Deformimi i qëllimshëm i gjendjes së sigurisë në Kosovë nga mediat ruso-serbe

Mediat të caktuara kanë shtrembëruar qëllimisht ngjarjet e ditëve të fundit të nëntorit 2021 në Kosovë. Janë këto media që kanë për qëllim dezinformimin dhe përhapje të propagandës kundër Kosovës. Ato janë media serbe dhe ruse, të mbështetura nga Moska e Beogradi zyrtar, ndërsa kanë për qëllim krijimin e një narracioni se “situata e sigurisë në Kosovë është e paqëndrueshme” dhe se, gjoja,  “komuniteti serb dhe komunitete tjera jo shqiptare janë të rrezikuara”.

Për më tepër, këto lajme kanë për qëllim krijimin e një klime të urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe komuniteteve tjera nga serbët. Ato po ashtu kanë për qëllim forcimin e narracionit të “dobësisë dhe paqëndrueshmërisë së shtetësisë së Kosovës” dhe “ndërlidhjes së Kosovës me ekstremizmin dhe terrorizmin” për t’i përdorur këto narracione kundër Kosovës, në procesin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe njohjeve ndërkombëtare.

Madje nuk janë të rralla raste kur edhe ngjarjet tragjike dhe jetët njerëzore përdoren për qëllime propagandistike dhe dezinformimi. Rasti i fundit ishte sulmi tragjik i datës 26 nëntor 2021 në autobusin me udhëtarë në Gllogjan, me ç‘rast u vra shoferi i autobusit dhe dy nxënës, për të cilin akoma nuk janë identifikuar autor-i,-ët ose motiv-i,-et i/e mundshme. Edhe pse ky rast nga Policia e Kosovës u vlerësua se nuk ishte akt terrorist dhe nuk kishte të bënte me një gjë të tillë, i njëjti nga mediat serbe dhe ruse u cilësua si terrorist dhe u përdor për politizimin e rastit dhe propagandë kundër Kosovës.

Menjëherë pas incidentit media serbe “Informer” ka paraqitur rastin me një titull dezinformues si “Zbulohet nëse kishte serb në autobusin e sulmuar në Deçan”. Ky titull paraqet tendencën e hapur për të nxitur tek lexuesit serbë hamendje nëse në autobusin e sulmuar mund të ketë pasur qytetarë të nacionalitetit serb dhe rrjedhimisht për të nxitur urrejtje tek serbët, të cilët mund të mos e lexonin fare artikullin e plotë. Dëmi që i shkaktohet Kosovës me këtë lajm, nuk mund të ketë përfunduar vetëm këtu. Brouzerat e internetit tashmë e kanë edhe përkthimin automatik në gjuhë të ndryshme në botë, dhe rrjedhimisht lajmi i tillë për një lexues të huaj që nuk e njeh qasjen e “Informer” karshi Kosovës, mund ta t’i japë një perceptim plotësisht të gabueshëm.

Një ditë më vonë, mediumi serb “Kosovo-Online” i njohur për shpërndarjen e lajmeve të rrejshme, siç ishte rasti gjatë barrikadave në veri të Kosovës, publikoi disa artikuj me tituj dhe përmbajtje dezinformuese dhe tendencioz për incidentin në Gllogjan. Artikulli i publikuar nga kjo media me titullin “Të shënat në autobus tronditën Kosovën: Gllogjani ishte bazë e UÇK-së, shumë armë nëpër shtëpi, policia ishte e pafuqishme”paraqet situatën e sigurisë në Kosovë të brishtë dhe mundohet që ta ndërlidhë këtë incident me armët e përdorura nga UÇK-ja gjatë luftës (1998-1999), pasi sipas tyre, “Nuk duhet harruar se një numër i madh armësh ilegale mbetën në duart e civilëve në zonën e Gllogjanit, pasi aty u zhvilluan disa nga luftimet më të ashpra në vitet 1998 dhe 1999. Ky narracion i përshtatet narracionit të gjithmbarshëm serb, por edhe atij rus, karshi Kosovës, e me të cilin nuk sulmohet vetëm UÇK-ja, por edhe NATO-ja, e cila kishte ndërhyrë në vitin 1999 me bombardime për ta ndalur katastrofën humanitare.

Për më tepër, “Kosovo-Online” shfrytëzon edhe rastin tragjik për të përhapur propagandë kundër imazhit të Kosovës dhe paraqitur serbët si viktima të luftës së fundit. Artikulli thekson se “Në Gllogjan ishte edhe shtabi i ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, si dhe kampi për serbët e rrëmbyer dhe joshqiptarë të tjerë. Liqeni i Radoniqit është gjithashtu afër, ku anëtarët e UÇK-së vranë të paktën 34 serbë dhe shqiptarë në vitin 1998. Ndërsa artikulli nuk paraqet asnjë dëshmi mbi “pafuqinë e policisë”, pjesë e vet titullit.

Gjatë të njëjtës ditë “Kosovo Online” ka publikuar një artikull-intervistë tjetër me një person i cili njihet për qëndrimet e tij pro-serbe dhe ruse kundër Kosovës, me titullin “Galijaseviq: Sulmi në Gllogjan është një terrorizëm klasik para shtetëror”. Në këtë artikull, i ashtuquajturi, ekspert i sigurisë, Dzevad Galijasheviq e cilëson incidentin në Gllogjan si “terrorist” ndërsa Kosovën si “burim të terrorizmit dhe krimeve tjera të rënda”. Ai gjithashtu dezinformon lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë, duke deklaruar se “Kosova është një hapësirë ​​e hapur për krimin e organizuar dhe se Kosova nuk ekziston nëse nuk ka krim të organizuar, terrorizëm dhe drogë.”

Gjersa paraqet hapur tendencën e shtrembërimit të situatës së sigurisë dhe “viktimizimit të serbëve lokalë”, duke pretenduar se “Kosova është një bazë terroriste që merr një sasi të madhe armësh, kryesisht nga Shqipëria”, Galijasevic vazhdon narracionin e njohur atakues jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe shqiptarëve në përgjithësi, duke përfshirë edhe Republikën e Shqipërisë.

Konstatimet e rrejshme të tij si “kjo përshtatet sistematikisht me atë që ndodh në Kosovë çdo 10 ose 15 ditë kur bëhet fjalë për dhunën kundër komunitetit serb”, përveç se nuk qëndrojnë në realitet, kanë si qëllim nxitjen e urrejtjes mes komuniteteve në Kosovë dhe përhapjen e panikut te komunitetet e caktuara etnike.

Një artikull i radhës i “Kosovo-Online” i të njëjtës ditë me titull: “Trajkoviq: Ngushëllime familjeve të viktimave në Gllogjan, fatkeqësisht ka pasur gjëra të ngjashme, si sulmi në Gorazhdevc në vitin 2003”, përmes tërheqjes së paraleleve mes këtyre rasteve ka për qëllim paraqitjen e tyre si “incidente ndëretnike” duke supozuar se janë realizuar nga “pala tjetër” ky lajm nxit urrejtjen mes komuniteteve në Kosovë dhe nuk bazohet në fakte.

Narracion të ngjashëm ka paraqitur edhe mediumi rus “Sputnik” përmes titujve të ndryshëm dezinformues si “Goditja ndaj sistemit të sigurisë, akt terrorist”: Reagimet nga Prishtina për vrasjen e një studenti në afërsi të Deçanit”. Përveç se titulli nuk përkon me përmbajtjen e artikullit, i cili paraqet reagimet e krerëve institucionalë dhe politikë në Kosovë, artikulli mundohet të paraqet rrejshëm cilësimin nga institucionet e Kosovës të këtij akti si terrorist dhe për më tepër e shfrytëzon këtë rast tragjik për paraqitjen e sistemit të sigurisë në Kosovë si të dobët. Pra, këtu iu mveshen deklarata të shpifura krerëve të potencuar në artikull.

Mediat serbe dhe ruse kanë qenë shumë të angazhuara në devijimin e së vërtetës rreth incidentit në Gllogjan, me qëllim dezinformimi për situatën e sigurisë në Kosovë. Ato kanë shfrytëzuar lajmet e publikuara në mediat e Kosovës, me tituj si “Rrezik për sulm, ambasadat në Kosovë paralajmërojnë punonjësit t’i shmangin turmat”, për të shtrembëruar pastaj të njëjtit dhe për të përdorur ato për qëllime propagandistike.

I njëjti lajm është shpërndarë në shumicën e mediave serbe dhe ruse me tituj “bombastik” dhe me përmbajtje që përhap propagandë dhe dezinformatë për situatën e sigurisë në Kosovë, me njw qëllim – paraqitjen e narrativit të rrejshëm për Kosovën.

Media ruse “Sputnik” në një artikull me titullin me titull “Paralajmërimi i Amerikës me një risi të rrezikshme: “Ujku i vetmuar” në rrjetin e ekstremizmit kosovar” paralajmërimin për një sulm të mundshëm terrorist në Kosovë e vlerëson se “është normal, duke pasur parasysh se në provincë është krijuar një rrjet i fortë xhihadist. Një moment i ri në njoftim është paralajmërimi për “ujkun e vetmuar” që po përgatit një sulm terrorist jashtë organizatave.” Rrjedhimisht artikulli përveç se përmban titull dezinformues me qëllim të paraqitjes së Kosovës si “vatër të ekstremizmit”, mundohet që një gjë të tillë ta paraqesë si konstatim të autoriteteve amerikane.

Vetëm në raste kur ka “terrorizëm në Kosovë”, “Sputnik” iu “referohet” burimeve amerikane. Përndryshe, në çdo rast tjetër, SHBA, institucionet amerikane dhe amerikanët në përgjithësi, janë “bashkëpunëtorë me Kosovën” dhe Kosova etikohet si “krijesë amerikane” ose “krijesë e NATO-s”.

Mediat serbe dhe ruse publikojnë lajme të tilla me qëllim të dezinformimit të opinionit publik në Serbi dhe Rusi, si dhe me qëllim të demonizimit të popullit shqiptar të Kosovë dhe nxitjes së urrejtjes tek këta popuj kundër shqiptarëve të Kosovës.

Përmes lajmeve të rrejshme këto media mundohen të paraqesin një narracion të rrejshëm se “situata e sigurisë në Kosovë është e paqëndrueshme” dhe se “institucionet e Kosovës dhe “partnerët e tyre ndërkombëtar kanë dështuar” .

Publikimi i artikujve propagandues nga mediat serbe dhe ruse ka për qëllim ekzagjerimin e incidenteve në Kosovë, dhe paraqitjes së çdo incidenti si “sulm ndaj serbëve”. Gjithashtu publikimi i artikujve tendencioz ka për qëllim pasqyrimin sa më të keq të situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë me qëllim të pengimit të procesit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe sigurimit të njohjeve të reja ndërkombëtare. Lajmet e të tilla të rrejshme kanë për qëllim gjithashtu edhe përhapjen e panikut tek opinioni publik.