Ish- udhëheqësit politikë në Hagë për festë, avokati Tomë Gashi tregon sa vjet do të zgjat Gjykata Speciale dhe pasojat e saj

Kosova tashmë ka lënë pas vitin 2020, me shumë sfida si në aspektin social, ekonomik apo edhe politik.

Avokati Tomë Gashi përmend dy momente më të rëndësishme që e karakterizuan vitin 2020.

“Janë dy momente që nuk dihet se cili prej momenteve u përjetua më rënd nga qytetarët e Kosovës, e para që ishte thjesht katastrofë natyrore, por që  kapi të gjithë njerëzimin e që ishte shfaqja e virusit COVID-19, edhe në Kosovë diku në mars të këtij viti.

Momenti i dytë që ishte faktori vendor, vjedhja e votave të qytetarëve të 6 tetorit 2019, të cilët votuan për qeveri të ndryshme, për qeveria të shpresës, për qeveri që do ta ndante Kosovën njëherë e përgjithmonë nga e kaluara 20 vjeçare. Pastaj ishin dy rrugë, një që qeveria e formuar nga fituesit e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, që të vazhdonte punën dhe varianti i dytë. Duke u ndjerë të rrezikuar, të gjitha partitë politike u bënë bashkë dhe LDK e cila e inicioi mocionin e votëbesimit në të cilin faktikisht i parapriu rrëzimit të qeverisë Kurti”, tregon Gashi për Ballkani.info.

Qeveria e formuar në krye në Avdullah Hotin, sipas Gashit, solli dëshpërimin e qytetarëve.

Ai thotë, se qeveria Hoti nuk i bëri asgjë të mirë vendit, saqë në shtator të vitit 2020, nënshkroi zotime të dëmshme për Kosovën.

“Qeveria Hoti i solli qytetarëve edhe një dëshpërim tjetër, ngase me vjedhjen e votës së tyre i solli në një situatë thuajse fare nuk është e rëndësishme se kush i fiton zgjedhjet, ngase me makinacione të dirigjuara politike të partive që Kosovën e udhëhoqën për 20 vite, ata thjeshtë u bënë bashkë dhe dhanë porosi tepër të dëmshme, thuajse nuk është fare e rëndësishme kush i fiton zgjedhjet, por e rëndësishme është që kush me kënd bëhet bashkë për të vazhduar agoninë e Kosovës që e lanë si njëlloj vrime të zezë në Evropën e qytetëruar. Vota e vjedhur e la në pushtet qeverinë Hoti të formuar kryesisht në mënyrë të kundërligjshme përreth 7 muaj, që nuk bëri asgjë të mirë për Kosovën, por në shtator të vitit 2020 nënshkroi në Ëashington zotime tepër të dëmshme për Kosovën duke u vënë në lojë edhe territori i Republikës sonë me nënshkrimin e zotimeve, ku ndër të tjera përmendej edhe menaxhimi i përbashkët me Serbinë i liqenit të Ujmanit, duke rrezikuar seriozisht ndarjen e Kosovës në të ardhmen”, thekson Gashi për Ballkani.info.

Viti 2020 është karakterizuar edhe intensitetin e punës së Gjykatës Speciale.

Kjo Gjykatë, pos tjerëve gjatë vitit 2020, më 4 nëntor 2020, arrestoi ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thain, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimi.

Prokuroria i ngarkon ata për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Avokati Tomë Gashi duke komentuar Gjykatën Speciale dhe punën e saj, thotë se është produkt i qeverive të kaluara.

“Gjykata Speciale është produkt i qeverive të kaluara, që për arsye të tyre jo që lejuan por nxorën edhe Ligjin për Gjykatën Speciale pa e ditur fare se farë po nënshkruajnë, pa e ditur se farë përmban raporti i prokurorit amerikan Clint Williamson dhe me këtë përfundimisht i dërguan në Hagë një pjesë të udhëheqësve të UÇK-së të cilët u akuzuan për krime të tmerrshme si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit që në të vërtetë në Kosovë gjatë luftës i kreu Serbia. Mirëpo, për shkak të paaftësisë së udhëheqësve të Kosovës gjatë vitit 2015, tani janë akuzat kundër shqiptarëve pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa krimet serbe janë amnistuar nga kjo gjykatë e quajtur Gjykatë Speciale që në të vërtetë nuk do merret me krimet e Serbisë të kryera në Kosovë gjatë luftës”, shprehet Gashi për Ballkani.info.

Ai e quan Specialen një monstrum juridik, gjersa thotë se me këtë Kosova do të përballet minimum edhe për 10 vjetët e ardhshme.

Do t’i lëkund themelet e shtetësisë së Kosovës, do t’i ndalë njohjet ndërkombëtare, do të krijojë dëme të paparashikueshme kombëtare, janë disa prej pasojave që sipas Gashit, do t’i lë Kosovës Gjykata Speciale.

“Gjykata Speciale është një monstrum juridik të cilin fatkeqësisht nën presion ndërkombëtar, por edhe nga mendimi i gabuar i disa udhëheqësve të Kosovës se duke bërë presion për ta vërtetuar këtë Gjykatë do të shpëtojnë nga ajo. Ky monstrum juridik është aq i dëmshëm për Kosovën saqë paksa i lëkund edhe themelet e shtetësisë së Kosovës, do të i ndalë thuajse krejtësisht njohjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, do të krijojë dëme të paparashikueshme kombëtare, shqiptare dhe është shumë e dëmshme për të ardhmen e shtetit të ri të Kosovës. Gjykata Speciale fatkeqësisht nuk ka një datë se kur do ta përfundojë punën e saj, por me këtë saç mbi kokën e shtetit të Kosovës do të përballemi minimum edhe 10 vjetët e ardhshme”, thekson avokati Gashi.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s./Ballkani.info/