Aplikimi për statusin e kandidatit| Njohësit këshillojnë konsultim me shtetet kryesore

Kosova në fund të këtij muaji do të aplikoj për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian kanë paralajmëruar ditëve të fundit krerë të institucioneve.

Por njohës politik po vlerësojnë se Kosova së pari do të duhet të konsultohet me shtet kryesore të BE-së dhe do të duhet që t’i përmbush disa kushte për aplikim.

Analistit politik, Agron Hoti tha për Ekonomia Online për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat së pari do të duhet që vendi të marr dritën e gjelbër nga Gjermania, Franca dhe Italia.

“Gjendja në Evropë ka ndryshuara pas agresionit rus në Ukrainë dhe kjo i ka kthyer rrethanat në favore të Kosovës dhe tërë shqiptarëve në rajon, dhe besoj që aplikimi i Kosovës duhet të behët në Bashkimin Evropian, mirëpo paraprakisht ne duhet të marrim disa drita të gjelbër nga shtetet kryesore të BE-së siç janë Gjermani, Franca, Italia sepse deri më tani nuk kemi dëgjuar ndonjë deklaratë të tyre që e përkrahin marrjen e statusit kandidat për Kosovën”, tha ai.

Sipas Hotit Kosova do të duhet të aplikoj gjithsesi edhe pse gjatë kësaj rruge do të jenë disa vështirësi.

“Kosova gjithsesi duhet të aplikoj i kemi disa vështirësi ligjore me BE-në, mirëpo për të cilat ka disa precedenti të cilat mund të na ndihmojnë gjatë procedurës së anëtarësimit sepse neni 49 i traktatit të BE-së thotë së shtetet duhet të anëtarësohen në BE, ndërkohë që BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet por si vend. Ne këtu i kemi argumentet në anën tonë sepse Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociimi që është një precedent ndërkombëtar brenda BE-së që Kosova ka lëvizur drejt integrimit evropian pa u njohur si shtet nga BE-ja dhe nga shtetet anëtare të saj, pastaj edhe rasti i UEFA-së”, tha ai për EO.

Hoti duke shpjeguar procedurat se si do të shkoj aplikimi në këtë proces, theksoi se Kosova do të duhet t’i plotësoj dy kushte, e ato kushtet sipas tij, janë stabiliteti politik dhe ekonomik, dhe raportet e mira me fqinjët.

“Janë dy kushtet kryesore që një vend duhet t’i plotësoj, që një vend të ketë stabilitet politik dhe që të ketë një ekonomi tregu dhe të ketë raporte të mira me fqinjët e tij. Kosova në këto dy fusha ka probleme. Në momentin kur Kosova dërgon aplikacionin në Këshillin e Ministrave të BE-së, nëse futet në rend dite në formacionin e ministrave të jashtëm të Këshillit të BE-së që drejtohet nga Borelli, atëherë do të jete një lajm i mirë për ne, mirëpo nëse nuk futet në rend dite atëherë do të merret si refuzim ose do të ketë një njoftim se do të i’u njoftojmë më vonë. Nëse kalo në Këshillin e Ministrave të Jashtëm atëherë kjo është një shenj e mirë që BE-ja po vendos që Kosovën ta vendos në agjendën e saj për ti dhënë statusin e kandidatit edhe pse kjo mund të zgjasë”.

“Pasi t’i dhurohet statusi kandidat Kosovës fillon faza e negocimit të Kornizës së bisedimeve për hapjen e kapitujve dhe mbylljen e tyre, që në fakt janë 35 kapituj dhe të gjithë duhet të hapen dhe mbyllen me pajtim nga të gjithë shtet anëtare të BE-së”, tha ai.

Analisti politik Arbnor Sadiku, tha se Kosova ka shumë pak mundësi për t’u pranuar në këtë proces, pasi sipas tij, vendi nuk po mundet të anëtarësohet në Këshill të Evropës që anëtarësimi në këtë është me i thjeshtë se sa për statusin kandidat.

Ai shton se marrja e statusit për vendin kandidat e vështirëson edhe më shumë mosnjohja e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ne paraprakisht e dimë që mundësit e Kosovës për të marr këtë status të vendit kandidatë njëjte siç e ka Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, është e pa mundur aktualisht për shkak se Kosova siç e dini nuk po mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës që janë proceduar shumë më të lehta dhe dihet që nuk e kanë njohur pesë vendet që janë anëtare të BE-së Kosovën dhe këto praktikisht e bëjnë të pa mundshme anëtarësimin afatshkurta dhe afat mesëm të Kosovës në Unionin Evropian po të njëjtën kohë edhe marrjen e statusit kandidat si hapa paraprak drejt anëtarësimit në Unionin Evropian”.

“Sigurisht që ky vendim i Qeverisë nuk e di nga çfarë analiza është bërë, por ne si studiues të politikës e dimë shumë qartë se gjasat e Kosovës janë pothuaj se shumë minimale që të marr statusin e kandidatit për tu anëtarësuar në BE”, tha Sadiku për EO.

Sipas Sadikut në bazë të gjitha analizave Kosova nuk ka as një mundësi që të merr statusin e kandidatit në vitin 2022.

“Do të jetë një përpjekje e pa suksesshme e cila do ti shërbej  Kosovës që në aspektin numerik thotë që ne i kemi kryer aktivitet të qeverisë por në aspektin pragmatik, praktik dhe përmbajtjesore të veprimit do të jetë e pamundshme që Kosova në vitin 2022 të merr statusin e kandidatit, sepse dihet që kërkojnë një serë reformash, klimë e një politike të mirë, stabilitet politik, marrëdhënie të mira me vendet e rajonit dhe një serë kushtesh të tjera që i kërkon Unioni Evropian. Në bazë të gjitha analizave kjo është pothuaj se Kosova nuk ka kurrfarë  mundësie që të merr statusin e kandidatit në vitin 2022”, përfundoi ai.