“Hekuran Murati, ministri që interpreton shifra sipas qejfit”

“Ministri Murati e ka bërë si rregull që e merr një shifër dhe e interpreton sipas mënyrës së tij”. “Në rritjen administrative të numrit të të punësuarave më shumë është duke ndikuar çekuilibrimi i tregut të punës se sa masat e mbështetjes financiare të qeverisë, pa përjashtuar edhe ndikimin e tyre”.

Kështu e kanë komentuar për Albanian Post ekspertët e ekonomisë, përkatësisht ekonomisti Erton Bega, dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, deklaratën e Ministrit të Financave Punës dhe Transvereve, Hekuran Murati, i cili tha se “për herë të parë, ekonomia e vendit tonë ka tejkaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës”, dhe këtë ai ia atribuoi politikave të kësaj qeverie, të cilat sipas tij “po funksionojnë”.

Murati duke iu referuar shifrave zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, theksoi se “në fund të tremujorit të dytë sivjet, kemi pasur të regjistruara 404 mijë e 965 vende pune aktive”, duke ia atribuuar vetes këtë “sukses”, pasi që përmendi edhe disa masa të punësimit që kjo qeveri i ka ndërmarrë.

Por, Rukiqi thotë se Murati veç e tha një shifër, e në prezantimin e kësaj të dhëne, pohon ai, nuk tregoi se “ku janë krijuar ato vende pune, në cilat sektorë e me çfarë skeme”.

Prezantimi i këtyre të dhënave në këto momente, sipas anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka një shkas.

“E ka zgjedh periudhën kur kompanitë regjistrojnë edhe punëtorë të përkohshëm, pra për sezonin e verës”, tregon ai, pasi që është e ditur që gjatë sezonës së verës, pra sezonit turistik, rritet numri i atyre që e vizitojnë Kosovën, shto këtu faktin se një numër i madh i diasporës kosovare vjen në Kosovë në këtë periudhë, çka edhe ndikon që bizneset të punësojnë më shumë punëtorë.

“Të mos harrojmë që edhe për një ditë pune, në diçka shumë specifike je i obliguar të paguash tatim në atë ardhurat personale”, elaboron ai për AP, duke shtuar se “numri i të deklaruarve në ATK përfshin edhe ata që kanë kontrata të përhershme edhe ata që kanë kontratë 10 vjeçare, edhe 1 vjeçare dhe 1 mujore edhe 1 ditore”.

Prandaj, sipas Rukiqit, “përderisa nuk del të na tregojë ku janë krijuar ato vende pune, kjo shifër mbetet vetëm një manipulim statistikor i radhës nga Ministri Murati”.

Ndërsa, sipas Begajt masat qeveritare të përkrahjes së punësimit mund “të kenë ndikuar në deklarimin e punonjëseve, përkatësisht formalizmin e vendeve të punës por edhe në hapje të vendeve të reja të punës, pasi janë mbështetje financiare që bizneset i shfrytëzojnë për të ulur kostot ose edhe për të zgjeruar afarizmin e tyre”.

“Njëjtë mund të kenë ndikuar edhe subvencionet në sektorin e bujqësisë, por nuk janë faktorët e vetëm që kanë shtuar deklarimin formal të të punësuarave”, shpjegon ai.

Tregu i punës, për ekspertin e ekonomisë, “paraqet situatë paradoksale në shumë aspekte”, pasi që, siç pohon ai, “bazuar në hulumtimeve të pavarura rezulton që papunësia është problemi kryesor i qytetarëve, e në anën tjetër bizneset janë duke kërkuar punëtorë në vazhdimësi dhe ankohen për mungesë të punëtorëve”.

“Kjo situatë e re e krijuar, veçanërisht pas pandemisë ka ndikuar që edhe vetë bizneset të ofrojnë pako më të mira të punësimit, që përfshin edhe deklarimin e punëtorëve me paga reale, pasi kërkesa për punë është vlerësuar e ulët dhe për të rregulluar nevojat e tyre kanë rritur pakon e punësimit duke deklaruar formalisht punëtorët, duke ngritur pagat, duke aplikuar ligjin e punës më shumë, duke ofruar benefite tjera të punësimit, etj.”, shpjegon ai.

Ndërkaq, Bega bënë me dije se këta faktorë, ndryshe siç thotë Murati, “janë të pavarur nga qeveria”, duke shtuar se për këtë edhe “janë bërë me nisma individuale të bizneseve për të përmbushur nevojat e tyre të punës, pasi çekuilibrimi i tregut të punës ka ndodhur shumë shpejt viteve të fundit dhe për të nxitur aplikimet për punë në kompani private, bizneset kanë ofruar paketa më të mira të punësimit”.

“E në anën tjetër edhe punëtorët nuk pranojnë të punojnë pa kontrata të punës si rrjedhojë e situatës së krijuar në tregun e punës pasi janë të vetëdijshëm për problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset”.

Por, çfarë tha Murati?

Sipas Ministrit të Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, “për herë të parë, ekonomia e vendit tonë ka tejkaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës”.

Përmes një postimi në Facebook, Murati theksoi se duke iu referuar shifrave zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, “në fund të tremujorit të dytë sivjet, kemi pasur të regjistruara 404 mijë e 965 vende pune aktive”.

“Kjo është dëshmia më e mirë që politikat tona të punësimit po funksionojnë”, mendon ai, përkundër se ka pasur kritika të vazhdueshme nga njohësit e ekonomisë për politikat ekonomike të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Ndërkaq, ministri Murati potencoi se “punësimi ka qenë prioritet që nga dita e parë, si njëra nga shtyllat kryesore të programit tonë qeverisës – Punësim e Drejtësi”, duke iu referuar premtimit që Lëvizja Vetëvendosje – partia në pushtet – e kishte bërë gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021, për të cilin është akuzuar nga opozita dhe shoqëria civile se nuk e ka zbatuar në qeverisje.