Kreditë e garantuar krijojnë 3 mijë e 740 vende të reja pune

Në përvjetorin e tretë të themelimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), u tha se për këtë periudhë janë dhënë 2 mijë e 560 kredi të garantuara për biznese të vogla dhe të mesme, në vlerë rreth 100 milionë euro, që kanë arritur të krijojnë mbi 3 mijë e 700 vende të reja pune në Kosovë.

Po sot, Fondi Evropian i Investimeve dhe Fondi i Garancisë së Kredive të Kosovës nënshkruan programin ‘Cosme’ për garantimin e kredive dhe për rritjen e kapitalit të FKGK-së.

Kryetari i Bordit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Rinor Gjonbalaj, theksoi se brenda një kohe të shkurtë po sigurohet kapital shtesë dhe programe të reja nga Programi ‘Cosme” që pritet t’i japë një përkrahje edhe bizneseve.

Gjonbalaj tha se Fondi do të vazhdojë edhe më fuqishëm t’i përkrahë bizneset në vend dhe në bashkëpunim me partnerët do të rritet impakti në sektorin privat, sidomos për kompanitë prodhuese, bizneset që udhëhiqen nga femrat dhe ndërmarrësit e ri.

Me këtë raste zëvendës ministri i Financave, Fatmir Gashi tha se përmirësimi i ambientit të të bërit biznes dhe krijimi kushteve për mbështetjen e investimeve në sektorin privat mbetet prioritet strategjik i Qeverisë së Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt tha se vendi i tij vazhdon ta mbështesë Kosovën financiarisht, ndërsa tash e tutje është vënë një fokus i veçantë për bujqësi, në mënyrë që të ketë zhvillim të qëndrueshëm dhe krijim të vendeve të reja pune.

Heldt tha se shteti gjerman për këtë vit do të ndajë edhe 6.5 milionë euro për FKGK-në. Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, me këtë rast tha se fondi gjatë këtyre tri vjetësh ka arritur sukses të jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ndërsa, Ricardo Serri nga Zyra e BE-së, tha se “Cosme” është program që Bashkimi Evropian e menaxhon brenda kufijve të vet dhe tani është zgjeruar për ta mbuluar edhe Kosovën dhe ky program fokusohet kryesisht në zhvillimin ekonomik.

Këshilltari i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Durim Limaj, duke vlerësuar lart të arriturat e FKGK-së, tha se marrëveshja për programin ‘Cosme’ është një hap tjetër pozitiv për bizneset kosovare në mënyrë që ato të kenë qasje më të lehtë në financa.