Skenderaj

Arrestohen katër persona, dyshohen se janë përfshirë në disa vjedhje të rënda në Skenderaj

Nga bastisjet e zhvilluara gjatë ditës së sotme në Skenderaj dhe Drenas janë arrestuar katër persona që dyshohen për “Vjedhje të rëndë”.

“Arrestimi i katër personave të dyshuar është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe provave të siguruara, pasi të njëjtit dyshohen se janë të përfshirë në disa raste të veprave penale vjedhje të rënda të ndodhura muaj më parë në zonën e Skenderajt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Në njoftim bëhet e ditur se është sekuestruar një veturë dhe dëshmi tjera relevante.

“Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një veturë dhe dëshmi tjera relevante. Pas procedurave të intervistimit, me aktvendim të prokurorit katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet tutje në njoftimin e PK-së.