CNN: Arabia Saudite po bëhet kryeqyteti i drogës në Lindjen e Mesme

Një vrasje e tmerrshme e shkaktuar nga droga mahniti mediat në Arabinë Saudite në muajin prill, kur një burrë në provincën lindore të vendit i vuri zjarrin shtëpisë së familjes së tij para iftarit. Katër anëtarë të familjes së tij u vranë.

Policia tha se ai ishte nën ndikimin e shabu, një metamfetamine, sipas gazetave lokale.

Mediat saudite kanë dhënë alarmin kohët e fundit për rritjen e përdorimit të drogës, me një kolumnist që përshkruan dërgesat e narkotikëve në mbretëri si një “luftë e hapur kundër nesh dhe më e rrezikshme se çdo luftë tjetër”, shkruan CNN, transmeton Demokracia.com.

Të mërkurën, autoritetet saudite njoftuan sekuestrimin më të madh të drogave të paligjshme në historinë e vendit pasi afro 47 milionë pilula amfetamine u fshehën në një ngarkesë mielli dhe u kapën në një magazinë në kryeqytetin Riad.

Sekuestrimi rekord tregon atë që ekspertët thonë se është roli në rritje i Arabisë Saudite si kryeqyteti i drogës në Lindjen e Mesme, duke nxitur kërkesën dhe duke u bërë destinacioni kryesor për kontrabandistët nga Siria dhe Libani.

Mbretëria, thonë ata, është një nga destinacionet më të mëdha dhe më fitimprurëse rajonale për drogën dhe ky status vetëm sa po intensifikohet.

Operacioni i së mërkurës ishte tentativa më e madhe e vetme e kontrabandës për sa i përket kapjes së lëndëve narkotike, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Kontrollit të Narkotikëve. Ndërkohë që autoritetet nuk e përmendën drogën e konfiskuar ose prej nga vinte ajo, porse nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) thanë se “raportet e konfiskimeve të amfetaminës nga vendet në Lindjen e Mesme vazhdojnë t’i referohen kryesisht tabletave që mbajnë logon Captagonin”.

Problemi me droga në Arabinë Saudite dhe në rajon është rritur me kalimin e kohës. Në fillim të kësaj jave, një varkë e Rojës Bregdetare të SHBA-së kapi 320 kilogramë tableta amfetamine dhe pothuajse 3000 kilogramë hashash me vlerë miliona dollarë nga një varkë peshkimi në Gjirin e Omanit.

Droga u popullarizua në mbretëri rreth 15 vjet më parë, por është përhapur më intensivisht në pesë vitet e fundit, “ndoshta duke u bërë në të njëjtin nivel me kanabisin”, sipas Vanda Felbab-Brown, një bashkëpunëtore në Institutin Brookings në Uashington DC.

Një nga arsyet pse Captagoni po përhapet në përdorim të madh është “sepse tani ka një rritje të furnizimit që vjen kryesisht nga Siria”, ku prodhohet “në një shkallë industriale në fabrikat kimike të trashëguara nga regjimi i Asadit” dhe hyn me leje të komandantëve të luftës dhe filialet e tyre.

Captagon mund të shitet nga 10 deri në 25 dollarë për pilulë, që do të thotë se sasia e fundit e kapur nga forcat saudite, nëse do të ishte i njëjti medikament, ka një vlerë deri në 1.1 miliardë dollarë. /Demokracia.com/