Federico Chiesa

“Goli i Shqipërisë na tronditi, ma rikujtoi finalen ndaj Anglisë”, Chiesa paralajmëron Italinë

Federico Chiesa e ka pranuar se goli i hershëm që shënoi Shqipëria i rikujtoi atij finalen e Euro 2020, por ajo përfundoi me fitoren e Italisë gjithashtu. 

“Azzurrët” janë kampion në fuqi të Evropës, por e nisën me një rekord të keq, pasi mesfushori shqiptar Nedim Bajrami shënoi pas 23 sekondave lojë, që ishte goli më i shpejtë në histori të Kampionatit Evropian. 

“Më rikujtoi finalen e Euro 2020, kur fituam pas penalltive në Wembley. Mendoj se goli i hershëm na tronditi, pasi ne menjëherë u hodhëm në sulm dhe sipas pikëpamjes sime, e merituam të shënojnë edhe disa gola të tjerë”, ka thënë fillimisht Chiesa. 

Italia kishte pësuar në minutën e dytë në finale të Euro 2020 ndaj Anglisë, por e fituan ndeshjen pas ekzekutimit të penalltive.

“Teksa rrezikuam pak nga fundi i ndeshjes, në këtë nivel çdo gjë mund të ndodhë. Aty duhet të përmirësohemi, t’i përfundojmë ndeshjet të cilat jemi duke i dominuar”. 

“Ne duhet ta përfundonim ndeshjen më herët pasi gjithçka mund të ndodhë në Evropë. Ne duhet të kishim më shumë pasime vertikale, por trajneri dëshiron ta mbajmë kontrollin e ndeshjes”. 

“Ky është një start me të vërtetë i mirë pasi njerëzit silleshin sikur ne nuk ishim favoritë, por patëm një paraqitje të mirë dhe tani do të luajmë ndaj një ekipi të mrekullueshëm si Spanja”, përfundoi sulmuesi i Juventusit. 

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Spanja e mposhti lehtësisht Kroacinë me rezultat 3-0 dhe si rrjedhojë është lidere e grupit B. /Telegrafi/