Debat i ashpër i Hashim Thaçit me Fatos Lubonjën

Analisti Fatos Lubonja dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë debatuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” lidhur me marrëveshjen potenciale Kosovë-Serbi dhe raportin e ndërkombëtarëve me këtë marrëveshje. Sipas Lubonjës, kushtet nuk duken shumë të favorshme për Kosovën, për shkak të dobësimit të Evropes dhe projektit evropian dhe ardhjen e Trump në krye të SHBA-së.

Nga ana tjetër, presidenti Thaçi u shpreh se analiza të kësaj natyre lidhur me SHBA-në janë konspirative dhe aktualisht gjendemi në një moment të mirë për Kosovën.

Fatos Lubonja: Ju keni tezën që gjërat kanë ndryshuar dhe janë të favorshme. Cfarë ka ndryshuar realisht sot, që mund të jetë e favorshme, për Serbinë, për Kosovën, për Hashim Thaçin më shumë? Ka ndryshuar një gjë shume e rëndësishme, që ka një goditje ndaj projektit evropian, që është ndërtuar Evropa e bashkuar, ku kufijtë marrin pak rëndësi dhe kemi një kthim tek shtetet kombe, që është një politikë, që ka marrë një përkrahje nga administrata e Trump. Pra, kemi një dobësim të Evropës, kemi një fuqizim të prirjeve për shtete-kombe dhe në këtë situatë, ne kemi kontekstin e një Serbie, që shfrytëzon më shumë se sa Kosova në këtë situatë, për të marrë një copë dhe shfrytëzon dobësinë e Evropës për të reaguar, sic mund të reagonte më parë, sepse edhe Evropa është e goditur nga partitë nacionaliste. Pra, kemi një kthim tek shtetet-kombe dhe kjo situatë ndihmon projektin e ndarjes, e krijimit të shteteve të pastra etnikisht. Në këtë aspekt, kjo situatë a është më e favorshme për Kosovën, apo është më e favorshme për Serbinë, por a është edhe më e rrezikshme për gjithë rajonin? Situata është e pafavorshme për projektin evropian dhe ideja sesi lindi Kosova nuk lindi për t’i dhënë kosovarëve një shtet etnik të pastër, lindi për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të ndërtuar multietnicitetin.

Hashim Thaçi: Kosova është një projekt ndërkombëtar. Intervenimi humanitar ka qenë gjithashtu një precedent pozitiv. Mendon se ne mund të lëvizim përpara pa BE-në dhe NATO-n? Unë nuk kam ndonjë rezervë dhe konspiracion në raport me SHBA-në, si ju.

Lubonja: Padyshim, unë e them hapur, nuk kam dilemë fare. Trumpi, e ka thënë edhe kryeministri ynë Rama, që është rrezik për botën, mos harroni që tani takohet me ju dhe bisedon për këto gjëra.

Hashim Thaçi: Këtu është dallimi im konceptual me ju të dy, që ju keni rezerva ndaj SHBA-së, ndërsa unë kam besim të plotë.

Fatos Lubonja: Jo ndaj SHBA-së, ndaj kësaj politike, sepse çdo parti nuk mund të bëjë të njëjtën politikë. Ky ka dalë më një tjëtër lloj qasje politike, edhe ndaj Evropës.

Hashim Thaçi: Unë flas nga përvoja ime rreth tre dekada, SHBA ndërton një politikë, nuk ka shumë politika dhe në raport me Kosovën do të vazhdojë mbështetjen e plotë. Nga ana tjetër, pse është dobësuar Evropa? Nuk i ka dobësuar as Kosova dhe as Ballkani Perëndimor. Jam i bindur që Ballkani Perëndimor do ta fuqizonte. Kush e ka dobësuar? Populizmi, Brexit, ekstremizmi, nacionalizmi? Unë nuk i besoj konceptit shtet-komb. I besoj konceptit shtet-qytetar, të demokracisë qytetare. Edhe pas marrëveshjes Kosovë-Serbi do të ketë Kosovë multietnike dhe Serbi multietnike.