Henry Kissinger

Kissinger – burrështetasi që vuri në dyshim qëllimet e SHBA-së në Kosovë

Ishte tetori i vitit 1998 kur Henry Kissinger, atëkohë ish-sekretar i Shtetit amerikan, tha se do ta mbështeste ndërhyrjen ndërkombëtare për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Kosovë, por se është e paqartë për të se çfarë do të mund të arrihej “në një konflikt etnik në skaje të Ballkanit”.

Kissinger, i cili vdiq në moshën 100-vjeçare, i bëri këto komente në Forumin 2000 në Pragë – njërin prej disa forumeve të iniciuara nga presidenti i atëhershëm i Republikës Çeke, Vaclav Havel.

Asokohe, Kosova po përballej me dhunë në rritje nga regjimi serb.

Kissinger tha se Perëndimi po shkon drejt veprimit ushtarak në Kosovë me mjetet e nevojshme ushtarake, por pa qëllime të qarta.

Për sulmet e serbëve në Kosovë, tha ai, disa do të donin ta fajësonin presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq, të cilin e quajti “kriminel lufte”. Por, shtoi se “për krizën etnike në Ballkan nuk mund të fajësohet askush”.

“Është një krizë e ndërveprimit midis Islamit dhe Krishterimit në skaje të Ballkanit, e cila ka vazhduar për qindra vjet”, tha Kissinger, fitues i Çmimit Nobel për Paqe, më 12 tetor të vitit 1998.

Ai, po ashtu, tha se “mbështet fuqishëm veprimet për t’iu dhënë fund vrasjeve direkte” të shqiptarëve të Kosovës, por theksoi se ekziston rreziku që çdo zgjidhje e përkohshme e një problemi në Kosovë, “të ndezë konflikte të reja etnike”.

Ai tha se shpreson se Perëndimi do ta shqyrtojë rregullimin e konflikteve në Ballkan në atë mënyrë që shmang fillimin e konflikteve të reja etnike duke shtypur një të tillë.

Kissinger, i cili kishte shërbyer si kryediplomat dhe këshilltar i sigurisë kombëtare gjatë administratave Nixon dhe Ford, tha se shumica e udhëheqësve në Kosovë – si shqiptarë, ashtu edhe serbë – e mbështesin konfliktin. Çka nevojitet atje, tha ai, është një propozim i detajuar se si do të qeveriset Kosova kur të përfundojnë armiqësitë dhe “një diskutim nga fshati në fshat se si funksionon autonomia”.

“Asnjë forcë tokësore e SHBA-së për Kosovën”

Katër muaj më vonë, në shkurt të vitit 1999, Kissinger doli me një opinion në gazetën amerikane Washington Post, ku kundërshtoi dislokimin e trupave amerikane në Kosovë.

Atë muaj, presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, tha se trupat amerikane janë gati për forcën paqeruajtëse të Kosovës.

Rreth 4.000 ushtarë amerikanë, sipas tij, do të përbënin rreth 15 për qind të një force paqeruajtëse të NATO-s, që do të kujdesej për çdo armëpushim të arritur mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Është gjithnjë e më e qartë se kjo përpjekje mund të ketë sukses vetëm nëse përfshin një forcë paqësore, të udhëhequr nga NATO-ja, që u jep të dyja palëve besim për t’i ulur armët”, tha në atë kohë Clinton.

Kissinger – i cili u tërhoq nga detyrat në mesin e viteve 1970, por u konsultua gjatë nga udhëheqësit e ardhshëm – tha se përpara se të bëhet ndonjë dislokim i trupave amerikane në Kosovë, duhet t’iu jepet përgjigje disa pyetjeve: “Çfarë pasojash po përpiqemi të parandalojmë? Çfarë synimesh po përpiqemi të arrijmë? Si i shërbejnë ato interesit kombëtar?”

“Presidenti Clinton e ka justifikuar dislokimin e trupave amerikane në Kosovë duke thënë se konflikti etnik në Jugosllavi kërcënon ‘qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e Evropës’. Zëdhënës të tjerë të administratës e kanë krahasuar sfidën me atë të kërcënimit të Hitlerit ndaj sigurisë evropiane. Asnjëra nga këto deklarata nuk i provon realitetet në Ballkan”, shkroi Kissinger në Washington Post.

Sipas tij, dislokimi i propozuar në Kosovë “nuk ka të bëjë me ndonjë kërcënim për sigurinë amerikane, siç është konceptuar tradicionalisht”.

Deklaratat e presidentit se “ne mund të bëjmë një ndryshim” dhe se “Amerika simbolizon shpresën dhe vendosmërinë”, sipas Kissingerit, “janë nxitje”.

“A nënkuptojnë ato se fuqia ushtarake e Amerikës është e disponueshme për t’i mundësuar çdo grupi etnik ose fetar ta arrijë vetëvendosjen? A do të bëhet NATO-ja artileri për konflikte etnike? Nëse Kosova, pse jo Afrika Lindore apo Azia Qendrore?”, pyeti Kissinger.

Në mars të vitit 1999, Kissinger përsëriti po të njëjtin qëndrim – se nuk e favorizon vendosjen e trupave amerikane në Kosovë.

Ai foli në Kongresin amerikan, me ftesë të udhëheqësve republikanë, të cilët, po ashtu, kundërshtonin dërgimin e trupave amerikane në Kosovë.

Më 24 të atij muaji, Clinton iu drejtua kombit amerikan, për të njoftuar nisjen e sulmeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, me qëllimin e vetëm: ndaljen e dhunës në Kosovë.

Në korrik të ’99-ës, kur ushtria serbe u tërhoq nga Kosova, mijëra ushtarë amerikanë iu bashkuan forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Afro 600 trupa amerikane mbeten edhe sot në Kosovë.

Roli i Kissingerit në çështjet botërore

Në disa media perëndimore, Kissinger u përshkrua si diplomat përçarës, që formësoi çështjet botërore.

Një praktikues i përkushtuar i “realizmit” në marrëdhëniet me jashtë, ai u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, por u cilësua edhe si “kriminel lufte”, shkroi BBC.

Sipas mediumit britanik, diplomacia e tij fluturuese ndihmoi në përfundimin e konfliktit arabo-izraelit më 1973, ndërsa negociatat për Marrëveshjet e Parisit për Paqe e nxorën Amerikën nga makthi i gjatë në Vietnam.

Por, Kissinger u akuzua për mbështetje të heshtur për grushtshtetin e përgjakshëm që përmbysi Qeverinë e majtë në Kili dhe për mbylljen e syve ndaj “luftës së pistë” të ushtrisë argjentinase kundër popullit të saj.

Derisa shumë e vlerësuan Kisingerin për “shkëlqimin dhe përvojën e tij të gjatë”, të tjerë e cilësuan si “kriminel lufte” për “mbështetjen e diktaturave antikomuniste, veçanërisht në Amerikën Latine”, shkroi Reuters.

Sipas gazetës Washington Post, Kissinger arriti pushtet, famë dhe pasuri përtej ëndrrave të shumicës së njerëzve në jetën publike, por dekadat e fundit i kaloi duke mbrojtur veten dhe pozitën e tij në histori.

“Gatishmëria e tij për ta vendosur interesin strategjik përpara vlerave të larta, u demonstrua në korrik të vitit 1975, kur e bindi Fordin që të mos e takojë autorin e mërguar rus, Alexander Solzhenitsyn, në Shtëpinë e Bardhë. Solzhenitsyn ishte simbol i gjallë i rezistencës së guximshme kundër shtypjes sovjetike, por Kissinger kishte frikë nga ndikimi negativ në politikën e tij të zbutjes me Moskën”, shkroi Washington Post.

Në janar të këtij viti, Kissinger tha se lufta e Rusisë në Ukrainë tregon se nuk ka më kuptim që Kievi të mbahet jashtë NATO-s.

“Ideja e një Ukraine neutrale në këto kushte nuk ka më kuptim”, tha ai.

Kissinger lindi në një familje hebraike të klasës së mesme në Bavari, më 27 maj 1923.

Familja i iku persekutimit nazist dhe iu bashkua komunitetit gjermano-hebre në Nju Jork, në vitin 1938.

Kissinger vdiq të mërkurën në shtëpinë e tij në Konektikat, njoftoi kompania e tij konsulente.

Ai la pas gruan e tij prej gati 50 vjetësh, Nancy Maginnes Kissinger, si dhe dy fëmijë, Elizabeth dhe David, nga një martesë e mëparshme.