Policia e Kryeqytetit

Formimi i Policisë së Kryeqytetit, nevojë imediate sipas ekspertëve

Vrasjet e plagosjet e shumta të ndodhura së fundmi në Prishtinë, po e shtojnë nevojën për formimin e Policisë së Kryeqytetit.

Ekspertët e sigurisë thonë se kjo çështje është imediate për sigurinë në vend. Ata kanë mirëpritur edhe njoftimin e Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili ka thënë se Policia e Kryeqytetit synohet të bëhet këtë vit, kjo pasi sipas tyre, ajo do të minimizojë krimin e organizuar, rrahjet, vrasjet dhe shumë çështje të tjera.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka thënë se Prishtina është metropol për Kosovën dhe se përqendrimi i madh i popullatës në kryeqytet e bën shumë të nevojshme Policinë e Kryeqytetit.

“Pamë edhe rastet e fundit, prandaj Policia e qytetit është më së e nevojshme dhe pavarësisht asaj që është kosto që i adresohet buxhetit të Kosovës, duke e ditur që institucionet e sigurisë janë në shërbim të qytetareve mendoj që me funksionalizmin e policisë së qytetit do të ulet ndjeshëm krimi i organizuar, rrahjet, vrasjet e të tjera”, ka thënë ai.

Islami ka thënë se kjo njësi policore do të veprojë konform ligjit dhe do të rregullohet me ligj dhe se nuk do të ketë interferime të kompetencave në mes Policisë së Kosovës në përgjithësi dhe asaj të Kryeqytetit.

“Pra gjithçka do të rregullohet dhe unë besoj që bashkëpunimi do të jetë në nivel të kënaqshëm mes të dy policive dhe se formimi i policisë së qytetit është jetik për kryeqytetin tonë”, ka thënë ai.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë se pas vrasjeve të fundit që ndodhën në vend, formimi i Policisë së Kryeqytetit do t’i eliminojë këto dukuri negative.

“Tani duke ditur situatën në të cilën po gjendemi dhe duke hasur në raste të ndryshëm të vrasjeve sikur që jemi dëshmitarë që shpesh po ndodhin. Edhe duke ditur që kemi një numër jo të vogël të policisë, mbi 9000 policë, por krejt këta policë tani janë të angazhuar në territore të ndryshme të krejt Kosovës, sidomos një numër i madh edhe në veri, prandaj mangësia e tyre ndoshta edhe po vërehet në pjesë të tjera të urbanizuar sikur qytete e mëdha sikur së është Prishtina. Por, megjithatë edhe më parë e kemi pasur policinë komunale, të qytetit. Para viteve 90-ta kemi qenë si polici e pavarur. Është në favorin e situatave sepse ata bëjnë plane permanente, plane të detajizuara të qytetit edhe e jetësojnë detyrat e policisë, i caktojnë policët që të kryejnë punët permanentë dhe kontrolle të përhershme. Kështu që këto dukuri duhet të eliminohen, e vetmja mënyrë që të eliminohen është kontrolli i ashpër dhe permanent i policisë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se qyteti do të jetë i monitoruar 24 orë nga policët dhe se efikasiteti në luftimin e dukurive negative do të jetë më i madh.

“Ju e dini që kjo dukuria e drogës është në situatë të vështire të rëndë se si është duke u zhvilluar edhe nëpër shkolla fillore, le më në të mesmet e të tjera. Vetë prania e policisë ndikon në ruajtjen e ligjeve, prandaj efikasiteti do të jetë shumë më i përqendruar”, ka thënë ai.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, gjatë javës ka thënë se Policia e Kryeqytetit synohet të bëhet këtë vit dhe se projekti parasheh që të themelohet një drejtori e veçantë për Prishtinën me “një strukturë unike”, që përfshin njësi të trafikut, njësi të reagimit të shpejtë e njësi të hetimeve./EO

VIDEO BONUS: