Laure Cambau

Flet poetja e erotikës franceze, që u frymëzua nga Baba Mondi

Si të gjitha rastësitë, edhe ajo e lidhjes së poetes e muzikantes Laure Cambau me Shqipërinë u kthye në dashuri. Pak ditë më parë, shkrimtarja që tashmë ka një libër edhe në shqip, përkthyer nga Luan Rama, ishte në Tiranë, ndër të tjera për të luajtur në piano për disa miq të sajt dhe për të prezantuar krijimtarinë.

Nuk ishte hera e parë në Shqipëri për Laure. Që kur u njoh me piktorin Omer Kaleshi, marrëdhënia me vendin e vogël, për të cilin nuk kishte dëgjuar më parë, u shtua. Njohu njerëz të tjerë, bëri vizitën e parë, vite shkuar kësaj së sotmes. Paralelisht me njohjen me Kaleshin, Cambau u njoh edhe me shqiptarë të tjerë në Festivalin e Poezisë së Strugës. Bisedat u degëzuan deri te feja.

Dëgjoi kështu për bektashizmin dhe u interesua aq për të sa të ngjitej deri në malin e Tomorit. Kohë më pas, kërkimet e zgjerimet e informacioneve bënë që Cambau të botojë një libër për bektashinjtë, në gjuhën frënge. Sot, marrëdhëniet e saj me Baba Mondin a përfaqësues të tjerë të kësaj feje janë të afërta. Ajo organizon takimet e tij me përfaqësues të fesë në Paris, por vazhdon gjithashtu ta vizitojë atë në Shqipëri.

Laure, si je njohur me Shqipërinë, ç’të solli këtu?

Jam njohur vite më parë, kur kam takuar për herë të parë piktorin Omer Kaleshin, ndërsa shkova në shtëpinë e një shkrimtari francez për takimet tona letrare. Kaleshi ishte aty dhe përmes tij pata njohjen e parë edhe me Shqipërinë, e cila do të zhvillohej shpejt, fare pak kohë më vonë. Thuajse në të njëjtën kohë, të rinj shqiptarë më folën për vendin e tyre kur i takova në Festivalin e Poezisë, në Strugë. Kanë ndodhur të dyja ngjarjet thuajse në të njëjtën kohë. Ishin këto dy kanale, që më sollën këtu për herë të parë. Në Strugë, ndër të tjera, takova një djalë që kërkonte origjinën bektashi të familjes së tij, kështu u njoha edhe me bektashizmin. Pas këtyre takimeve njoha shqiptarë të tjerë në Paris, mes së cilëve, Ylljet Aliçkën e përkthyesin e librit tim, Luan Rama, etj.

Prej të gjithave, çfarë ju ngacmoi më shumë aq sa për të ardhur disa herë me radhë?

Ishte së pari një interes letrar. Që në njohjen e parë, më është dukur i pasur ky vend në shumë pikëpamje. Sot kam shumë miq prej këtej që duhet të jenë të lumtur që janë nga kjo pjesë e botës.

Luajtët në piano pak më parë, recituat edhe poezi tuajat…Si është raporti me secilën?

Po, luaj piano, bëj koncerte dhome gjithandej, shoqëroj këngëtarë lirik. Ndërsa sa i përket poezisë, kam shkruar 9 libra të zhanreve të ndryshme. Mes së tjerash kam shkruar edhe poezi erotike. Librat janë të ndryshëm njëri nga tjetri. Për mua, në poezi, muzika është shumë e rëndësishme. Majakovski thoshte se ritmi është forca magnetike e poezisë

Keni ardhur edhe më parë në Shqipëri?

Po, kjo është e disata herë që vij në Shqipëri. Libri im me poezi “E bardha pa të bardhë”, shkruar për piktura të Omer Kaleshit, është përkthyer në shqip nga Luan Rama, botuar nga shtëpia botuese “Albas”. Kam bërë gjithashtu një libër për bektashizmin. Kam vizituar teqe në Shqipëri.

Çfarë ju tërhoqi nga kjo fe, që e zhvilluat deri me botimin e një libri?

Më tërhoqi që në fillim dhe jam interesuar më pas sepse më dukej tepër interesant vizioni i tyre, janë shumë tolerantë. Kam shkuar në malin Tomorr për pelegrinazh. Madje, herët e para, vizitat e mia në Shqipëri kanë qenë të shpeshta, pikërisht për këtë arsye. E kam njohur edhe këtë në Strugë, djem shqiptarë atje më treguan dhe përmes tyre arrita të kuptoj e ta njoh bektashizmin më shumë. Unë jam njeri shpirtëror dhe pikërisht kështu u zhvillua marrëdhënia ime. Jam e lidhur me ta sepse muzika dhe poezia për ta janë dy forma lutjesh dhe m’u duk perfekte kjo gjë. Gruaja, për ta është e barabartë. Doja t’i përcillja këto mesazhe, prandaj edhe shkrova një libër.

E njihni Baba Mondin?

Patjetër! Me kalimin e kohës pata rastin të takoj shumë njerëz të kësaj feje, ndër të cilët edhe Baba Mondin. E ndihmoj për të organizuar takimet kulturore në Paris.