Kosova nuk do dërgojë libra shqip për nxënësit e Luginës

Kosova nuk ka bërë asnjë hap drejt zgjidhjes së problemit të nxënësve në Luginë lidhur me tekstet shkollore.

Këtë e ka pranuar edhe ministri i Arsimit i cili ka thënë se me gjithë vullnetin dhe dëshirën që kanë pasur, ai nuk ka qenë i gatshëm të marrin vendim që t’i dërgojë librat në kufi.

Në raportimin e tij para Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka thënë se janë mundur të krijojnë mundësi për dërgimin e teksteve shkolle në komunat e Luginës, por që nuk kanë pasur sukses.

Pasi u pyet nga deputetja e Vetëvendosjes, Arbëria Nagavci se a ka bërë diçka lidhur me dërgimin e librave atje, Bytyqi ka thënë se nuk dëshiron të bëjë spektakël duke i lënë librat të qëndrojnë në kufi.

Shpresa e vetme tani për nxënësit atje, për të cilët tekstet shkollore shqipe janë shumë të nevojshme, është Tirana.

Ministri ka thënë se është në pritje të një përgjigje nga kryeqyteti shqiptar  për të parë mundësinë që librat t’i dërgojnë në Luginë nga Shqipëria.

E për ketë, ai tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë në çfarëdo forme me Tiranën duke e ndihmuar me kosto dhe çdo gjë tjetër që kërkohet.

Ndër të tjera, në këtë raportim, ministri ka përmendur edhe depolitizimin e shkollave në Kosovë.

Ai shpreson që të  gjejnë mirëkuptim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe përmes një udhëzimi administrativ, të vendoset që drejtorët e shkollave mos të jenë më të përfshirë në proceset zgjedhore.