Ja pse votimi i mocionit të mosbesimit në vitin 2010 s’mund të krahasohet me votimin e mocionit të mosbesimit në vitin 2020, në kuptim të shpërndarjes së Kuvendit

Analistë, Jurist dhe këshilltar të Kryeministrit, përmes paraqitjeve publike, duke u munduar të japin argumente se votimi i suksesshëm i mocionit të mosbesimit të qeverisë rezulton me shpërndarjen e kuvendit të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve tëparakohshme, krijojnë argumente dhe ngrisin paralele, me vitin 2010, kur pas votimit tësuksesshëm tëmocionit të mosbesimit, ishte shpërndarë Kuvendi i Kosovës dhe ishin shpallur zgjedhjet e parakohshme.

Megjithatënë kuptim të rrethanave kushtetuese dhe faktike nuk duhet të krahasohet situata e vitit 2010 me atë të vitit 2020, sa i përket shpërndarjes së kuvendit, sipas nenit 82.2 të Kushtetutës, kjo për disa arsye.

Në vitin 2020 vetëm pas pesë muajve tëkonstituimit të parlamentit dhe 53 ditëve të krijimit të qeverisë, u votua mocioni i mosbesimit. Situata e vitit 2010 ka qenë krejtësisht ndryshe nga ajo qëështë tani për arsyet si në vijim:

Në kohën kur është rrëzuar qeveria me 2 nëntor 2010, Kuvendi i Kosovës pothuajse kishte hyrë në vitin e fundit të mandatit, kurse qeveria për pak muaj kalonte në vitin e tretë të mandatit të saj, sepse e njëjta ishte krijuar me 8 janar 2008 (Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e nëntorit 2007 ishte konstiuuar më herët), kurse u rrëzua me mocion mosbesimi me 2 dhjetor 2010. Në anën tjetër më vitin 2020, Kuvendi ka shpenzuar vetëm shtatë (7) muaj mandat, kurse qeveria vetëm pas 53 ditësh u shkarkua me mocion mosbesim nga Kuvendi i Kosovës. Siç mund të shihet situata kushtetuese dhe faktike është krejt ndryshe nga viti 2010 dhe 2020. Kështu në vitin 2010 kemi pasur një kuvend që pothuajse kishte hyrë në vitin e fundit të mandatit të tij kurse në 2020 kemi një kuvend që ka shpenzuar vetëm shtatë muaj mandat.  Një kuvend që kishte hyrë në vitin e fundit të mandatit, sikur rasti 2010 nuk mund ta zgjedhte një qeveri të re që do të kishte mandat më pak se një vit(sepse mandati i qeverisë zgjat sa zgjatë edhe mandati i Kuvendit të Kosovës). Madje nëse do të vendosej për krijimin e një qeverie të re në vitin 2010, duhet të kemi parasysh edhe faktin se maksimalisht 30 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit do të duheshin të mbaheshin zgjedhjet e rregullta, që nënkupton se një qeveri eventuale në vitin 2010, pas votimit të mocionit të mosbesimit do të kishte mandat më pak se një vit. Në situatën e tanishme, një qeveri që del nga kuvendi aktual i Kosovës do të ketë mandat të rregullt maksimalisht deri me datë 26 shtator 2023. Andaj këto janë rrethana kushtetuese mjaft të qarta, që dallojnë situatën e vitit 2010 dhe atë të këtij viti, sa i përket efekteve kushtetuese të mocionit të mosbesimit të qeverisë.

Në vitin 2010 kemi pasur krizë kushtetuese, pasiqë Presidenti kishte dhënë dorëheqje dhe vendi kishte mbetur me UD President. Po ashtu njëri prej partnereve të koalicionit kishte dalë nga qeverisja (LDK). Në vitin 2020 rrethanat janë tjera, nuk kemi dorëheqje të Presidentit dhe as dalje nga koalicioni, para nuk kemi krizë kushtetuese. Në vitin 2020 thjesht kemi rastin kur shumica parlamentare që ka qenë në fillim pro qeverisë, tani është kthyer kundër qeverisë, me votim e mocionit të mosbesimit. Pra rrethanat faktike kanë qenë krejtësisht tjera. Në vendet demokratike kemi mjaft raste kur shumica parlamentare ndryshon në disfavor të qeverisë, brenda një kohe të shkurtë nga kur votohet qeveria.

Në vitin 2010 Kosova ka qenë me UD President, i cili mund ta ushtroj mandatin vetëm 6 Muaj. Kjo nënkupton se Kuvendi i shpërndarë në vitin 2010 do të duhej ta zgjedhte Presidentin e ri pas 6 Muajsh(Presidenti Sejdiu kishte dhënë dorëheqje me 27 shtator 2010, kurse Presidenti i ri do të duhej të ishte i zgjedhur me 27 Mars 2011). Një shumicë parlamentare nga parlamenti i shpërndarë në vitin 2010, ku LDK kishte dalë nga partneriteti qeverisës ka qenë e pamundur ta zgjedh një President pas 6 muajve, ku duheshin 80 vota. Kjo për shkak se shumica parlamentare ishte jo stabile dhe e pa qartë për arsye të krizës kushtetuese që ishte me 2010. Kështu është dashur të mbaheshin zgjedhjet, të krijohet kuvendi i ri dhe i njëjti ta zgjedhtë Presidentin, sepse një kuvend në fund të mandatit, sikur ai i shpërndarë në vitin 2010 nuk kishte legjitimitet që të zgjedhte një president, me mandat për 5 vitet e ardhshme. Kështu ndodhi, kuvendi i ri që doli nga zgjedhjet zgjodhi Presidenten Jahjaga në vitin 2011.

Me daljen e LDK nga koalicioni në 2010, krijimi i një shumice parlamentare për formimin e qeverisë së re ishte e pamundur, pasiqësiç u tha, në rrethanat e atëhershme nëse do të krijohej një qeveri e re, ajo do të kishte mandat më pak se një vit. Kur kësaj ja shtojmë edhe krizën kushtetuese me dorëheqjen e presidentit, del që situata kushtetuese dhe politike në vitin 2010 ka qenë krejtësisht ndryshe nga viti 2020. Për më tepër, në vitin 2020 kemi një deklarim shpërthimor të partive parlamentare për mos shpërndarje të Kuvendit dhe krijim të një qeveri të re, duke qenë tëvetëdijshëm për mandatin kushtetues të Kuvendit dhe Qeverisë deri në 2023.

Në vitin 2010, mocioni i mosbesimit ishte mbështetur nga vetë partia fituese e zgjedhjeve, që nënkuptonte që kjo parti (PDK) votoi për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë që e udhëhiqte. Në vitin 2020, mocioni i mosbesimit nuk u votua nga partia fituese (Lëvizja Vetëvendosje), por nga shumica tjetër parlamentare. Ky është argument po ashtu qartë i dallueshëm, nga rasti i vitit 2010 dhe 2020.

Një fakt tjetër që e dallon situatën e vitit 2010 me këtë të vitit 2020 dhe veprimin e Presidentit është fakti se në vitin 2010 nuk kemi pasur praktikë kushtetuese të interpretimit të procedurës për krijimin e qeverisë (nenit 95 të Kushtetutës). Siç dihet në vitin 2014 Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin në rastin KO 113/14 ka interpretuar procedurën e formimit të qeverisë dhe rolin e presidentit në këtë proces. Tanimë ky Aktgjykim është normë kushtetuese e zbatueshme dhe ka krijuar rregulla të reja kushtetuese të sjelljes, të cilat kanë ndikim në situatën ku jemi sot, në krahasim me vitin 2010, kur nuk ka qenë një Aktgjykim i tillë në fuqi.

Andaj, është e pamundur të tërhiqen paralele dhe të krahasohet situata e vitit 2010 me këtë që jemi tani, në kuptim të shpërndarjes së kuvendit, sipas nenit 82.2. Shihet qartë se në vitin 2010 shpërndarja e kuvendit ka qenë një opsion i pa shmangshëm për shkak të rrethanave të krijuara. Prandaj në nenin 82.2 tëKushtetutës, përdoret shprehja “mund”, pra “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”, qënënkupton që shpërndarja është nëvlerësimin e presidentit, duke pasur parasysh rrethanat kushtetuese, politike dhe faktike.