Dhuna në familje, shqetësim për shoqërinë kosovare

Dhuna në familje si një temë jashtëzakonisht delikate dhe e ndjeshme, është problem dhe shqetësim i madh për shoqërinë kosovare.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë tryezës me temën “Bashkë kundër dhunës” që u organizua nga Drejtoria rajonale e policisë në Mitrovicë, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të institucioneve ligjore, të sigurisë, fetare, arsimore, sociale, të shoqërisë civile dhe psikologë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se në një komunë ose në një shtet ku ka dhunë në familje, ai shtet nuk mund të jetë demokratik.

Sipas tij, kjo dukuri e cila fatkeqësisht vazhdon të jetë prezente në Kosovë duhet të luftohet fuqishëm me të gjitha format, ndërsa ka apeluar që dhuna të raportohet dhe mos të heshtet.

Ai ka lavdëruar punën e policisë, derisa ka fajësuar gjyqësorin se shumë nga pjesëmarrësit e dhunës po i lë të lirë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Naim Çela, premtoi se deri në fund të këtij viti institucionet relevante do të arrijë që t’i përmbyllin detyrat e parashtruara, njëkohësisht duke përmbushur edhe rekomandimet e komisionit evropian rreth kësaj dukurie.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se BIK-u ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm sa i përket dukurisë së dhunës në familje, duke organizuar ligjërata të shumta nëpër xhamitë, por edhe nëpër institucione të ndryshme të Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë për rajonin e Mitrovicës, Shyqyri Syla, ka bërë të ditur se nga më shumë se 160 rastet e paraqitura në prokurorinë e Mitrovicës gjatë këtij viti, 90 për qind të viktimave të dhunës në familje janë femrat dhe fëmijët.

Ai ka uruar që në të ardhmen nëpër konferenca të tilla të mos ketë nevojë më të flitet për dhunën në familje dhe tema të ngjashme, por për çrrënjosjen e dukurive të tilla negative dhe për tema më të mira.

Këshilltarja e kryeparlamentarit të Kosovës, Valdete Idrizi, dhunën në familje e quajti ‘e keqe e madhe që na përket të gjithëve’. Ajo ka kërkuar prezencë dhe angazhim më të madh edhe të meshkujve në këtë drejtim, duke thënë se kontributi i përbashkët ndaj kësaj dukurie negative është shumë i rëndësishëm dhe i jashtëzakonshëm.

Ndryshe, në tryezën e sotme diskutuan edhe pjesëmarrës tjerë, të cilët pothuajse njëzëri konstatuan se të gjithë së bashku duhet angazhuar për të krijuar praktika bashkëpunimi me qëllim të identifikimit, raportimit, parandalimit dhe trajtimit të kësaj dukurie negative.