediatike” dhe ambasadori u falënderuar përzemërsisht që erdhi të raportojë.

Kështu El Profesore Martin Berishaj iku për Slloveni, duke iu lënë porosi në komision që parat që janë dedikuar nga komisioni për shpenzimet e rrugës dhe qëndrimit “t’i jepen një familje në nevojë”.