Dallaverët për ‘Pastrimin e Kosovës: Auditori thotë se nuk ka dëshmi se si janë shpenzuar 815 mijë euro

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës ka treguar se kanë përfunduar 95 raporte financiare të auditimit të institucioneve të shtetit, nga 116 sa janë gjithsej.

Ai ka thënë se brenda afatit të caktuar do ta kryejnë këtë proces, deri më 31 gusht, ndërsa Kuvendi do të diskutojë raportin në muajin shtator.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka treguar se këtë vit, do të auditojnë edhe Telekomin, në bazë të një rezolute të Kuvendit, e për çka janë angazhuar 13 auditorë.

Duke shpjeguar procesin e punës, Osmani ka thënë se për institucionin e Auditorit të Përgjithshëm viti nis më 1 shtator.

“Kujdesemi që mos të dërgojmë auditorët e njëjtë në institucione të caktuara për një kohë të gjatë, për t’i ikur mundësisë së miqësive”, ka thënë ai.

Osmani ka folur për shkeljet që ndodhin zakonisht në institucione, derisa ka thënë se pjesa e parë e strukturës së raportit të Auditorit është ajo për pasqyrat financiare, e që kanë të bëjnë me gabime në shfrytëzimin e mjeteve të caktuara për projekte të caktuara. Osmani ka thënë se ka raste kur ndodhin pa qëllim, për mungesë të ekspertizës, por ka shtuar se shumë herë kjo ndodhë me qëllim, duke e cilësuar këtë si keqpërdorim dhe shkelje.

“Shkeljet e tjera kanë të bëjnë me shkeljet e rregulloreve të prokurimit. Ka vonesa të shumta, mos aplikimi i penaltive për operatorët ekonomikë që janë kontraktuar, dhe mos monitorimin e implementimit të punëve të cilat janë ndarë”, ka thënë ai.

Osmani është ndalur te fondi prej 815 mijë euro, që Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ndarë për projektin “Ta pastrojmë Kosovën”, të “Let’s Do It Kosova”.

“E para subjekt i auditimit këtu ka qenë Zyra e Kryeministrit, e jo OJQ-ja ose ndonjë subjekt tjetër. Dhe e dyta kemi pasur kërkesë nga vetë Kryeministrin që ka bërë kërkesë të veçantë te unë që të shikohen fondet kontingjente”.

Ai ka treguar se në projekt është përshkruar pastrimi i të gjitha komunave, eliminimi i deponive ilegale të mbeturinave.

“Kur ne kemi bërë auditimin, na është prezantuar një kontratë. Ka pasur shumë dëshmi të varfra në raport me implemetinimi e projektit. Ka pasur fatura, por nuk ka pasur raport të qartë nëse janë kryer të gjitha punët sipas planit”, ka thënë Osmani. “Ne nuk kemi vu emër, se kemi të bëjmë me një keqpërdorim të parasë publike, por kemi thënë se nuk kemi siguri të mjaftueshme se projekti ka shkuar si duhet, prandaj kemi sugjeruar që Qeveria përmes mekanizmave të veta të bëjë një monitorim të këtij projekti, se çka ka ndodhur me deponitë ilegale dhe se si, sa dhe a është zbatuar në përpikëri projekti për të cilin është paguar”, ka shtuar më tej ai.

Osmani ka thënë se Auditorit nuk i janë “ofruar dëshmi që sigurojnë se projekti është implementuar ashtu siç është raportuar”.

“Ne kemi parë shumicën e faturave që janë dorëzuar në zyrën e kryeministrit. Por nuk kemi dëshmi se projekti është implementuar sipas projektit”, ka thënë ai. “Vetë Qeveria ka caktuar një kryesues të Task Forcës, dhe është dashur që të bëhet një raport, që nuk është bërë”.

Ka thënë se kjo ishte gjetja kryesore për Qeverinë, teksa ka shtuar se gjetjet janë të ngjashme me të institucioneve tjera.

Osmani ka dalluar fondin që ndahet nga fondi kontingjent për ekipin që merret me shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Ka thënë se ky ekip pritet të qëndrojë më gjatë dhe fondi për të duhet të bëhet përmes buxhetit të shtetit.

Ai ka folur edhe për integrimin e veriut duke shtuar se në shumicën e institucioneve kanë gjetur se bëhen pagesa për personelin për të cilët nuk ka informacione se a kryejnë punën për atë që marrin pagesën. Osmani më tej ka thënë se në veri ministritë paguajnë edhe qera, për objekte që s’kanë mundur t’i shfrytëzojnë.

Sipas Osmanit, Universiteti i Prishtinës dhe ministria e Arsimit nuk kanë arritur të dëshmojnë “pohimin e ndodhisë për punën e profesorëve dhe se paratë i kanë marrë për orët e mbajtura”.

Punësimet dhe kontratat mbi vepër janë shqetësimet më të mëdha nëpër komunat e Kosovës, sipas Osmanit.

Për ndërmarrjet publike, Osmani ka thënë se për Telekomin janë në fazën finale të raportit, ndërsa ka shtuar se raporti s’do të sjellë ndryshim nga informatat që i ka tashmë publiku.

Sipas tij, menaxhmenti i RTK-së ka pasur mëdyshje në punën e auditorit të përgjithshëm.

Teksa ka kujtuar se Kushtetuta i jep të drejtën e auditimit të fondeve publike deri në destinacionin e fundit, Osmani ka shtuar se “vetë natyra e punës së auditorit nuk është e preferueshme te të gjithë”.

“Prezenca jonë mund të sjellë pakënaqësi sepse natyra e punës sonë është të shohim cilat janë dështimet e cilat janë gjërat që duhet plotësuar në proces në të ardhmen. E kjo nuk mirëpritet te të gjithë. Ishte më e shprehur te RTK-ja”, ka shtuar ai.