Dialogu

Koordinimi SHBA-BE, vlerësime të ndryshme për të ardhmen e dialogut

Çështja e shumëpërfolur e dinarit serb ka mbetur nën hijen e Asociacionit dhe fatit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Por, këtë çështje e ka rikthyer sërish në vëmendje emisari amerikan Gabriel Escobar pas takimit në Washington me ndihmës sekretarin e SHBA-së për çështje evropiane, Jim O’brien dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Sllovaku Lajcak dhe amerikani Escobar po kalojnë muajt e fundit në mandatet e tyre, por dinarin e kanë theksuar kur kanë diskutuar strategjitë që thanë se i koordinuan për vazhdimin e dialogut pas largimit të tyre.

E, ky koordinim, sipas Andi Hoxhajt, i cili është profesor në universitetin “Warwick” në Londër, konfirmon rëndësinë që dialogu ka për Washingtonin dhe Brukselin.

Derisa Hoxhaj pret që dialogu me ndërmjetësit e rinj të ketë qasje më ndryshe, ai nuk beson se do të ndryshojë thelbi i tij.

“Mandati i tyre është duke mbaruar dhe rëndësia që kanë në dialog është zbehur pak. Mirëpo, nga ana tjetër mund të jetë ky edhe një moment goxha kyç për ta zhbllokuar dialogun dhe për ta çuar në disa shina sepse në fund të fundit ne nuk e dimë çfarë do të kemi pas zgjedhjeve sidomos në BE që na presin tani fare pranë. Por substanca nuk duket se ka për të ndryshuar”,tha Andi Hoxhaj, Profesor në Universitetin “Warwick”, Londër.
Por vlerësim më ndryshe ka profesori i një tjetër universiteti evropian.

Abit Hoxha i cili ligjëron në Norvegji, thotë se zëvendësuesit e ndërmjetësve dhe mbështetësve aktual nuk do të kenë ndjekin rrugë ndryshe.

“Kjo është një shenjë që edhe pasardhësit e Escobarit dhe Lajçakut do të ndjekin trasenë e njëjtë ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe është një shenjë që Kosova dhe Serbia do duhej të rimendonin çështjen e dialogut sepse nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh prej anës së bashkësisë ndërkombëtare”, tha Abit Hoxha, Ligjërues në Universitetin e Adgerit, Norvegji.

Pas verës, kandidat për ta zënë vendin e Lajçakut si ndërmjetës i dialogut nga BE-ja është ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Kurse, deri tani nuk dihet se kush mund ta zëvendësojë Escobarin si emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.