Gjermania

Komploti në Gjermani, fillon gjykimi ndaj grupit që do ta rrëmbente kancelarin Olaf Scholz

Tetë persona, anëtarë të ekstremit të djathtë në Gjermani, kanë dalë para gjyqit në Mynih, me akuzën e krijimit të një grushti shteti dhe largimin e kancelarit Olaf Scholz.

Grupi vepronte nën emrin ‘Qytetarët e Rajhut’. Ata besojnë se demokracia e sotme gjermane është është një fasadë e paligjshme dhe se ata janë qytetarë të një monarkie që, siç thonë ata, përjeton me negativitet disfatën e Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore.

Të pandehurit në gjyqin e Mynihut akuzohen se kanë pasur role të ndryshme brenda të ashtuquajturit këshill i cili planifikoi të ngrinte një Gjermani ndryshe nëse grushti i tyre do të ishte i suksesshëm.

Të akuzuarit, duke përfshirë një mjek të përgjithshëm, një kuzhinier të famshëm dhe një astrolog, akuzohen se shërbenin si këshilli drejtues i komplotit dhe, sipas prokurorëve kishin krijuar një kabinet, që do të vihej më pas në funksion nëse plani për të sulmuar ndërtesën e parlamentit dhe rrëzuar qeverinë, do të zbatohej me sukses.

“Gjithsej 500 mijë euro dyshohet se janë mbledhur nga të akuzuarit, si dhe një numër i madh armësh, thanë prokurorët. Prokurorët thonë se grupi kishte plane për të rrëmbyer kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Grupi planifikoi të vendoste të ashtuquajturin aristokrat gjerman dhe investitorin e pronave Heinrich XIII Prinz Reuss, i cili është pasardhës i një dinastie tashmë pa fron, si kreun kujdestar të shtetit.

Tetë të pandehurit janë në mesin e gjithsej 26 të akuzuarve që përballen në gjyq këtë vit. Së bashku, ato përbëjnë një nga procedurat më të mëdha ligjore në historinë gjermane. Komploti terrorist u zbulua nga autoritetet në fund të vitit 2022.