Greqi, gjenden gjurmë të qytetit të humbur antik

Arkeologët grekë kanë gjetur mbetjet e qytetit antik Tenea të themeluar nga të robërit e Luftës së Trojës të cilët u sollën nga Anadolli në shekullin 12 ose 13 para erës sonë, në afërsi të fshatit Chilimodi në Gadishullin Peloponez.

Arkeologët në Greqi kanë gjetur gjurmët e një qyteti të humbur antik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas CNN, arkeologët grekë kanë gjetur mbetjet e qytetit antik Tenea të themeluar nga robërit e Luftës së Trojës të cilët u sollën nga Anadolli në shekullin 12 ose 13 para erës sonë, në afërsi të fshatit Chilimodi në Gadishullin Peloponez.

Ministria greke e Kulturës tha në një deklaratë se në mesin e gjetjeve ka mbetje të bizhuterive, monedhave dhe strukturave të banimit, duke shtuar se bëhet fjalë për qytetin antik Tenea, ekzistenca e të cilit ishte e njohur nga shënimet historike dhe dëshmitë, por vendndodhja e tij nuk mund të përcaktohej saktësisht.

Arkeologja Elena Korka, kryesuesja e gërmimeve, tha se në studimet e kryera deri më tani, kanë zbuluar vendbanimin urban prej 672 metrash katrorë që përfshin vijat kryesore të disa rrugëve dhe strukturave arkitektonike.

Korka tha se gjatë gërmimeve kanë gjetur varre të fëmijëve të vendosur në themele të banesave, duke shtuar se në periudhën antike, vetëm në qytetërimin romak është lejuar varrosja e fëmijëve në themelet e strukturave banesore, kështu që mbetjet e gjetura janë vlerësuar se i përkasin periudhës mes shekullit 1 para erës sonë dhe shekullit 5 pas erës sonë.

Arkeologët gjithashtu kanë gjetur dysheme prej argjile, mermeri dhe guri në ndërtesa dhe mure të suvatuara me llaç. Brenda ndërtesave është zbuluar një enë e madhe argjile për vendosje gjësendesh, një tubacion argjilor prej 3,5 metrash që supozohet të jetë përdorur si kanalizim.

Siç thuhet, elementet si oborret, shtyllat dhe bazat e shtyllave flasin për një arkitekturë të shkëlqyer dhe të fortë, e cila ishte një tregues i pasurisë dhe prosperitetit të qytetit.

Në këtë zonë, që daton nga periudha helenistike dhe romake, janë kryer shumë gërmime që nga viti 2013, tha arkeologja Korka, duke shtuar se rrënojat e vendbanimit të qytetit u gjetën për herë të parë këtë vit.

“Kemi arritur prova vitale dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e historisë së qytetit. Në vitet e ardhshme mund të përcaktojmë më mirë se ku gjendemi”, theksoi Korka, e cila shpreson të gjejnë mbetje të periudhave edhe më të lashta me vazhdimin e gërmimeve.