ARKEP do të dënojë kompanitë telefonike që s’do ta përdorin vetëm kodin +383

Kanë filluar procedurat për zbatim të sanksioneve ekonomike për operatorët që nuk kanë ndërprerë përdorimin e kodeve të huaja shtetërore telefonike.

Bordi Drejtues i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në takimin e mbajtur sot ka shqyrtuar nivelin e zbatimit të kodit telefonik shtetëror 383.

Si rezultat, në këtë takim sipas kryetarit të ARKEP, Kreshnik Gashi, është vendosur që në respektim të ligjit për komunikimet elektronike t’i shqiptohet vërejtja e fundit për zbatim të kodit të gjithë operatorëve dhe të përcaktohet masa sanksionuese në shumë prej 10 mijë euro në baza mujore efektive prej datës 15 janar 2018 për operatorët që nuk largojnë kodet e huaja nga përdorimi.

“Operatorët e telefonisë mobile me vendimin e sotëm, duhet ta din se në rast se hyjnë më datën 16 janar të vitit 2019 pa larguar kodet aktuale të telefonisë që janë në përdorim si kode paralele si kodi 377 dhe kodi 386, ata do të gjobiten në baza mujore prej 10 mijë euro”, ka thënë Gashi, për Kosovapress.

Gashi ndër të tjera ka thënë se vërejtja e fundit është masë e domosdoshme fillestare për përcaktim të sanksioneve. Ai ka shtuar se ARKEP po ashtu ka trajtuar kërkesat për shtyrje të afatit të largimit të kodeve të huaja në përdorim në Republikën e Kosovës si kode paralele, respektivisht kodit 377 nga operatori Telekomi i Kosovës dhe kodit 386 nga operatori IPKO dhe ka vendosur që të mos pranojë kërkesat për shtyrje të afatit.

“Të dy operatorët kanë kërkuar që fundi i vitit 2019 të jetë koha kur ata mund të largojnë kodet huaja për përdorim në Kosovë. Operatori i Telekomit të Kosovës e ka bërë një kërkesë të tillë për shkak të problemeve financiare që ata kanë dhe mos investimet e domosdoshme që janë për funksionalizim të plotë të Kodit, ndërsa te operatori IPKO, ata kanë bërë ndryshimet e nevojshme në centralet e tyre, mirëpo kanë kërkuar që Kodi 386 të jetë si Kod alternativ”, ka thënë ai.

Në takim është konstatuar progresi i arritur në drejtim të zbatimit të plotë të kodit 383, me theks të veçantë në heqjen nga përdorimi të kodit 381 si dhe hapjen për përdorim të kodit 383 nga operatorët si për thirrjet e origjinuara nga Kosova e po ashtu në thirrjet e terminuara në Kosovë.

Ndryshe, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) iu pati dhënë dy afate shtesë, i fundit deri më 31 tetor që këta operatorë t’i largojnë nga përdorimi kodet e huaja +377 dhe +386.