Evropa

“Mos ec para meje… Ndoshta nuk të ndjek. Mos ec pas meje…ndoshta nuk të udhëheq. Ec përkrah meje… vetëm rri miku im”, – Albert Camus. Ndoshta ne jemi vetëm “Të Huajt”, në kontinentin tonë. A ishte kaq e rrezikshme për BE-në ti thoshte jo dy vendeve të Ballkanit apo më e rrezikshme ti thoshte po?

Nga Idro SEFERI

Bashkimi Evropian e preu në besë Maqedoninë e Veriut. Sidomos këtë shtet e preu në besë. Nëse diku pajtoheshin shumica e ballkanasve, që deri dje ishin në luftë, ishte që Maqedonia Veriore duhej të niste negociatat për në Bashkimin Evropian. Dikujt në BE i qenka dukur shumë t’ia jap një shpresë këtij vendi. Për Shqipërinë, sidomos pas zhvillimeve të fundit, nuk e prisnin shumë se mund t’i ndodhte kjo gjë. Madje u shtruan pyetje që nëse e ka penguar bllokëzimi me Tiranën edhe Shkupin. Por, nuk dua të futem në progresin e Shqipërisë, ta zëmë se BE-ja këtu ka të drejtë. Ajo që absolutisht nuk ka të drejtë dhe që vërtetë është gabim i madh është nëse Maqedonia Veriore nuk e merr një datë në kohë. Kujtdo nga Bashkimi Evropian i duket kot progresi i Maqedonisë Veriore le të shkojnë dhe “ta pyesin” Matthew Nimitz, njeriun që sigurisht ka kaluar gati tre dekada duke u marrë me këtë problem. Duke qenë gazetar që kam ndjekur disa ngjarje të paktën ne Shkup, që kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit, besoj se kam një grimcë të drejtë të flas se si e kam parë këtë ndryshim dhe se çfarë ka të bëj vendimi totalisht injorues nga ana e politikanëve Perëndimor që Evropën e kanë kthyer në një pronë të unionit dhe vendet e ngelura jashtë duken si ishuj që kanë për të plotësuar aq kushte sa do të duheshin lëvizje sizmike për ta afruar këtë tokë me pjesën tjetër të kontinentit, pjesë e së cilës padyshim jemi në të gjithë evropianët. Por, disi kontinenti duket që nuk na takoka në te tjerëve sepse fati paska dashtë që të kemi lindur në një cep të gabuar të tij. Ne për Evropën (mendoj BE-në) qenkemi njerëz me gabime, njerëz që nuk kanë aftësi ta kuptojnë zhvillimin dhe demokracinë, disi njerëz që e duan gjendjen në të cilën jetojmë, pa marrë parasysh përpjekjet e tri dekadave të fundit të një numri enormë të shoqërisë civile, artistëve, gazetarëve e aktivistëve që këtu kanë luftuar për të mbrojtur liritë parësorë të njerëzve dhe duke krijuar një hapësirë për mundësi. Ky diskriminim që i bëhet një pjese të shteteve të Ballkanit Perëndimor është ndëshkim edhe për të gjithë ata njerëz që besojnë në vlerat evropiane, të kontinentit, por edhe të Bashkimit Evropian. Është lehtë të veprosh në vende të zhvilluar dhe të protestosh. Këtu, rreshtimi në anën e demokracisë mund të kushtoj me jetë. Ne nuk jemi nga Tora Bora as nga Himalajet, ne jemi nga Evropa. Kam shkruar disa herë që për ballkanasit megjithatë është befasuese pyetja kur udhëton në BE dhe policët rutinë të pyesin sa do rrish në Evropë? Por, kjo ka të bëj me perceptimin e ndryshëm që ne e kemi për Evropën dhe për mënyrën ofenduese se si ne trajtohemi nga Bashkimi Evropian, pavarësisht sa vula ne kemi në pasaporta-ata gjithnjë na shohin si të etiketuar, si njerëz që duhet interriguar.

Ajo që Bashkimi Evropian bëri javën e kaluar është të shkel hapur premtimet e tij me disa arsyetime banale të tipit si ti sqarohet qytetarëve të BE-së që ne, nga vendet ku ka azilkërkues, duam të jemi pjesë e një organizate në kontinentin që megjithatë na takon një copë hise. Bashkimi Evropian injoroj faktin që arsyeja përse ka azilkërkues është fakti që këtu tranzicioni zgjatë shumë dhe që shumë shpesh po këto qeveri, që në dëm tonin si qytetar, mbështetin autokratët e Ballkanit në emër të sabilokracisë. Në dëm tonin si qytetar, po këto qeveri i bllokojnë proceset për të cilat kanë dhënë fjalën e tyre. Është ende e vështirë për mua dhe më duhet ta mbaj mend gjithmonë faktin që emrit Maqedonia tani duhet t’ia shtoj edhe Verioren pasi disi ende nuk ka fjetur mirë ky ndryshim.

Ky shtet, para së të arrihej kjo marrëveshje, kishte një qeveri që u përfshi në shumë afera dhe krijoj tensione ndëretnike që hamendeshin a do të çojnë në ndarjen apo konflikte më të thella. Gati tri dekada kemi dëgjuar për emrin e këtij shteti, ish-kryeministri i së cilës si Hudini u zhduk dhe u shfaq më vonë në Hungari (lexo Bashkimi Evropian), ku kërkoj azil politik tek miku i tij. Ky shtet bënte kritika dhe bënte një lojë të rrezikshme dhe të pakthesë drejt vetëshkatërrimit. Nuk jam shtetas i flamurit me diell, por duke kaluar kohë në këtë shtet kam parë edhe lagje e paralagje. Natyrisht se askush nuk është i verbër ta mendoj se Haraçina është e gatshme për BE-në dhe të gjithë e dimë që nga ky proces do të kalojnë të paktën dhjetë vjet. Natyrisht që ne e dimë që jemi të varfër, të shkatërruar, të humbur, që kemi shumë gjëra për të rregulluar dhe asnjë nga ne që rrezonojmë normal në këtë hapësirë gjeografike të Evropës, nuk mendojmë se kemi drejtësi, sistem, edukim, zhvillim ekonomik apo edhe shtet. Secili nga ne të paktën një herë në javë përdor shprehjen “shtet i poshtër”. Gjithsesi, arsyeja përse ne qytetarët e rendit të dytë të Evropës, jemi të lodhur është pikërisht mungesa e progresit dhe të gjithë në u gëzuam për Maqedoninë Veriore sepse të paktën dikush nga ne po bënte një progres. Ne shqiptarët u gëzuam edhe për njerëzit e miqtë tanë atje, të paktën dikush nga ne po del në breg. Por, BE-ja, e sidomos Franca thanë jo sepse ata paskan bërë një “studim filozofik” mbi arsyet që paraqitka një rrezik i lartë nga një “po” e mundshme. Një po e mundshme nuk paraqet asnjë emigrant më shumë apo më pak për Francën, përveç që paraqet rrezik për vet presidentin e këtij vendi pasi mund ta akuzonte opozita e Marin Le Pen. Ne kur ju keni zgjedhje në Francë gëzohemi kur fitojnë “të mirët”, pra në këtë rast Emmanuel Macron, pasi një lider evropian mendje hapur nënkupton mirë edhe për ne. Natyrisht se nëse ne, si ballkanas, themi kritika ndaj BE-së mund të sanksionohemi, të konsiderohemi të padenjë, dashakeq, primitiv dhe gjëra të tjera. Por, ky sistem ka problem rrënjësore dhe fjalitë e presidentit Macron janë me vend kur bëhet fjalë për sistemin e brendshëm. Por, ne nuk kemi faj për këtë dhe jam shumë i bindur që disa pika që duhet ti plotësojnë vendet e Ballkanit nuk mund ti plotësojnë as gjysma e shteteve të BE-së, madje disa as në aspektin ekonomik e mos të flasim për ato të drejtave të njeriut, pa u futur në detaje për disa shtete. Fryma evropiane e ka mbajtur gjallë Ballkanin dhe në kohët më të vështira, ideja për një “frymë ndryshimesh” gjithmonë ka rrëqethur shumë njerëz në Ballkan. Por, përse nuk ka arritur ende të fitoj kjo frymë këtu? Besoj se shumica e atyre që merren me politikë edhe nga këto shtete e dinë mirë që faji nuk është i qytetarëve. Më shumë se etiketim, ne na duhet mbrojtje Zonja dhe Zotërinj, na duheni Ju që të kritikoni kur ne ankohemi për lirinë e medias dhe kërcënohemi, na duhet mbrojtje politikanët tanë hapur përfshihen në afera skandaloze dhe ne protestojmë, por Ju, Bashkimi Evropian që ne u duam aq shumë dhe ju kemi ëndërr, i strehoni ata dhe nuk thoni as edhe një gjë në këto raste. Ne na duheni ta thoni të vërtetën dhe jo të mbështesni ata që ne na mbajnë peng dhe të mos bëheni krah e një pjese të madhe të atyre që janë me qindra emra të përveçëm që janë munduar këtu të shporrin nacionalizmin, kriminelët e luftës, kriminelët e paqes, uzurpatorët dhe ata që nuk kanë qëllim të ndryshojnë gjë këtu. Gjithsesi, mbase BE-së i duhet një Ballkan i trazuar me një zonë gjysmë gri në gjithcka. Mbase BE-ja nuk ka interes nga ne pasi nuk jemi vërtetë porta e Evropës në lindje dhe nuk ka rëndësi kush tjetër do të gjej hapësirë në mungesën e BE-së në këtë vend. Por, Ju në të cilët është shpresa jonë e vetme për të ndërtuar shoqëri me baza të thella, e keni prerë në besë edhe Kosovën me mos dhënien e liberalizmit të vizave pavarësisht premtimeve të dhëna, e keni prerë Maqedoninë Veriore dhe i keni dhënë hapësirë fuqive të tjera të zgjerojnë folenë këtu tek ne. Ballkanasit, gati kurrë, nuk kanë patur shpresa tek politikanët lokal pasi ne ata i njohim, që të gjithë që kanë qenë dhe e dimë sa mjeshtër janë në mos marrjen e përgjegjësisë, por si pjesë e këtij kontinenti besoj se shumica kemi menduar që BE-ja është më thelbësore se kaq. Unë nuk jam anti-evropian, por ky sistem duhet ta merr seriozisht identitetin e tij dhe ta shtroj pyetjen se për çfarë shërben Bashkimi Evropian? Dhe, a do jemi ne nga Afrika apo Azija kur të ndodhin veprime të turpshme e tensione apo megjithatë do të akuzoheni dhe ju që megjithatë në Evropë keni lënë të ndodhin katrahura?!

loading…